Rusia reagoi ashpër ndaj deklaratave të sekretarit të jashtëm David Cameron se Ukraina mund të përdorë armët britanike brenda Rusisë për t’u vetëmbrojtur. Sipas zëdhënësit të Kremlinit Dimitir Peskov këto deklarata nxisin përshkallëzimin e konfliktit. Ndërsa ministria e jashtme ruse tha se nëse Ukraina sulmon brenda Rusisë, do të marrë përgjigje.
Kremlini përmes zëdhënësit Dimitri Peskov i cilësoi të rrezikshme komentet e Sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron dhe presidentit francez Emmanuel Macron, që sinjalizonin përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve të tyre në operacionet e Ukrainës në territorin e pushtuar nga Rusia.
“Ky është një përshkallëzim i drejtpërdrejtë i tensioneve rreth konfliktit të Ukrainës, i cili potencialisht mund të përbëjë rrezik për sigurinë evropiane, për të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane. Këtu ne shohim një prirje kaq të rrezikshme të përshkallëzimit të tensioneve në deklaratat zyrtare. Kjo është një arsye për shqetësimin tonë”, tha Peskov.
Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha: se kjo është hera e parë që një politikan perëndimor pranon atë që prej kohësh ishte një sekret i njohur për shumicën e botës; se Perëndimi po kryen një luftë të fshehtë kundër Rusisë me duart e ukrainasve. Sipas saj Rusia do të përgjigjet nëse Ukraina kryen sulme kundër territorit rus me armë britanike.
Gjatë një vizite në Kiev, David Cameron deklaroi se Ukraina ka të drejtë të sulmojë në vetëmbrojtje. "Ashtu si Rusia po godet brenda Ukrainës, ju mund ta kuptoni plotësisht pse Ukraina është detyruar të marrë të gjitha masat për t’u mbrojtur", tha ai.
Cameron premtoi 3.7 miliardë $ ndihmë ushtarake vjetore për Ukrainën dhe se Londra nuk kishte asnjë kundërshtim ndaj përdorimit të armëve të saj për sulme brenda Rusisë. Ndërkohë presidenti francez Macron ritheksoi pikëpamjen e tij se ai nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, një veprim që Rusia tha se do të çonte në një përshkallëzim të drejtpërdrejtë dhe të rrezikshëm të tensioneve rreth konfliktit në Ukrainë.
Zëdhënësja Zakharova tha se Rusia është e gatshme të marrë në konsideratë propozimet "serioze" të paqes nga Ukraina, bazuar në ato që ajo i quajti "realitetet" ekzistuese dhe shqetësimet e sigurisë së Moskës, përfshirë zotimin që Kievi të mbetet ushtarakisht neutral në të ardhmen. Moska paralajmëroi se do të përgjigjej me "sulme hakmarrëse shkatërruese" nëse Ukraina godet Krimenë ose Urën e Krimesë, që lidh Rusinë jugore me gadishullin e Detit të Zi.