Bota

Rusia shënjestron gjatë natës Kievin, 19 të vrarë, mes tyre 4 fëmijë! Dëmtohet zyra e BE-së, Zelensky: Koha për sanksione të reja (VIDEO)

28 Gusht, 07:32| Përditesimi: 28 Gusht, 18:34

  • Share

Në mes të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje paqeje, Rusia ka intensifikuar sulmet në Ukrainë. Gjatë natës, Moska shënjestroi me 629 dronë dhe raketa në Kiev, duke rikthyer sulmet që i kishte ndalur në kryeqytetin ukrainas pak ditë para samitit të Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.

19 persona raportohet se janë vrarë, mes të cilëve 4 fëmijë, ndërsa 45 të tjerë janë plagosur. Ndërtesa banimi u dëmtuan ndërsa sulmet prekën 20 zona të kryeqytetit. Një ndërtesë u shemb në rrethin Darnytski dhe një zjarr shpërtheu në një godinë banimi në rrethin fqinj Dnipro. Edhe një kopsht fëmijësh u përfshi nga flakët. E dëmtuar nga sulmet ruse mbeti edhe zyra e delegacionit të BE.

Rreth orës 23:00 të mbrëmjes, dronë të shumtë Shahed-Geranë të telekomanduar kaluan kufirin dhe më pas u grupuan në dy grupe, duke u drejtuar drejt Kievit nga veriu dhe jugu. Pas mesnatës, u nis vala e dytë. 

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet i treguan botës përgjigjen diplomatike të Rusisë mes përpjekjeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t'i dhënë fund luftës.

"Rusia zgjedh balistikën mbi tryezën e negociatave", tha Zelensky në X, duke bërë thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë. 

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos, teksa publikoi dëmet e shkaktuara në në godiën e delegacionit, tha se sulmet janë një shenjë e qartë që Rusia refuzon paqen. 

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në platformën X  ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ku ndër të tjera thekson se presidenti rus, Vladimir Putin duhet të ulet në tryezën e negociatave.

Ofensiva e natës duket të jetë një përgjigje ndaj fushatës ukrainase kundër rafinerive ruse, e cila ka dëmtuar dhjetë fabrikat më të rëndësishme të vendit: prodhimi i benzinës dhe naftës është ulur me 17 përqind, duke shkaktuar rritje çmimesh dhe vështirësi në furnizimin e stacioneve të karburantit.

Lajm ne perditesim...

Ora 18:33
Rutte: Sulmet në Kiev dëshmojnë se nuk mund të jemi naivë me Rusinë

1755107958_markrutte.webp

Foto: Mark Rutte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte pas sulmeve ruse në Kiev tha përmes një postimi në rrjetet sociale këto bombardimë tregojnë se nuk mund të jemi naiv me Moskën.

“Sulmet e tmerrshme të natës së kaluar në Kiev, të cilat vranë kaq shumë civilë të pafajshëm, tregojnë edhe një herë se nuk mund të jemi naivë në lidhje me Rusinë. Ne duhet të sigurohemi që Ukraina të ketë atë që i nevojitet për të mbrojtur veten dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme”, shkroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në X.

Ora 17:39
Kellogg: Sulmet ruse kërcënojnë planet e paqes të Trump

Foto: Donald Trump dhe Keith Kellogg

I dërguari special i Donald Trump për Ukrainën dënoi ashpër sulmet ruse ndaj Kievit, të cilat vranë 19 persona.

Keith Kellogg theksoi se ato minojnë propozimet e presidentit amerikan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

"Këto sulme kërcënojnë paqen që presidenti po ndjek", tha Keith Kellogg në X, duke vënë në dukje se ato shënjestruan "civilë të pafajshëm" dhe misionet e BE-së dhe Britanisë në kryeqytetin ukrainas.

Ora 17:22
Zelensky bisedë telefonike me Erdogan: Rusisë duhet t’i ushtrohet më shumë presion përmes sanksioneve, tarifave dhe masave politike

Foto: Volodymyr Zelensky dhe Recep Tayyip Erdoğan

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksy njoftoi sot se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

"Fola me Presidentin turk Erdogan dhe shkëmbyem pikëpamje mbi situatën aktuale dhe diskutuam hapat e ardhshëm diplomatikë. Ukraina është gati të angazhohet në formatin e udhëheqësve, pasi ky është i vetmi format efektiv. Fatkeqësisht, Rusia po e shmang atë dhe po vazhdon luftën e saj", shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X, duke komentuar sulmet e fundit të Moskës ndaj Ukrainës me më shumë se 30 raketa dhe rreyh 600 dronë.

Lideri ukrainas thekson se Rusisë duhet t’i ushtrohet më shumë presion përmes sanksioneve, tarifave dhe masave politike.

"Kjo është përgjigjja e Putinit ndaj të gjitha përpjekjeve të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë evropianë për të ndaluar vrasjet. Kjo është arsyeja pse nevojitet presion, përmes sanksioneve, tarifave dhe masave politike. Ne po mbështetemi në masa të forta", shkroi Zelensky.

"Ne gjithashtu diskutuam gjerësisht garancitë e sigurisë. Këshilltarët e sigurisë kombëtare tani po punojnë për secilin komponent specifik dhe i gjithë kuadri do të hidhet në letër javën e ardhshme. Presidenti Erdogan më informoi se po përfshin ministrin e tij të mbrojtjes në proces për të vlerësuar se si Turqia mund të kontribuojë në sigurimin e sigurisë, veçanërisht në Detin e Zi", shtoi ai.

Ora 16:11
Sulmi masiv në Kiev, Von der Leyen: Putin duhet të ulet në tryezën e negociatave

1755098409_ursulavonderleyen.jpg

Foto: Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përmes një postimi në platformën X  ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas sulmit të fundit masiv në Kiev, i cili ka prekur edhe zyrat e Delegacionit të BE-së në kryeqytetin ukrainas.

"Sapo fola me Presidentin Volodymyr Zelensky, pastaj me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, pas sulmit masiv ndaj Kievit që goditi edhe zyrat tona në BE. Putini duhet të ulet në tryezën e negociatave. Ne duhet të sigurojmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën me garanci të forta dhe të besueshme sigurie që do ta transformojnë vendin në një forcë mbrojtëse të paprekshme. Evropa do të luajë rolin e saj të plotë", shkroi Ursula von der Leyen ndërsa veçoi edhe rëndësinë e instrumentit mbrojtës europian SAFE, i cili do të shërbejë për forcimin e ushtrisë ukrainase.

Ora 14:07
Dëmtohet nga sulmet ndërtesa e Këshillit Britanik në Kiev, thirret ambasadori rus! Starmer: Putin po saboton shpresat për paqe

1755328409_kryeministribritanikstarmer.jpg

Ambasadori rus, Andrey Kelin në Mbretërinë e Bashkuar do të thirret nga Ministria e Jashtme, sipas Sky News. Kjo pasi edhe ndërtesa e Këshillit Britanik në Kiev pësoi dëme të mëdha në sulmet ruse gjatë natës.

Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se Putin po saboton shpresat për paqe.

“Mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë prekur nga sulmet e pakuptimta ruse në Kiev, të cilat kanë dëmtuar ndërtesën e Këshillit Britanik. Putini po vret fëmijë dhe civilë dhe po saboton shpresat për paqe. Kjo gjakderdhje duhet të marrë fund.", u shpreh Starmer.

Ora 13:30
Sulmi masiv në Kiev, Kremlini: S'ka marrëveshje për armëpushim ajror! Të interesuar për negociatat, por s'do të ndalemi 

1756291581_peskov.webp

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar se Rusia po vazhdon operacionin ushtarak në Ukrainë, por mbetet e interesuar për negociatat e paqes. 

"Rusia mbetet e interesuar në vazhdimin e procesit të negociatave për të arritur objektivat me të cilat përballemi përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, tha zëdhënësi i Kremlinit.

Duke iu përgjjigjur gazetarëve për sulmin në Kiev, ai tha se nuk ka asnjë marrëveshje për armëpushim ajror. 

"Nuk është arritur asnjë marrëveshje për këtë çështje. Çdo gjë që mund të diskutohet në kërkim të një rruge përpara në rrugën drejt zgjidhjes duhet të diskutohet diskret", shtoi Peskov. 

Ora 12:47
Sulmi ndaj zyrës së delegacionit të BE në Kiev, Kallas thërret të dërguarin rus në Bruksel

1756378134_kajakallas.jpg

BE ka thirrur të dërguarin rus në Bruksel për sulmin në Kiev, ku u prek edhe ndërtesa e delegacionit të unionit evropian. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas tha se asnjë mision diplomatik nuk duhet të jetë në shënjestër. 

“Sapo fola me kolegët e mi në Delegacionin e BE-së në Kiev, pasi ndërtesa jonë u dëmtua nga një sulm rus. Vendosmëria juaj për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës na jep forcë. Asnjë mision diplomatik nuk duhet të jetë kurrë shënjestër. Në përgjigje, ne do të thërrasim të dërguarin rus në Bruksel”, shkroi ajo.
 

Ora 09:37
Kuleba për Spiegel: Të gjithë sillen sikur paqja është afër, por lufta do vazhdojë! Putini nuk do takim me Zelenskyn

1725434111_kuleba.JPG

"Të gjithë po sillen sikur paqja është afër. Por të gjithë e pranojnë se nuk është kështu. Lufta do të vazhdojë." Kështu deklaroi ish-ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një intervistë me Spiegel. 

Sipas tij, Putin po shmang me çdo kusht takimin me Zelenksyn.

"Ai thotë se është gati ta bëjë këtë, por u jep udhëzime të gjithë diplomatëve të tij të bëjnë gjithçka për ta shmangur atë. Putini e di se nëse merr pjesë në një takim, duhet të bjerë dakord për një marrëveshje, ose të paktën për skicat e një marrëveshjeje. Dhe motivimi i tij nuk ka ndryshuar për momentin. Ai beson se mund të fitojë dhe se Perëndimi tashmë po lëkundet.", shtoi më tej ish-ministri ukrainas. 

Kuleba tha se pret që presioni i SHBA-së mbi Kievin dhe evropianët të rritet në javët e ardhshme.

"Së pari, ata do t'i portretizojnë rusët si konstruktivë dhe të gatshëm për kompromis, në mënyrë që të marrin lëshime nga ukrainasit dhe pjesa tjetër e Evropës. Dhe pastaj amerikanët do të ushtrojnë presion mbi Ukrainën dhe pjesën tjetër të Evropës dhe do të thonë: pa ne, nuk i keni letrat në dorë. Duhet t'i pranoni propozimet, përndryshe ne do të tërhiqemi. Nëse Evropa mbetet e bashkuar nga brenda dhe qëndron pranë Ukrainës, as Putini dhe as Trumpi nuk do të jenë në gjendje t'i ndajnë. Si Uashingtoni ashtu edhe Moska e kuptojnë këtë, edhe nëse nuk e thonë me zë të lartë.", shtoi ai. 

Ora 09:35
Sulmet ruse goditën zyrën e BE-së në Kiev, Costa: Nuk frikësohemi! Kallas: Moska po tallet me përpjekjet e paqes

1756366612_kallascosta.jpg

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte i tmerruar nga sulmet vdekjeprurëse ruse në Kiev, të cilat goditën gjithashtu edhe zyrën e delegacionit të BE-së. Në një reagim në rrjete sociale, Costa shkroi se BE nuk do të frikësohet, duke ritheksuar vendosshmërinë në mbështetje të Ukrainës. 

"Mendimet e mia janë me viktimat ukrainase dhe gjithashtu me stafin e delegacionit të BE-së në Ukrainë, ndërtesa e të cilit u dëmtua nga ky sulm i qëllimshëm rus. BE-ja nuk do të frikësohet. Agresioni i Rusisë vetëm sa forcon vendosmërinë tonë për të qëndruar pranë Ukrainës dhe popullit të saj", tha ai. 

Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas tha se Rusia po tall përpjekjet për paqe. 

“Ndërsa bota kërkon një rrugë drejt paqes, Rusia përgjigjet me raketa. Sulmi i natës në Kiev tregon një zgjedhje të qëllimshme për të përshkallëzuar dhe për të tallur përpjekjet për paqe. Rusia duhet të ndalojë vrasjet dhe të negociojë”, shkroi në rrjetet sociale Kallas.

Ora 08:58
Zyra e delegacionit të BE dëmtohet nga sulmet ruse, Kos: Shenjë e qartë që tregon se Moska refuzon paqen

1756364491_zyraedelegacionittebe.png

Nga sulmet ruse në Kiev, ka pësuar dëmtime edhe zyra e delegacionit të BE-së. Në një reagim në rrjete sociale, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos tha se sulmet janë një shenjë e qartë që Rusia refuzon paqen.

"Delegacioni i BE-së në Kiev është dëmtuar nga sulmet e sotme ruse në zonat civile. I dënoj fuqimisht këto sulme brutale, një shenjë e qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin. Solidariteti ynë i plotë shkon për stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po vuajnë nga ky agresion.", ka shkruar Kos krahas fotove të ndërtesës së dëmtuar. 

 

Ora 08:16
Sulmi masiv në Kiev, Zelensky: Moska po zgjedh raketat mbi tryezën e negociatave, ata që kanë bërë thirrje për paqe të reagojnë

1755515883_zelensky.JPG

Presidenti i Ukrainas, Volodymyr Zelensky ka reaguar për sulmin masiv gjatë natës në Kiev, ku deri më tani raportohet se janë vrarë 8 persona, mes të cilëve edhe fëmijë. Ai thotë se pret një reagim nga ata që bëjnë thirrje për paqe, duke theksuar se në fakt është Rusia ajo që s’e do fundin e luftës.

"Ne presim një reagim nga Kina ndaj asaj që po ndodh. Kina ka bërë thirrje të përsëritura për të mos zgjatur luftën dhe për një armëpushim. Ne presim një reagim nga Hungaria. Vdekjet e fëmijëve sigurisht që duhet të ngjallin emocione shumë më të forta se çdo gjë tjetër. Ne presim një përgjigje nga të gjithë ata në mbarë botën që kanë bërë thirrje për paqe, por tani më shpesh heshtin sesa marrin qëndrime parimore.", shkroi Zelensky.

Zelensky shtoi gjithashtu se pret sanksione të reja kundër Rusisë:

"Ka ardhur padyshim koha për sanksione të reja, të ashpra kundër Rusisë për gjithçka që po bën. Të gjitha afatet janë shkelur tashmë, dhjetëra mundësi diplomatike janë shkatërruar. Rusia duhet të ndihet përgjegjëse për çdo sulm, për çdo ditë të kësaj lufte.", shtoi ai.

Sipas tij, sulmi masiv rus ndaj Kievit tregon mungesën e interesit të Moskës për diplomacinë e vërtetë, duke theksuar se "Rusia po zgjedh raketat balistike mbi tryezën e negociatave".

“Moska po zgjedh të vazhdojë të vrasë në vend që t'i japë fund luftës", tha presidenti ukrainas. 

Xh.D/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 28/08/2025 17:13

    Keta perendimoret menduan se Rusia esht haq e dobet sa Iraku dhe Libia po te ishte ashtu sot nuk dote ekzistonte ,edhe te ishte e njejta Rusi si ne kohen e Jelsinit keta dota shkatronin por me Putinin nuk ju mban Putini qe ne fillim filloj me modernizimin e armeve zhvillimin e armeve modrne qe perendimi nuk i ka,por per kete ngjarje e ka fajin Ukraina siku ketyre dy raloneve tju kishte njohur autonomi sot nuk dote kishte lufte ,pyetja tek Krimea eshte tjeter historikisht ju takon Tartareve por Rusia e mori ne kohen e luftes se dyte boterore Rusia humbasi 185000 ushtare per clirimin e Krimees erdhi Hrushovi nji Ukrainas ja ngjiti Krimeen Ukraines ne vitin 1954 por Ukraina nuk tregoj sjellje fisnike por nuk i takon Ukraines ,te flasim te drejten Putini nuk e ka qellimin ta shkateroj Ukrainen por u detyrua ta mbroj popullin Rusish foles si eshte detyra e Shqiperise ti mbroj Shqipetaret ne Kosove,Maqedoni,ose ne Malin e Zi ose Cameri por Shqiperia nuk don ose nuk guxon eshte nji pune Frike.

    Përgjigju
  • ALB Patriot: 28/08/2025 13:30

    Eshte SHUME e QARTE se Rusia kerkon TE ANEKSOJE LOMPLET UKRAHINEN! Putin kerkon te risjelle lavdine e dikurshme te ish-Bashkimit Sovjetik.

    Përgjigju
  • Luli: 28/08/2025 09:28

    Paqen nuk e do ai kokainomani sepse ai e futi Ukrainen ne jete kaos per interesat e Amerikes dhe tani do me cdo kusht qe kjo luffte te zgjatet sepse ne rast te kundert nese ka paqe behen zgjedhjet e reja dhe cifuti fluturon nga kolltuku

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?