Vizita e tij në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Kosovë prej dy ditësh, ka ngritur shumë hipoteza gjeopolitike në rajon.
Shefi i CIA-s, William Burns, nuk është vetëm një kryespiun i SHBA-ve me cilësi të mira dhe karrierë të pasur, por edhe një ‘mjeshtër’ i diplomacisë dhe politikës.
Aq sa më 17 Prill të këtij viti, revista prestigjioze “Time” e shpallte si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë, duke renditur pikat kulminante të karrierës, nga koha e Xhorxh Bush si ambasador në Iran dhe Rusi, tek ajo e Barack Obama si nënsekretar nën Hillary Klinton dhe së fundmi prej 2021, si numri një i shërbimit sekret amerkikan nën presidencën e Joe Biden.
Fakti që ai shkoi në Kosovë, sipas ekspertëve të ndryshëm të gjeopolitikës, lidhet edhe me rrezikun e mundshëm të rindezjes së tensioneve në rajon. Rusia po nxit tensionet prej kohësh, sidomos me Republika Srpska, teksa zbarkimi i tij i parë ishte pikërisht në Sarajevë, ku duhet se u tërhoqi vëmendjen edhe autoriteteve dhe faktorëve të ekstremit serb, si Dodik, që i bien “tabureve” të ndarjes nga Bosnjë Hercegovina.
Futja e CIA-s dhe Burns në lojë, diçka në Ballkan po luhet!
Futja e CIA-s duket se tregon se diçka po luhet në Ballkan dhe Burns po përpiqet të marrë masa për ta ndaluar. Ai ka shkuar edhe në Beograd, por tematika e bisedimeve atje nuk u bë publike dhe as takimet që pati.
Burns gjatë vizitës në Kosovë
Burns mbërriti në kryeqytetin e Sarajevës më 20 gusht, ku u takua me kolegë nga komuniteti i inteligjencës, anëtarë të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të atij vendi.
“Ata diskutuan çështje me interes të ndërsjellë, duke përfshirë integritetin territorial dhe sovranitetin e BiH, por edhe "retorikën shqetësuese separatiste dhe veprimet e presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik dhe Qeverisë së Republika Srpska", siç tha një zyrtar i qeverisë së SHBA, për “N1 Sarajevë”.
Menjëherë pas vizitës në Sarajevë, mediat raportuan se kreu i CIA-s po shkonte për në Beograd. Ai shkoi në kryeqytetin serb. Siç raportojnë “Danas” dhe “N1”, vizitën e ka siguruar Agjencia për Siguri dhe Informim (BIA), në krye me Vladimir Orliç.
Dhe plotësimi i trekëndëshit me vizitën dy ditore në Kosovë, sipas analistëve, “tregon se ose SHBA është në dijeni të ndonjë lëvizjeje të fshehtë, ose po merr masa paraprake”.
Joe Biden i besoi selinë e spiunazhit amerikan
Ky diplomat me shërbim të gjatë, u emërua në krye të CIA-s nga presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden në vitin 2021 dhe u zgjodh unanimisht nga Senati.
William (Bill) Burns është një diplomat i jashtëzakonshëm, me dekada përvojë në skenën botërore.
"Ai ndan besimin tim të thellë se shërbimi i inteligjencës duhet të jetë apolitik dhe se profesionistët e përkushtuar të inteligjencës që i shërbejnë kombit tonë, meritojnë njohje dhe respekt", tha Biden në atë kohë.
Burns ka qenë më parë Zëvendës Sekretar i Shtetit i SHBA-së nën Hillary Clinton. Ndër të tjera, ai ishte ambasador i SHBA në Jordani, nga viti 1998 deri në 2001 dhe ambasador në Rusi, nga 2005 deri në 2008.
Ai doli në pension nga shërbimi diplomatik amerikan në vitin 2014, pas një karriere 32-vjeçare. Nga viti 2014 deri në vitin 2021, ishte president i Carnegie Endowment for International Peace.
Pse në Kosovë, raportet me Kurtin dhe roli i Rusisë
Vizita e Burns në Kosovë vjen pas shqetësimeve për partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, veçanërisht në lidhje me trajtimin e çështjeve të qeverisë për minoritetin serb të vendit.
Takimi Burns-Kurti
Në një intervistë javën e kaluar me Shërbimin Kosovar të “Radios Evropa e Lirë”, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se administrata amerikane ishte "sfiduar" nga kryeministri kosovar Albin Kurti dhe qeveria e tij, kurse "cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje”.
Ish-komandanti i forcave të sigurisë kosovare Kadri Kastrati, tha se vizita e Burns mund të lidhet me aktivitetet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, ku ai tha se Moska po zhvillon një "luftë hibride".
Kastrati u shpreh se rreziku më i madh i konfliktit është në Bosnje përmes Republika Srpska dhe në veri të Kosovës.
Vizita e Burns tregon se CIA ka "informacion të mjaftueshëm në lidhje me përpjekjet ruse përmes satelitit të saj, Serbisë, se kjo pjesë e Evropës është në rrezik të një konflikti të mundshëm. Ata erdhën këtu për të dhënë rekomandimet e tyre", shtoi Kastrati ndër të tjera
Ka edhe hije dyshimi, takimet me Jeffrey Epstein
“Wall Street Journal” raportoi vitin e kaluar se Burns dyshohet se kishte tre takime të planifikuara me Jeffrey Epstein në vitin 2014, sipas "dokumenteve" dhe "kalendarëve" që posedonin.
Në atë kohë, Burns ishte zëvendëssekretar i shtetit dhe Epstein tashmë ishte deklaruar fajtor për akuzën e blerjes së një vajze nën 18 vjeç, për prostitucion. Por për Burns nuk u gjet asnjë indicio dyshuese apo provë se kishte lidhje me rastin.
Revista “Time” e rendit si një nga 100 njerëzit më me ndikim
Më 17 Prill të këtij viti, revista “Time” e rendiste si në një nga 100 njerëzit më me influencë për këtë vit.
Foto e Burns në revistën 'Time', si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë për 2024
“Me sytë e tij të përhershëm, gjysmë buzëqeshjen gjeniale dhe mustaqet Achesonian, drejtori i CIA-s, William Burns, nxjerr një kombinim besimi dhe përulësie që e bën atë të duket, siç është në të vërtetë, një rikthim në një epokë kur shtetarët diskretë këshillonin Presidentët e të dyja palëve dhe shërbenin. Si të dërguar të posaçëm që trajtojnë misionet delikate diplomatike. Jo vetëm i zgjuar, por i mençur, ai besohet si një ndërmjetës i ndershëm nga aleatët dhe kundërshtarët, duke përfshirë Rusinë, ku shërbeu si ambasador i Presidentit George W. Bush, dhe Irani, duke ndihmuar në negocimin e një marrëveshjeje bërthamore nën Presidentin Barack Obama”, shkruan “Time”.
Për presidentin Joe Biden, gjithashtu Burns “ndërmori një mision në Moskë për të shmangur luftën në Ukrainë dhe ka bërë udhëtime të shumta në Kiev për të kërkuar mënyra për t'i dhënë fund”. Kohët e fundit, ai ka udhëhequr përpjekjet për të arritur lirimin e pengjeve dhe një armëpushim në Gaza.
Kush është William Burns?
William Joseph Burns lindi më 11 prill 1956, në Fort Liberty, Karolina e Veriut, SHBA. Ndoqi shkollën e mesme në Camp Hill, Pensilvani, dhe më pas studioi histori në Universitetin La Salle, duke u diplomuar në 1978.
Ai mori doktoraturën nga Oksfordi me një bursë Marshall dhe ishte anëtar i ekipit të basketbollit për meshkuj. Babai i tij është William F. Burns, ish-gjeneralmajor i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Kontrollin e Armëve.
Burns në një foto familjare
Ishte drejtor i Agjencisë Amerikane të Kontrollit të Armëve dhe Çarmatimit në administratën e Presidentit Ronald Reagan. Gjithashtu edhe i dërguari i parë special i SHBA për negociatat e denuklearizimit me vendet ish-sovjetike.
Burns shkroi kujtimet "The Back Channel: Memoir of American Diplomacy and the Case for Its Renewal" në vitin 2019 dhe mori vlerësime kryesisht pozitive, teksa ka marrë dhe çmime të shumta. Ndër të tjera është fitues i tre Çmimeve Presidenciale të Shërbimit të Shquar dhe disa çmimeve të Departamentit të Shtetit.
Burns ka marrë gjithashtu Çmimin e Shërbimit Publik të Shquar të Departamentit të Mbrojtjes (2014), Medaljen e Komunitetit të Inteligjencës së SHBA (2014) dhe Vula e Meritës së Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (2014).
Në vitin 1994, ishte në listën e “Time”, të "50 Liderëve Amerikanë më Premtues nën 40 vjeç" dhe "100 Liderëve Globalë Më Premtues nën 40 vjeç".
Burns është i martuar me Lisa Carthy, një ish-diplomate dhe zyrtare aktuale e lartë e OKB-së. Ata kanë dy vajza. Burns është dhe njohës shumë i mirë i gjuhëhe të huaja, ai flet; anglisht, frëngjisht, rusisht dhe arabisht. /Përgatiti Shqiptarja.com/