Foto ilustruese

Rusia arreston dy aleatë të udhëheqësit të burgosur të opozitës Alexey Navalny

28 Dhjetor 2021, 17:34| Përditesimi: 28 Dhjetor 2021, 17:36

  • Share

Rusia arrestoi dy aleatë të kundërshtarit të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, tha të martën një aktivist i njohur i opozitës, duke shtuar se ata mund të përballen me akuza për ekstremizëm për të cilat parashikohen dënime të gjata me burg.

Muajt e fundit, autoritetet ruse kanë goditur grupet e lidhura me 45 vjeçarin Navalny, i cili njihet si kritiku më i ashpër i Presidentit Vladimir Putin. Ai po vuan dy vjet e gjysmë burg për shkelje të masës së lirimit me kusht në lidhje me një rast mashtrimi, që ai thotë se ishte i motivuar politikisht.

Në qershor, një gjykatë ruse mori një vendim sipas së cilit fondacioni kundër korrupsionit i Navalny ishte organizatë 'ekstremiste'.

Më pas, pasi aleatët e tij krijuan një rrjet të ri organizatash që u mobilizua për zgjedhjet parlamentare të Rusisë në shtator, autoritetet filluan të hetojnë punonjësit e fushatës me të njëjtat akuza për ekstremizëm.

Të martën, hetuesit shtetërorë arrestuan ish-kryetarët e komisioneve zgjedhore rajonale në qytetet siberiane Tomsk dhe Irkutsk për t'i marrë në pyetje, shkruante në rrjetin social Telegram Leonid Volkov, një aleat i Navalny që jeton në mërgim.

Ai tha se ishte përpjekur të bindte të dy aktivistët, Kseniya Fadeyeva dhe Zakhar Sarapulov, të largoheshin nga Rusia, siç kanë bërë ai dhe një numër disidentësh të tjerë, por ata refuzuan.

Komiteti Hetimor, organi shtetëror i ngarkuar me hetimin e krimeve dhe ngritjen e akuzave, nuk mund të kontaktohej menjëherë për të komentuar mbi këtë rast.

Navalny shkoi në Gjermani vitin e kaluar për trajtim mjekësor pasi u helmua në Siberi. Ekspertët perëndimorë arritën në përfundimin se bëhej fjalë për agjentin nervor Novichok.

Qeveria ruse ka mohuar se qëndron pas helmimit dhe ka hedhur poshtë përfundimet e ekspertëve - të cilat sollën si rezultat një valë të re sanksionesh kundër Rusisë – si edhe ka akuzuar Perëndimin për fushatë shpifëse kundër saj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?