Ruçi pret zv. kryeministrin e Maqedonisë së Veriut: Bashkëpunimi Shqipëri-RMV, kontribut në stabilitetin rajonal! Grubi takohet edhe me Ramën

23 Mars 2021, 13:06| Përditesimi: 23 Mars 2021, 17:03

  • Share

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe  Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Shqipëri, Dancho Markovski.

Zëvendëskryeministri  Grubi e informoi Kryetarin e Kuvendit Ruçi për zhvillimet më të fundit në vendin fqinj mbi integrimin europian, bashkëpunimin rajonal si edhe procesin e regjistrimit të popullsisë.

Gramoz Ruçi vlerësoi bashkëpunimin dhe marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, të cilat janë shembull bashkëpunimi në rajon.

“Jemi shumë të kënaqur nga roli aktiv dhe konstruktiv i aktorëve politikë shqiptarë në zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, si dhe besnikërinë e popullsisë shqiptare në interes të vendit. Ne do t’i inkurajojmë ata gjithmonë që të veprojnë në të mirën e tyre dhe të vendit të tyre. Perspektiva jonë e përbashkët për anëtarësimin në BE ka një rëndësi thelbësore për stabilitetin rajonal. Nisja sa më parë e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përbën një domosdoshmëri për të gjithë rajonin dhe jo vetëm për vendet tona.”, theksoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit Ruçi vlerësoi gjithashtu nismën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për regjistrimin e popullsisë, përfshirë atë të Diasporës, dhe nënvizoi se përfshirja e emigrantëve është një element shumë i rëndësishëm në këtë proces.

“Përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë së Veriut është në dobi të vetë këtyre institucioneve dhe zhvillimit të vendit. Të gjitha palët janë të interesuar dhe duhet të kontribojnë që ky regjistrim të bëhet sa më i saktë dhe i drejtë. Regjistrimi i drejtë ndihmon përfaqësimin e drejtë.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi në takim me zv.kryeministrin Artan Grubi, të pranishëm dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe Ambasadori i MV në Shqipëri, Dancho Markovski.

 

Ora 14:35
Grubi takohet me Ramën, diskutojnë për censusin në Maqedoninë e Veriut

Zv. kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Shqipëri, sot ka takuar edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Siç njoftojnë nga kabineti i Grubit, të dy bashkëbiseduesit, kanë vlerësuar lartë përkushtimin e deritanishëm të diasporës së Maqedonisë së Veriut pasi që për më pak se një muaj pozitivisht ftesës për Regjistrim i janë përgjigjur më tepër se 130.000 banorë.

“Zv. kryeministri i parë Grubi dhe kryeministri Rama gjatë takimit kanë këmbyer mendime edhe Korridorit 8, projekt ky për të cilin Rama tha se në Shqipëri është prioritet i Qeverisë pasi që është në të mirën e vendit por dhe të mbarë rajonit, kurse Grubi nga ana e tij ka informuar Ramën se edhe në Maqedoni të Veriut po punohet në drejtim që sa më shpejt të përfundoj ndërtimi i këtij korridori”, thuhet në njoftim.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?