Foto nga lufta në Ukrainë

Bota

Rusia nis sulmin më të madh me dronë luftarak, një ditë para telefonatës Putin-Trump

18 Maj, 20:24| Përditesimi: 18 Maj, 20:27

  • Share

Të dielën, Rusia ndërmori sulmin më të madh me dronë ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke shkatërruar banesa dhe duke vrarë të paktën një grua, një ditë para se Presidenti i SHBA Donald Trump të zhvillojë një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin për një armëpushim të propozuar.

Shërbimi i inteligjencës së Ukrainës tha se besonte gjithashtu se Moska kishte në plan të lëshonte një raketë ndërkontinentale balistike më vonë gjatë së dielës, si një përpjekje për të trembur Perëndimin. Moska nuk dha menjëherë një përgjigje ndaj kësaj akuze.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin pas një vizite të dështuar në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, u takua të dielën në Romë me nënpresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio, në kuadër të inaugurimit të Papa Leos.

Zelensky e përshkroi takimin si “të mirë” dhe publikoi foto ku zyrtarët ukrainas dhe amerikanë shihen të ulur në një tryezë të rrumbullakët jashtë, duke buzëqeshur. Mediat ukrainase raportuan se takimi zgjati 40 minuta.

“Rikonfirmova që Ukraina është e gatshme të angazhohet në diplomaci të vërtetë dhe theksova rëndësinë e një armëpushimi të plotë dhe pa kushte sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Zelensky.

Zelensky u takua gjithashtu me Papa Leoni i 14 pas Meshës inauguruese të papës në Vatikan.

Ukraina dhe Rusia zhvilluan bisedimet e para ballë për ballë pas më shumë se tre vitesh të premten, nën presionin e Trump për të rënë dakord për një armëpushim në një luftë që ai ka premtuar ta përfundojë shpejt. Të dyja palët ranë dakord të shkëmbejnë nga 1000 të burgosur secila, por nuk arritën të bien dakord për një armëpushim, pasi Moska paraqiti kushte që një anëtar i delegacionit ukrainas i quajti "të papranueshme".

Liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë kishin planifikuar të flisnin me Trump përpara se presidentët e SHBA dhe Rusisë të bisedojnë të hënën, tha kancelari gjerman Friedrich Merz të dielën.

Katër liderët evropianë vizituan së bashku Kievin javën e kaluar, ku kërkuan sanksione të reja ndaj Rusisë nëse Moska nuk pranon një armëpushim. Zelensky ka deklaruar se ata iu bashkuan në një telefonatë me Trump të premten pas bisedimeve Rusi-Ukrainë./Reuters

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?