Autoritetet zgjedhore në Rusi morën sot vendimin për t’ia ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të shtatorit kandidatit të Partisë Komuniste, Pavel Grudinin.
Ai është figura më e lartë opozitare që s’kualifikohet nga gara disa javë para zgjedhjeve, duke bërë kështu që partia e mbështetur nga Putin të shkojë e sigurte në zgjedhje.
Pavel Grudinin, në vitin 2018 ka kandiduar përballë Putin në zgjedhjet presidenciale dhe në atë kohë kishte siguruar 12 për qind të votave. Ai u përjashtua nga lista e kandidatëve për shkak se Zyra e Prokurorit zbuloi se ai ka aksione në një kompani të huaj, raportuan agjencitë e lajmeve.
Megjithatë, ai mohoi se ka ndonjë aset jashtë vendit dhe e lidhi vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor me potencialin që e kanë partitë opozitare për të arritur rezultat të fuqishëm në zgjedhjet e shtatorit, shkruan Reuters.
Një sondazh i kryer kohëve të fundit tregoi se Partia Komuniste dhe partitë tjera opozitare mund të përbëjnë rrezik serioz ndaj mbizotërimit të partisë së drejtuar nga Putin, Rusia e Bashkuar në Dumën Shtetërore, që është dhoma e ulët e Kuvendit të Rusisë.
Kryetari i Partisë Komuniste të Rusisë, Gennady Zyuganov, deklaroi se do të paraqesë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të autoriteteve që ia ndalon pjesëmarrjen në garë kandidatit të partisë së tij.