Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryetarja e Bashkisë së Tetovës Teuta Arifi

Politikë
Top 24

Ruçi takon Kryetaren e Komunës së Tetovës: E rëndësishme vota pro e shqiptarëve për referendumin

20 Shtator 2018, 17:53| Përditesimi: 20 Shtator 2018, 18:02

  • Share

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti sot Kryetaren e Bashkisë së Tetovës Teuta Arifi, me të cilën bisedoi mbi zhvillimet më të fundit ne Maqedoni. Gjatë takimit Kryetari i Kuvendit nënvizoi se pjesëmarrja e shqiptarëve dhe vota e tyre pro në referendumin e 30 shtatorit është shumë e rëndësishme. “Shqiptarët duhet të bëhen masivisht pjesë e zgjidhjes”, nënvizoi z. Ruçi.

Forcat politike dhe institucionet e qeverisjes qendrore e vendore të drejtuara prej shqiptarëve duhet të japin mesazhin e qartë në mbështetje të referendumit. Ne shqiptarët, jemi një faktor i rëndësishëm stabiliteti jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin. Është pozitive që forcat politike shqiptare janë përgjithësisht pro referendumit dhe kjo duhet të pasohet edhe nga mbështetja e votuesve shqiptarë.

 Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi

Ai theksoi më tej se Tetova duhet gjithashtu të paraprijë në këtë proces. “Roli i Komunës së Tetovës është vendimtar për sigurimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në referendum. Nuk duhet ta humbasin këtë shans historik”, u shpreh Ruçi.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, falënderoi Kreun e Kuvendit për mbështetjen që Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë u japin në këto çaste shqiptarëve në Maqedoni. Ajo vlerësoi gjithashtu faktin që forcat politike dhe shqiptarët e Maqedonisë janë në mbështetje të referendumit dhe votës pro.

Suksesi i referendumit të 30 shtatorit hap rrugën për ndryshime të tjera pozitive në Maqedoni, të cilat kanë dhe do të kenë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar mbështet si rallëherë në këtë çështje të gjitha forcat progresiste të Maqedonisë, të cilat përpiqen për zgjidhjen e problemeve, prosperitetin, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kryetare e Bashkisë së Tetovës, Teuta Arifi

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shprehën bindjen se shqiptarët do të marrin pjesë masivisht në referendumin e 30 shtatorit dhe vota e tyre do të jetë pro.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?