Rudolf Marku zgjidhet 'Poet laureat', studiuesi: Shamia e Musine Kokalarit, sot më e zezë se kurrë nga trubadori i enverizmit

31 Tetor 2020, 13:37| Përditesimi: 31 Tetor 2020, 15:54

  • Share

Poeti i parë laureat (200 000 lekë) në Shqipëri nga Qendra Kombëtare e Librit edhe Leximit u zgjodh Rudolf Marku. Përgjatë dy viteve shkrimtari edhe publicisti do të jetë në krye të një fushate për të promovuar poezinë shqipe. (Projekt që Marku do ta prezantojë në katër muajt e ardhshëm pranë QKLL bashkë me shumën përkatëse).

Çmimi u nda në ministrinë e Kulturës. Komiteti vlerësues i kryesuar nga  shkrimtari Besnik Mustafaj dhe anëtarët botuesja Arlinda Dudaj, kritiku Agim Baçi dhe pedagogët e fakultetit të Histori Filologjisë, Agron Gjekmarkaj dhe Viola Isufaj shoqëroi vendimin me motivacionin:

"Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu. Në motivacionin për Poetin Laureat është vlerësuar edhe shërbimi i çmuar që i ka bërë ai kulturës kombëtare, duke sjelle në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore”.

Por që në orët e para që çmimi u bë publik, nuk kanë munguar as reagimet kritike për vlerësimin e Rudolf Markut. Studiuesi i letërsisë Lisandër Kola, përmes rrjeteve sociale shkruan ndër të tjera se:

“Urime Komitetit për koherencën e shpalljes së Poetit Laureat. Urime bakshishaxhisë që me ‘të falunat’ e djeshme muer çmimin e sotëm. Urime historike të gjithë atyne që ishin në anën e duhun të historisë gjatë diktaturës. Urime nji prej trubadorëve ma të shquem të enverizmit, që sot ka nderin me pasë nji kunorë lari. Urime të gjithë gegëve në anëtarësi, kandidatë, përpajtues e neglizhentë për këtë kompeticion. Urime shtetit shqiptar që gjuhën ofensive dhe krimnxitëse e cilëson të përshtatshme dhe poetike. Urime të gjithë katolikëve të Shqipnisë me funksione publike që pranuen nji xhelat poetik të diktaturës komuniste shqiptare. Urime Shqipnisë dhe të Lumnuemve të saj, që po shohin laureat nji prej vjegëzave ma të randësishme antiklerikale. Urime për atë çka asht e qëndrueshme tek njeriu: komunizmi, dhe jo e vërteta. Urime të gjithë (ish)kolegëve që në inboxe më shkruejnë ndryshe për fituesin e PL e nësa fituesit i thurin lavde. Urime atyne që heshtin për histori që i dinë ma mirë sesa ne. Urime brezit monist për triumfin e radhës. Dozoti nga ‘fitorja në fitorje’. Urime poezisë shqipe, që ka me qenë simbas kutit të nji propaganduesi ideologjik. Urime të gjithëve për shëmtinë që batë! E dashtun Musine, sot shamia jote e zezë asht ma e zezë se kurrë", shkruan Kola.

Për çmimin Poeti Laureat fillimisht në garë ishin 25 autor, ku mes tyre: Flutura Açka; 2. Natasha Lako; 3. Arian Leka; 4. Ilirian Zhupa; 5. Parid Teferiçi; 6. Lindita Arapi; 7.Entela Tabaku; 8. Ervin Hatibi; 9. Rudian Zekthi; 10. Entela Kasi; 11. Visar Zhiti ;12. Bardhyl Londo;13. Rudolf Marku;14. Luljeta Lleshanaku; 15. Primo Shllaku; 16. Krenar Zejno; 17. Agron Tufa;18. Ledia Dushi; 19. Gëzim Hajdari ;20. Preç Zogaj;  21. Mimoza Ahmeti; 22. Skënder Rusi; 23. Skënder Buçpapaj; 24. Hamit Aliaj dhe. Petrit Ruka.

Postimi i Lisandër Kola

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?