Edhe pse më 11 maj do të zgjedhim deputetët e rinj të Kuvendit, ata nuk mund ta nisin detyrën përpara datës 9 shtator. Deri atëherë, deputetët aktualë do të marrin çdo vendim të nevojshëm.
Aktualisht Kuvendi i ka ndërprerë punimet dhe të gjithë janë në fushatë, por Parlamenti nuk është i shpërndarë. Eksperti kushtetues, Bledar Dervishaj, shpjegon se pse ndodh kështu.
“S’mund të kemi vakuum. Asnjë ditë”, thotë ai.
Kuvendi i vjetër do të rrijë në punë edhe 4 muaj pas zgjedhjeve, por kjo nuk është bërë pa qëllim sipas juristit Dervishaj.
“Zgjedhjet nuk mund të jenë në verë ndaj i afruam në 15 mars-15 maj. Po nga ana tjetër ka kohë në dispozicion për ankimimet e duhura”, thotë Bledar Dervishaj.
Megjithëse mund të rikthehet me punime edhe pas zgjedhjeve, Kuvendi aktual ka disa kufizime.
“60 ditë nga përfundimi i mandatit, pra, që nga 9 korriku, Kuvendi nuk mund të miratojë më ligje”, vijon ai.
Por kjo periudhë e gjatë tranzitore mes dy Kuvendeve, ekzistuesi dhe i zgjedhuri, mund të keqpërdoret nga deputetë të pakënaqur që mund të hakmerren me partitë e tyre.
“Mund të përdorin votën pa logjikë politike, të thërrasin mocione, etj”, përfundon eksperti i çështjeve kushtetuese, Bledar Dervishajn.
Komente
