Donald Trump ka deklaruar se ka urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore në rajone pranë Rusisë, si përgjigje ndaj kërcënimeve të ish-presidentit rus Dmitry Medvedev, i cili të enjten tha se Trump duhet të kujtojë se Moska ka ende kapacitete bërthamore të epokës sovjetike.
Në një postim në Truth Social, Trump shkruan:
“Bazuar në deklaratat jashtëzakonisht provokuese të ish-Presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është Zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e përshtatshme, për çdo rast që këto deklarata të pamenduara dhe nxitëse të mos jenë vetëm kaq. Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të paqëllimshme. Shpresoj që ky të mos jetë një nga ato raste. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”
Të paktën 31 persona u vranë dhe 159 të tjerë u plagosën në një nga sulmet ruse, gjatë natës në Kiev. Një breshëri raketash dhe dronësh goditën kryeqytetin ukrainas, duke vrarë tre fëmijë dhe duke plagosur 12 të tjerë, sipas Tymur Tkachenko, kreut të administratës ushtarake të qytetit.
"Për fat të keq, skenarët më të këqij në lidhje me numrin e njerëzve të bllokuar nën rrënoja janë konfirmuar", shtoi Tkachenko, duke iu referuar operacioneve të shpëtimit që janë në vazhdim.
Midis viktimave ishte Togerja e Policisë Liliia Stepanchuk, një oficere patrullimi që kishte shërbyer në policinë e Kievit që nga viti 2017. Trupi i saj u nxorr nga rrënojat në lagjen Sviatoshynsky gjatë operacioneve të shpëtimit, tha Ministria e Brendshme.
Tre oficerë policie ishin gjithashtu midis të plagosurve. Tridhjetë persona, përfshirë pesë fëmijë, u shtruan në spital, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko, teksa theksoi se numri i fëmijëve të plagosur është më i larti i regjistruar në qytet që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë.
Pas sulmit 1 gushti, u shpall ditë zie në Kiev. Flamujt do të ulen në gjysmë shtizë në të gjitha ndërtesat komunale. Të gjitha ngjarjet e plamifikuara në qytet do të pezullohen.
Donald Trump e ka cilësuar si “absurde” luftën në Ukrainë, e cila sipas tij “ka kushtuar tashmë shumë viktima të panevojshme”.
Në një postim në Truth Social, Presidenti amerikan ka thënë se “sapo është informuar se gati 20.000 ushtarë rusë kanë humbur jetën këtë muaj”. Ai shtoi se “Rusia ka humbur 112.500 ushtarë që nga fillimi i vitit. Janë shumë viktima të panevojshme!”
Trump theksoi se edhe Ukraina “ka pësuar shumë”, duke humbur rreth 8.000 ushtarë që nga 1 janari 2025, pa përfshirë të zhdukurit.
“Ukraina ka humbur gjithashtu civilë, por në numër më të vogël, për shkak të raketave ruse që kanë goditur Kievin dhe zona të tjera ukrainase. Kjo është një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë: kjo është lufta e Biden, jo e TRUMP. Unë jam këtu vetëm për të parë nëse mund ta ndaloj!” – shkroi Trump.
Komente
