Vladimir Putin dhe Donald Trump

Bota

Rusia: Kemi filluar përgatitjet për një takim mes Trump dhe Putin

22 Shkurt, 17:48| Përditesimi: 22 Shkurt, 17:54

  • Share

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov njoftoi sot se kanë filluar përgatitjet për një takim mes Donald Trump dhe  Vladimir Putin.

Duke folur për mediat shtetërore ruse, Sergei Ryabkov tha se një takim mes dy lidërve mund të përfshijë bisedime të gjera mbi çështjet globale, jo vetëm luftën në Ukrainë.

“Çështja ka të bëjë me fillimin e ecjes drejt normalizimit të marrëdhënieve midis vendeve tona, gjetjes së mënyrave për të zgjidhur situatat më akute dhe potencialisht shumë, shumë të rrezikshme, prej të cilave ka shumë, mes tyre edhe Ukraina,” tha ai.

 Ryabkov nga ana tjetër nënvizoi se përpjekjet për të organizuar një takim të tillë janë në një fazë të hershme dhe se realizimi i tij do të kërkojë "punën përgatitore më intensive".

Ryabkov shtoi se të dërguarit e SHBA-së dhe Rusisë mund të takohen brenda dy javëve të ardhshme për të hapur rrugën për bisedime të mëtejshme midis zyrtarëve të lartë.

Përfaqësuesit rusë dhe amerikanë ranë dakord të martën të fillojnë punën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të përmirësuar lidhjet e tyre diplomatike dhe ekonomike, sipas diplomatëve të lartë të dy vendeve, në një takim të nivelit të lartë në Arabinë Saudite që shënoi një ndryshim drastik në politikën e jashtme amerikane nën udhëheqjen e Presidentit Trump.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë sugjeruar se Ukrainës do t'i duhet të heqë dorë nga synimet e saj për t'u anëtarësuar në NATO-n dhe për të mbajtur 20% të territorit të saj të pushtuar nga Rusia.

Pas takimit, Sekretari i Shtetit i SHBA Marco Rubio tha se të dyja palët ranë dakord gjerësisht për të ndjekur tre objektiva: rivendosjen e personelit në ambasadat e tyre përkatëse në Uashington dhe Moskë; krijimin e një ekipi të nivelit të lartë për të mbështetur bisedimet e paqes në Ukrainë; dhe eksplorimin e marrëdhënieve më të ngushta si edhe bashkëpunimin ekonomik.

Megjithatë ai theksoi se bisedimet, ku morën pjesë homologu i tij rus, Sergej Lavrov, dhe zyrtarë të tjerë të lartë rus dhe amerikanë, shënuan fillimin e një bisede dhe duhet bërë më shumë punë. Lavrov, nga ana e tij, e përshëndeti takimin si "shumë të dobishëm".

Asnjë zyrtar ukrainas nuk ishte i pranishëm në takimin, i cili vjen ndërsa Ukraina po humb ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme terren përballë trupave ruse që janë më të shumta në numër, tre vjet pasi Moska filloi agresionin frontal ndaj fqinjit të saj më të vogël.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij nuk do të pranonte asnjë rezultat nga bisedimet pasi Kievi nuk mori pjesë. Madje për këtë situatë ai shtyu edhe udhëtimin e tij në Arabinë Saudite të planifikuar për të mërkurën e kaluar.

Aleatët evropianë gjithashtu kanë shprehur shqetësime se po anashkalohen./AP

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?