Ushtarët rusë

Bota

Rusia duhet të kishte mësuar nga Napoleoni

30 Prill 2022, 17:30| Përditesimi: 30 Prill 2022, 17:37

  • Share

Ushqimi, karburanti dhe kujdesi mjekësor, dhe jo plumbat apo bombat, mund të përcaktojnë se kush e fiton luftën në Ukrainë. Me vlerësimin e NATO-s se humbjet e rusëve në të vrarë dhe të plagosur mund të jenë deri në 40.000, komunikimet e përgjuara të trupave pushtuese zbulojnë se ato po vuajnë nga uria dhe i ftohti.

Nuk është çudi që analistët ushtarakë po flasin për moralin e ulët në mesin e forcave ruse. Rritja e numrit të viktimave dhe mungesa e furnizimeve, mund të sjellin një katastrofë ushtarake të rusëve kundër ushtrisë dhe popullit ukrainas më të vogël në numër, por shumë të vendosur për të mbrojtur vendin e tyre.

Situata aktuale paraqet një ironi të madhe historike. Vladimir Putin mbështetet shumë për këshilla ushtarake tek shefi i tij i Shtabit të Përgjithshëm Valeri Gerasimov. Gerasimov u bë i njohur për artikullin e tij të vitit 2013 në “Military-Industrial Kurier” dhe për fjalimin e tij të vitit 2017 në Akademinë e Shkencave Ushtarake.

Shumë analistë besonin se komentet e tij përbënin një doktrinë të re të luftës hibride. Në fakt ushtria ruse nuk e ka një doktrinë të tillë. Ajo e trajton luftën si konflikt të armatosur. Kjo qasje është në kontrast të dukshëm me atë të administratës presidenciale të Kremlinit, e cila përqafon qasje jo-kinetike, pra të luftës informative ndaj konflikteve.

Komentet e Gerasimov në vitin 2013, pasqyronin botëkuptimin e tij mbi karakterin bashkëkohor të luftës, pas analizës ruse të konflikteve të zhvilluara nga Perëndimi gjatë një periudhe 30-vjeçare. Fjalimi i tij i vitit 2017 në Akademinë e Shkencave Ushtarake, tregonte se si mund të përdoren veprimet kinetike për të arritur tek efekte jo-kinetike.

Toni i të dyve ishte mbrojtës. Thelbi është se ndërsa Gerasimov mund të ketë fituar një reputacionin e një strategu të madh, fokusi i tij ishte në mbrojtjen aktive, dhe jo në sulm. Kjo është e rëndësishme të nënvizohet, sepse kur Putin mblodhi një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh për të planifikuar se si ta detyronte Ukrainën të kapitullonte ndaj kërkesave të Rusisë, ai po i drejtohej një gjenerali, ekspertiza e të cilit nuk kishte rrënjë në konfliktin e armatosur sulmues.

Ne kemi argumentuar, dhe besojmë ende se grumbullimi i ushtrisë ruse përpara pushtimit që nisi më 24 shkurt, ishte një ushtrim në kuadër të luftës së informacionit. Larg skenarit që po shohim tani, Putini priste që qeveria e Ukrainës të pranonte kërkesën e tij dhe që qytetarët ukrainas të mirëprisnin rreshtimin me Rusinë dhe jo me Perëndimin.

Pikëpamja jonë është se emocionet e mposhtën gjykimin e shëndoshë të Putinit, dhe ai ndërmori pushtimin aktual, që po sjell efektet e kundërta politike, dhe ka prodhuar një situatë që mund të çojë në rrëzimin përfundimtar të Putinit nga pushteti.

Në takimin e tij të Sigurisë Kombëtare të datës 22 shkurt, Putinit sulmoi ashpër publikisht  shefin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Sergei Naryshkin, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë si Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

Mediat e lajmeve kanë raportuar se FSB-ja i ka informuar vazhdimisht ukrainasit mbi komplotet për të vrarë presidentin Volodimir Zelenski. Këto mund të paraqesin një kundërshtim më të thellë – ndoshta në rritje – kundër luftës dhe Putinit brenda shërbimeve të inteligjencës, dhe një rrezik real për vazhdimësinë e qëndrimit të tij në pushtet.

Të dhënat tregojnë se ky mentalitet ishte arsyeja kryesore e dështimit të bujshëm për të përcaktuar një strategji koherente ushtarake ose politike për Ukrainën, ose për të planifikuar ekzekutimin taktik të saj. Siç e konfirmojnë përgjimet radiofonike nga forcat ruse, rezultati është se automjeteve ushtarake kanë mbetur pa karburant.

Po ashtu, ushtria ruse ka pak ushqim dhe kujdes mjekësor, duke e detyruar Putinin që t’i lutet Kinës ta furnizojë me ushqime, për të ushqyer trupat e tij. Putin dhe Gerasimov do të kishin bërë mirë të studionin pushtimin fatkeq të Napoleon Bonapartit në Rusi në vitin 1812, përpara se të planifikonin aventurën e tyre të keqe në Ukrainë.

Duke e shpërfillur këshillën e Ministrit të tij të Jashtëm, Sharl–Moris dë Talejran, që ishte  kundër pushtimit të Rusisë, Napoleoni vazhdoi përpara me planin e tij. Siç e kanë vënë në dukje historianë si Frenk Meklin, mendimet e dëshiruara dhe vetë-mashtrimi e mposhtën racionalitetin.

Ai mori me vete furnizime për 400.000 burra për 50 ditë, edhe pse ushtria e tij pushtuese kishte 675.000 njerëz. Koordinimi ishte një rrëmujë e vërtetë. Rusët nuk u sollën ashtu siç priste Napoleoni, pjesërisht edhe për shkak se ai nuk arriti të çlironte bujkrobërit.

Askush nuk mendoi se si t’i dërgonte furnizimet në pjesën e përparme të frontit, dhe një e treta e furnizimeve ushqimore u konsumuan gjatë transportit. Sëmundjet vranë shumë lopë dhe kuaj, por dhe trupat franceze. Hollivudi e përshkruan tërheqjen nga Moska si çekiçin që e dërrmoi pushtimin. Megjithatë, fushata e Napoleoni ishte e humbur që para se të fillonte. Tërheqja ishte akti fatal përfundimtar.

Planifikimi ushtarak i gabuar i Gerasimov i bën jehonë fatit të Napoleonit. Dështimi i tij i ofron Ukrainës mundësinë që t’i japi rusëve një goditje të fortë, dhe me shumë gjasa që t`i imponojnë një fund të pranueshëm të armiqësive.

Shtetet e Bashkuara duhet të inkurajojnë ukrainasit që të përdorin çdo mjet për të dobësuar  më tej moralin e trupave ruse duke dërguar mesazhe se Putini po bën luftë për egon e tij personale, dhe jo për interesat e Rusisë. Po ashtu, SHBA-ja duhet gjithashtu të sigurojnë që ukrainasit të kenë çdo mjet komunikimi të nevojshëm për ta përhapur atë mesazh.

Karl Von Klauzeviç shkroi dikur se fati i luftës vendoset nga një kombinim i vullnetit moral, pra i të pasurit vullnet ose pasion për të luftuar, dhe i një kauze ose qëllimi për të cilin ia vlen të vdesësh. Ukraina i ka të gjitha këto. Pushtuesit nuk zotërojnë asnjërën prej tyre. Lufta e fortë e informacionit mund ta shfrytëzojë këtë dobësi, dhe ndoshta të ndihmojë në arritjen e një rezultati pozitiv për Ukrainën ndaj një konflikti të armatosur të karakterizuar nga krimet ruse të luftës dhe vrasjet e të pafajshmëve.

Thënë këtë, ne theksojmë se zgjidhja e këtij konflikti qëndron në fund tek diplomacia. Shtetet e Bashkuara duhet të shmangin një përshkallëzim të situatës, dhe nuk mund t’i nënshtrohen shantazhit bërthamor të Moskës.

T’i tregosh Putinit se nuk mund të dominojë në këtë luftë, do ta ndihmojë atë të angazhohet në diplomaci serioze, e cila në mënyrë të pashmangshme do të prodhojë lëshime nga të dyja palët, që të ruajnë sovranitetin e Ukrainës dhe t`i japin fund luftës. / "National Interest" / Marrë nga Bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?