Me rastin e Ditës së Pashkëve, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar besimtarët katolikë dhe gjithë shqiptarët.
Ndërsa thotë se ky është i dyti vit radhazi që i kremtojmë Pashkët shpirtërisht të gjithë bashkë, dhe individualisht në vatrat familjare për shkak të pandemisë, Ruçi shpreh bindjen se ngjarjet e tjera në muajt në vijim, do t'i festojmë ashtu siç e kemi traditën.
Sipas Ruçit, Pashkët na frymëzojnë se e mira mund të keqen dhe shpresa mund dëshpërimin.
“Është i dyti vit radhazi që Pashkët i kremtojmë, shpirtërisht të gjithë bashkë, dhe individualisht në vatrat familjare. Një gjë është e sigurt: Pashkët dhe ngjarjet e tjera në muajt që vijnë do t’i festojmë ashtu si e kemi traditën, duke gëzuar dhe duke u përqafuar me njeri-tjetrin. Viti midis dy Pashkëve ka qenë një vit dramatik dhe i vështirë, që na kufizoi nga mjaft gëzime të jetës. Por njëkohësisht vuri në provë fuqinë tonë shpirtërore e njerëzore, solidaritetin dhe dashurinë për njeri-tjetrin. Pashkët simbolizojnë rilindjen, besimin dhe triumfin e jetës. Pashkët na frymëzojnë se e mira mund të keqen dhe shpresa mund dëshpërimin. Pandemia na imponoi distancën nga njeri-tjetri, por na afroi më shumë shpirtërisht. Pandemia na kufizoi, por ne duket se po e sfidojmë atë. Bashkë me urimin shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për Kishën Katolike dhe besimtarët katolikë për mbështetjen dhe frymëzimin e të gjithë shqiptarëve në këtë betejë që na u imponua, në mes të gëzimeve, punëve, detyrave e misioneve tona. Gëzofshi të gjithë në vatrat familjare!”, shkruan në urimin e tij Ruçi.
Lajmi kryesor: