Imazh satelitor nga Airbus Defense and Space që tregon objektin ushtarak të Rusisë në Khabarovsk

Rusia aprovon traktatin me Korenë e Veriut për ndihmë ushtarake

24 Tetor, 16:17| Përditesimi: 24 Tetor, 16:19

  • Share

Duma ruse, Dhoma e Ulët e Parlamentit, e ka miratuar një traktat për partneritet strategjik me Korenë e Veriut, e cila ua mundëson atyre ta mbështetin njëra-tjetrën me “ndihmë ushtarake dhe ndihma të tjera”.

Për traktatin, e aprovua më 24 tetor, u pajtuan në qershor në Phenian presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Ky traktat e rrit shkallën e bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve.

Ai përmban edhe një fjali e cila thekson se, nëse njëra palë sulmohet dhe e gjen veten në gjendje lufte, atëherë pala tjetër duhet patjetër “menjëherë t’i dalë në ndihmë ushtarakisht dhe në mënyra të tjera me të gjitha mjetet në dispozicion”.

Nuk është e qartë se si mund të interpretohet kjo klauzolë, por Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë rishtazi se kanë dëshmi së trupat koreanoveriorë ndodhen në Rusi dhe se duket se po kryejnë stërvitje.

Dërgimi i trupave e rrit mundësinë që ushtarët koreanoveriorë mund t’i bashkohen trupave ruse në luftën në Ukrainë, e cila është duke vazhduar nga viti 2022, kur Moska e nisi pushtimin e plotë të shtetit fqinj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 23 tetor se Koreja e Veriut mund të përballet me pasoja për ofrimit të ndihmës së drejtpërdrejt Rusisë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se Shtëpia e Bardhë beson se të paktën 3.00 ushtarë koreanoveriorë udhëtuan me anije për në Vladivostok të Rusisë në fillim të tetorit.

Zëdhënësi i NATO-s, Farah Dakhlallah, tha se aleatët janë duke e diskutuar këtë çështje, duke shtuar se, nëse është e vërtetë, “do të shënojë përshkallëzim të madh në mbështetjen e Koresë së Veriut për Rusinë në luftën e saj të jashtëligjshme, si dhe do të ishte shenjë tjetër për humbjet e mëdha të Rusisë në vijën e parë”.

Qendra për Komunikime Strategjike e Ukrainës më 18 tetor e postoi një video për të cilën tha se shfaqte trupat koreanoveriorë duke u përgatitur në terrenin stërvitor Sergievski të Rusisë, për t’u zhvendosur në Ukrainë.

Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet e Koresë së Jugut në të kaluarën se Pheniani e ka furnizuar Moskën me predha artilerie dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi.

Por, Kremlini nuk ka komentuar mbi pretendimet e fundit nga Seuli dhe Zelensky, i cili më 14 tetor tha se "tani nuk bëhet fjalë vetëm për transferimin e armëve. Në fakt, bëhet fjalë për transferimin e njerëzve nga Koreja e Veriut në forcat ushtarake okupuese"./ REL

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?