Bashkimi evropian krijon fondin për rindërtimin e Ukrainës. Në Romë u mblodhën liderët e BE dhe G7, ku I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Së bashku me investitorë nga e gjithë bota, ata do të diskutojnë investime të mundshme për rindërtimin e vendit që prej më shumë se 3 vitesh ndodhet në luftë. Presidentja e KE, Von Der Leyen, tha se synohen 10 miliardë euro, ndërsa preisdenti Zelensky tha se vendit të tij I duhet një plan marshall.
Presidenti Zelensky foli për shkallën e ndërhyrjeve të nevojshme në vendin e tij.
"Çdo gjë që shkatërroi Rusia mund të rindërtohet. Ky koalicion ka nevojë që vendet, udhëheqësit dhe bizneset të bashkohen për të rindërtuar shoqërinë tonë. Ajo që na duhet është një plan i qartë rimëkëmbjeje dhe qëndrueshmërie. Pak a shumë si Plani Marshall", tha Presidenti ukrainas.
Kryeministrja italiane, vendi i së cilës organizon këtë konferencë të rëndësishme tha se investitorët e huaj nuk duhet të tremben të investojnë në Ukrainë në të ardhmen.
"Dijeni se ne do të jemi në krahun tuaj, së bashku me institucionet financiare, për t'ju vendosur në kushtet më të mira për të vepruar, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe për të eksploruar mundësi të reja në fusha strategjike, nga agroindustria te mekanika e përparuar, industria kimike dhe transporti", u shpreh Meloni gjatë fjalës së saj në nisje të konferëncës në Romë.
Presidentja e KE njoftoi se ndihma ndaj Ukrainës për rindërtimin tashmë do të institucionalizohet. Ajo njoftoi krijimin e “Fondit evropian të Aksioneve të BE-së për Rindërtimin e Ukrainës”.
"Jam veçanërisht e kënaqur që po e ndërtojmë këtë së bashku me Italinë, Gjermaninë, Francën, Poloninë dhe Bankën Evropiane të Investimeve. Me marrëveshje të nënshkruara me vlerë 2.3 miliardë euro, pritet të zhbllokohen deri në 10 miliardë euro investime dhe krijohet një Fond i ri Evropian për rindërtimin e Ukrainës, për të rindërtuar bizneset dhe shtëpitë", shpjegon Von Der Leyen për fondin e ri.
Në konferencën për rimëkëmbjen e Ukrainës ishte i pranishëm edhe kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama. Ai ishte pjesë e liderëve të ftuar në konferencën e rëndësishme ku të pranishëm ishin gjithashtu delegacione të vendeve të G7 dhe investitorë të nivelit botëror. Vendi ynë është rreshtuar së bashku me BE në mbështetje të Ukrainës. Sa u takon donacioneve, një i tillë u njoftua në vitin 2022, nga kreu i qeverisë Edi Rama, gjatë Samitit për Ukrainën të zhvilluar në Varshavë, ku qeveria shqiptare dha kontribut me 1 milion euro për rindërtimin e vendit në luftë.
Sekretari amerikan I shtetit Marco Rubio dhe Ministri I Jashtëm rus Sergei Lavrov u takuan këtë të enjte në Malajzi. Të dy ministrat e jashtëm folën për 50 minuta në Kuala Lumpur. Rubio njofton se Rusia ka paraqitur një ide të re për zhvillimin e bisedimeve ndërsa thotë se zhvilloi me homologun e tij një bisedë "të sinqertë". Takimi vjen gati 2 ditë pasi Donald Trump tha nga një mbledhje kabineti se Vladimir Putin flet budallallëqe.
Ndërkohë, Rubio, ka shprehur në këtë takim zhgënjimin amerikan për mungesën e fleksibilitetit të Moskës për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Takimi i dytë ballë për ballë i të dërguarve ndodhi mes sulmeve të intensifikuara ruse në Ukrainë. Edhe publikisht Trump është bërë gjithnjë e më i frustruar me Presidentin rus Vladimir Putin, për të cilin është parë ditët e fundit të ashpërsojë gjuhën. Pa publikuar detaje konkrete, Sekretari amerikan i shtetit njoftoi se ai dhe Lavrov ndanë disa ide, që përfshijnë "një qasje të re ose ndryshe" nga pala ruse, të cilat ai do t'ia përcjellë Trump pas kthimit të tij, në SHBA
"Ne duhet të shohim një plan veprimi për të ecur përpara se si mund të përfundojë ky konflikt", tha Rubio për mediat.
Komente
