Projekti “Mbështetje Kuvendit dhe Projektit për Edukimin Qytetar”, PACEP, me financim nga Zvicra dhe zbatim të tij nga OSBE në Tiranë do të sjellë fuqizimin e Kuvendit, funksioneve të tij legjislative dhe ngritjen e një sistemi e-legislation që do të mundësojë digjitalizimin e të gjithë procesit ligjvënës, duke qenë transparent dhe i aksesueshëm nga publiku dhe gjithë aktorët e interesuar.
Kjo u bë e ditur gjatë takimmit të Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi ditën e sotme (2 qershor) me Ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borchardt, dhe Ambasadorin e Zvicrës, Adrian Maitre. Gjatë takimit u vlerësuan masat e marra nga qeveria gjatë pandemisë si dhe normalizimin e jetës ekonomike e sociale të vendit. Reforma Zgjedhore ishte gjithashtu pjesë e diskutimit, por pa dhënë detaje të tjera nga Kuvendi.
Ruçi tha se falë projektit PACEP u bë e mundur dhe zhvillimi i mbledhjeve online gjatë pandemisë duke sjellë dhe transparencë maksimale dhe akses të plotë të mediave dhe qytetarëve.
“Fillimi i zbatimit të projektit erdhi në një kohë që para Kuvendit të Shqipërisë u shtrua imperativi i funksionimit online dhe kontributi i projektit PACEP ishte një mbështetje e madhe për zhvillimin online të mbledhjeve të komisioneve dhe veprimtarive të tjera parlamentare. Në këtë mënyrë Kuvendi i përmbushi me sukses funksionet tij ligjvënëse dhe kontrolluese edhe gjatë pandemisë. Ishte edhe kontribut i këtij projekti që Kuvendi siguroi transparencë maksimale dhe akses të plotë të medias dhe qytetarëve në veprimtarinë parlamentare gjatë pandemsië”, nënvizoi Kryuetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Ambasadori i OSBE-së, z. Bernd Borchardt, nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë është ndër parlamentet e parë europianë që funksionoi online dhe krijoi një eksperiencë unike, të dobishme edhe për parlamentet e tjera, sidomos për sigurimin e informimit në kohë reale për veprimtaritë parlamentare, transparencën e mbledhjes së komisioneve dhe veprimtarive të tjera si edhe informimin e publikut dhe qytetarëve."
Ambasadori i Zvicrës, z. Adrian Maitre, vuri në dukje se “Kuvendi i Shqipërisë funksionoi me intensitet dhe produktivitet të lartë edhe gjatë pandemisë së Covid-19, duke përmbushur detyrat ndaj vendit dhe qytetarëve. Gjatë këtyre muajve Kuvendi i Shqipërisë krijoi një eksperiencë të jashtëzakonshme, e cila mund t’u shërbeje edhe parlamenteve të vendeve të tjera të Europës dhe botës. Dhe Ju, si Kryetar, meritoni përgëzimet më të larta për kontributin dhe lidershipin Tuaj të urtë.”