Një bazë ushtarake ruse ka gjasa të ndërtohet në Serbi, sipas medias ruse Lenta.ru, e cila citon ekspertin ushtarak dhe historianin rus Boris Yulin. Yulin thotë se krijimi i një baze të tillë do të ndihmonte inteligjencën ruse. Kjo bazë presupozohet të merret me zbulime dhe me monitorimin e territorit, sipas ekspertit ushtarak.
"Nuk është shumë e qartë se çfarë përfitimesh do të sjellë krijimi i një baze ushtarake në Serbi," tha Yulin
“Fakti është se bazat janë të vendosura pranë zonave të armiqësive të mundshme. Serbia territorialisht është e shkëputur plotësisht nga Rusia dhe rrethohet nga të gjitha anët nga vendet e BE-së dhe pjesërisht nga vendet e NATO –s”, shtoi ai.
Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko ka folur për këtë duke thënë se “krijimi i bazave ushtarake ruse në Serbi është çështje sovrane e atij vendi”, shkruan portali rus.
Harchento theksoi se ekziston një qendër e përbashkët humanitare Rusi-Serbi, e cila funksionon për reagimin ndaj krizave në rast të një fatkeqësie humanitare.
Ambasadori tha se Serbia është një vend mik dhe se Beogradi "kundërshton thelbësisht sanksionet anti-ruse".
Edhe pse Serbia ka si synim anëtarësimin në BE, dhe ka dënuar sulmin rus në Ukrainë, nuk i është bashkuar botës perëndimore për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të raporteve të ngushta që kanë këto dy vende.