Një dron rus që hyri në hapësirën ajrore rumune gjatë një sulmi në Ukrainën fqinje dhe qëndroi mbi territorin e shtetit të NATO-s për 50 minuta, përpara se të kthehej sërish drejt Ukrainës, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë më 14 shtator.
Dy avionë luftarakë rumunë F-16 e detektuan dronin Geran, ndoqën lëvizjet e tij mbi Rumani mbrëmjen e së shtunës përmes vëzhgimit dhe radarëve, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi.
Pilotët e F-16 morën autorizimin nga komandantët e tyre për të qëlluar dronin, por “ata vlerësuan rreziqet kolaterale dhe vendosën të mos hapin zjarr”, tha ministria.
Ky inkursion rriti tensionet rreth shkeljeve të hapësirës ajrore të NATO-s nga Rusia, pasi Polonia rrëzoi disa nga 19 dronët rusë që tha se kishin hyrë në territorin e saj më 10 shtator.
Kjo ishte hera e parë që NATO-ja hapi zjarr ndaj fluturakeve ruse që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, duke duke e përkeqësuar ndjeshëm situatën tashmë të tensionuar mes Moskës dhe aleancës ushtarake perëndimore.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se “dënon fuqishëm veprimet e papërgjegjshme të Federatës Ruse dhe thekson se ato përbëjnë një sfidë të re për sigurinë dhe stabilitetin rajonal në zonën e Detit të Zi”.
“Incidente të tilla tregojnë mungesën e respektit të Federatës Ruse për normat e së drejtës ndërkombëtare dhe vënë në rrezik jo vetëm sigurinë e qytetarëve rumunë, por edhe sigurinë kolektive të NATO-s”, u tha në reagim.
Shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e quajti inkursionin me dronë “edhe një shkelje tjetër të papranueshme” të sovranitetit të një vendi anëtar të BE-së, duke shtuar se “ky përshkallëzim i vazhdueshëm dhe i pamatur rrezikon sigurinë rajonale”.
Forcat gjermane, që gjenden në Rumani, dislokuan dy avionë luftarakë Eurofighter Typhoon për të monitoruar zonën për disa orë pas inkursionit, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.
Ministri i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu, i tha Radios Evropa e Lirë më 13 shtator se droni doli nga hapësira ajrore rumune dhe nuk u rrëzua në territorin e shtetit të tij.
Ministria e Mbrojtjes tha se droni hyri në hapësirën ajrore rumune pas sulmeve ajrore ruse mbi infrastrukturën ukrainase në lumin Danub, i cili është pjesë e kufirit mes dy shteteve në Detin e Zi. Ajo shtoi se droni nuk fluturoi mbi zona të banuara dhe nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm./REL
Komente
