Roman Starovoit

Bota

Rusi, vdes ministri i Transportit që u shkarkua nga Putin! Mediat: Është vetëvrarë një ditë para pushimit nga detyra

7 Korrik, 15:47| Përditesimi: 8 Korrik, 07:17

  • Share

Ministri rus i Transportit, Roman Starovojt, është vetëvrarë. Sipas kanaleve Telegram pranë shërbimeve të sigurisë, ai ndodhej në një mbledhje kur mori lajmin se presidenti Vladimir Putin e kishte shkarkuar me dekret dhe se Prokuroria kishte nisur një hetim ndaj tij për korrupsion. Ish-ministri 53-vjeçar, pas këtij lajmi, i ka përshëndetur të pranishmit dhe është larguar me makinën e tij Tesla. Sipas “Forbes Russia”, ai dyshohet se e ka vrarë veten një ditë para shkarkimit.

Ndërkohë, kanalet më të ndjekura Telegram në Rusi – Baza, Mash dhe Shot – raportuan se një tjetër zyrtar i Ministrisë së Transportit, 42-vjeçari Aleksej Korneychuk, ka ndërruar jetë papritur gjatë një mbledhjeje, pas lajmit për shkarkimin e ministrit. Dyshohet se ka qenë infarkt.

E vetmja gjë e sigurt është se Starovojt u gjet i pajetë në makinën e tij, pranë një arme zjarri që kishte marrë si dekoratë zyrtare në vitin 2003.

“Në ditën e sotme, në distriktin urban të Odintsovos, trupi i ish-ministrit të Transportit u gjet në automjetin e tij personal me një plagë nga armë zjarri”, thuhet në raportin zyrtar.

Komiteti Hetimor Rus e ka klasifikuar ngjarjen si vetëvrasje – një rast i paprecedentë për një ministër që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, dhe i pari i lidhur me hetimet për keqpërdorimin e fondeve publike të ndara për “Operacionin Special Ushtarak” në Ukrainë.

Dekreti i presidentit Putin për largimin e tij nuk jepte arsye konkrete, por fati i Starovojt ishte vënë në dyshim që pas nisjes së një hetimi për korrupsion në rajonin e Kurskut – zonë kufitare me Ukrainën – të cilën ai e kishte drejtuar si guvernator për pesë vite para se të emërohej ministër në maj 2024.

Pasardhësi i tij si guvernator, Aleksej Smirnov, nuk e mbajti postin as për një vit. Në dhjetor ai u shkarkua dhe në prill u arrestua, nën akuzën se kishte përvetësuar të paktën 1 miliard rubla (rreth 11 milionë euro) nga 19.4 miliardë rubla të destinuara për ndërtimin e fortifikimeve mbrojtëse, si “dhëmbët e dragoit”, përgjatë kufirit me Ukrainën.

Tre muaj pas emërimit të Starovojt si ministër, trupat ukrainase kaluan kufirin dhe pushtuan mbi 1.000 kilometra katrorë të territorit rus. Këto territore u rimorën vetëm në majin e kaluar, me ndihmën e Koresë së Veriut.

Sipas disa burimeve, Smirnov ka dëshmuar se edhe Starovojt ka qenë i përfshirë në skemën e përvetësimit që kishte lënë rajonin të pambrojtur ndaj një ndër sulmet më të mëdha në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore.

Eksperti britanik për Rusinë, Mark Galeotti, ka shkruar në një nga mbi 30 analizat e tij:

“Problemi i vërtetë për Rusinë është përmasat industriale të korrupsionit në nivelet më të larta të shtetit, që i thith gjakun vendit dhe i tret palcën nga kockat.”

Sipas “Fondacionit Indem”, një nga të paktët think tank-e të pavarur që kanë mbetur në Rusi, korrupsioni konsumon deri në një të tretën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Në fillim të korrikut, u dënua me 13 vite burg edhe ish-zv.ministri i Mbrojtjes Timur Ivanov, i quajtur nga mediat ruse “gjenerali glamour”, për shkak të stilit të tij luksoz të jetës. Arrestimi i tij në prill 2024 hapi një “spastrimi” në Ministrinë e Mbrojtjes, që çoi në arrestimin apo gjykimin e të paktën 10 zyrtarëve dhe gjeneralëve, dhe përfundoi me largimin e Sergej Shoigu nga drejtimi i këtij dikasteri.

Vetëvrasja e Starovojt ndodh në një moment të vështirë për sektorin rus të transportit.

Industria ajrore është në krizë për shkak të mungesës së pjesëve të këmbimit, Hekurudhat Ruse – punëdhënësi më i madh në vend – përballet me rritje të fortë të kostove për shkak të normave të larta të interesit të vendosura për të frenuar inflacionin.

Ndërkohë, sulmet me dronë nga Ukraina detyrojnë shpesh aeroportet ruse të pezullojnë aktivitetin për arsye sigurie, duke shkaktuar kaos e vonesa.

Në vend të Starovojt, u emërua Andrej Nikitin, ish-guvernator i rajonit të Novgorodit, i cili në takimin e parë me Putinin premtoi se do të digjitalizojë sistemin e transportit rus për të përmirësuar rrjedhën e mallrave në të gjithë vendin./ La Repubblica

S.B/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?