Rusia reagon për herë të parë për krizën politike dhe deklaratat e Metës

6 Korrik 2019, 19:55| Përditesimi: 6 Korrik 2019, 19:59

  • Share

Ambasada e Rusisë në vendin tonë reagon për herë të parë për krizën politike që ka përfshirë Shqipërinë prej më shumë se katër muajsh.

Në një intervistë ekskluzive për Report Tv, ambasadori rus Alexandër Karpushin thotë se kriza që ka përfshirë vendin tonë do të duhet të zgjidhet nga autoritetet dhe institucionet shqiptare dhe se Rusia nuk kërkon që të ndërhyjë në punët e brendshme të vendit tonë.

Në të njëjtin kohë, Karpushin thotë se Rusia është e hapur për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare, pavarësisht forcës politike që ato mund të përfaqësojnë. Lidhur me deklaratat e presidentit Meta dhe zgjedhjet e 30 qershorit, ambasadori rus e sheh këtë si një çështje që duhet të marrë zgjidhje në gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, duke u ndalur te protestat e opozitës, ai tha se është krejtësisht kundër dhunës.

-Si e shihni ju krizën aktuale politike dhe rolin e mazhorancës dhe opozitës? Cili është komenti juaj mbi deklaratën e fortë të Presidentit Ilir Meta për faktorin ndërkombëtar në vendin tonë duke thënë se po cënojnë demokracinë e vendit tonë? 

Diplomacia ruse i përmbahet vijueshmërisht parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Këtu përfshihet edhe Shqipëria. Unë jam absolutisht i bindur se populli juaj është në gjendje të zgjidhë vetë problemet e tij. Dallimet tuaja politike na interesojnë vetëm nga pikëpamja e sigurisë së qytetarëve tanë, si të atyre që jetojnë këtu, por edhe të atyre që ndodhen në Shqipëri me pushime. Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me çdo qeveri shqiptare, pavarësisht forcës politike që ato mund të përfaqësojnë. I vetmi kusht për çdo bashkëpunim është shfaqja e interesit nga ana juaj dhe zbatimi i parimeve të përfitimit dhe respektit reciprok.

Për fat të keq, më duhet të pranoj se bashkëpunimi në fushën tregtare dhe ekonomike midis vendeve tona është praktikisht në nivelin zero dhe nga kjo pësojnë humbje, në radhë të parë, qytetarët dhe rrethet e biznesit të vendit tuaj. Sot, pala shqiptare nuk ka ndonjë interes pragmatik për të ndërtuar marrëdhënie reciproke të dobishme me Rusinë. Krijohet një përshtypje se politika e jashtme e shtetit tuaj ndodhet nën një ndikim të lartë nga forca të treta. Përveç kësaj, Shqipëria, për të justifikuar qëndrimin e saj, i referohet solidaritetit famëkeq euroatlantik, por po ai anëtarësim në NATO dhe BE nuk e pengon Italinë, Slloveninë, Greqinë apo shumicën dërrmuese të vendeve evropiane për të bashkëpunuar dhe zgjeruar në mënyrë aktive bashkëpunimin me Rusinë. Pse Shqipëria nuk mund të bashkëpunojë? Por kjo është një pyetje që ju duhet t’ua drejtoni vetë drejtuesve tuaj.

Sigurisht, ne jemi të habitur nga akuzat e pajustifikuara në adresë të Rusisë, të shfaqura kohët e fundit në mediat lokale dhe në deklaratat e një numri të liderëve shqiptarë, për "rritjen e ndikimit të Rusisë në Shqipëri" në një kontekst negativ, si edhe përpjekjen për të destabilizuar situatën në vendin tuaj. Të gjitha forcat politike në vend i përdorin këto përralla, duke sakrifikuar në këtë mënyrë mundësinë e zhvillimit të bashkëpunimit tonë për luftën ndërpartiake. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, me të cilët kontaktoj për shkak të detyrës, janë të vetëdijshëm për ndikimin e vërtetë që ushtrohet ndaj qeverisë tuaj edhe nga ana e ambasadave të aleatëve tuaj. Ndoshta, dikush ndjen keqardhje që ambasada ruse nuk sillet në të njëjtën mënyrë, por një praktikë e tillë, siç e thashë, është në kundërshtim me parimet tona. Para së gjithash, ne vlerësojmë pavarësinë e partnerëve tanë dhe dëshirën për të zhvilluar një bashkëpunim shumëdrejtimesh.

-Po sa i përket sjelljes së opozitës dhe protestat e realizuara prej tyre, ku në shumë raste janë karakterizuar nga akte të dhunshme? Cili është komenti juaj mbi zgjedhjet vendore të 30 qershorit? 

Natyrisht, protesta është një pjesë integrale e procesit demokratik, por është shumë e rëndësishme që ajo të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me kuadrin e përcaktuar ligjor. Kam përshtypjen se gjuha e ashpër, mungesa e vullnetit të palëve për të negociuar me njëra-tjetrën dhe për të gjetur një kompromis është një tipar i kulturës së politikës së brendshme shqiptare. Por unë do të doja të theksoja me përgjegjësi të plotë se pala ruse nuk ka asnjë lidhje me protestat dhe aq më tepër me veprime të dhunshme gjatë këtyre protestave. Për fat të keq, akuza të tilla shfaqen herë pas here në mediat shqiptare ose në fjalimet e funksionarëve partiakë. E përsëris edhe një herë: këto janë probleme që duhet t’i zgjidhni vetëm ju. Kjo vlen edhe për zgjedhjet lokale që u zhvilluan së fundmi. Të gjitha vendimet për caktimin e datës së zgjedhjeve apo për ndryshimin e afatit të tyre duhet të bazohen dhe të merren në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. Zgjidhja e këtyre çështjeve të diskutueshme është, gjithashtu, privilegj i vetë shqiptarëve.

-Kohët e fundit Prokuroria ka ngritur akuzë zyrtare ndaj PD dhe kryetarit të saj Lulzim Basha lidhur me mosdeklarimin e një shume të madhe, e cila dyshohet se u bë nga shtetas rusë përmes kompanive offshore për të lobuar në SHBA. Si e shihni ju këtë akuzë të ngritur nga organi i Akuzës?

Gjithkush e di shumë mirë se bashkëpunimi midis Rusisë dhe Shqipërisë kufizohet kryesisht në sferën humanitare dhe kulturore: kurset e gjuhës ruse, bursat për studentët, aktivitetet kulturore të organizuara nga ambasada. Është i habitshëm qëndrimi i atyre që, pa i vrarë ndërgjegja, pohojnë të kundërtën, dhe kështu përpiqen të mashtrojnë popullin e tyre. Më kujtohet deklarata e famshme e A. Lincoln “Ju mund të mashtroni disa njerëz, por ju nuk mund të mashtroni vazhdimisht gjithë popullin”.

Sa i përket akuzave për financimin rus të Partisë Demokratike, motivi dhe arsyeja e një hapi të tillë janë krejtësisht të pakuptueshme. Pse duhet t'i japim para Partisë Demokratike për lobim në SHBA? A është ajo më pro-ruse se Partia Socialiste? Aspak. Më shumë gjasa, agjentët partiakë PR, duke kopjuar amerikanët në çdo gjë dhe të frymëzuar nga hetimi amerikan ndaj Prokurorit të Posaçëm Muller, shpikën këtë histori. Atëherë të gjithë flisnin për këtë, ndaj edhe këtu vendosën të fitonin disa pikë. Vetëm se në SHBA kjo çështje tashmë është mbyllur, komisioni i posaçëm nuk ka gjetur ndonjë provë komploti të ekipit të D. Trump me Rusinë. Ndërsa këtu akuzohen për financim rus kompanitë offshore të huaja të menaxhuara nga qytetarë të vendeve të treta. Është plotësisht e pakuptueshme se çfarë lidhje kanë ato me Rusinë.

Sinqerisht, do të dëshironim që pala shqiptare të kërkonte falje për këto shpifje, aq më tepër që një numër zyrtarësh vazhdimisht e kanë përmendur dhe vazhdojnë ta ekzagjerojnë këtë histori.

-Po me atë të ashtuquajturën valën e protestave në rajonin e Ballkanit? 

Unë mendoj se ju e dramatizoni shumë atë çka që po ndodh në rajonin e Ballkanit. Sidoqoftë, kjo është një çështje e brendshme e vendeve fqinjë dhe nuk mendoj se është etike t'i komentoj ato.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Durrsaku: 07/07/2019 09:36

    Nuk duhet te akuzojme nje person si njeri i Putinit sepse lezon letersi ruse revoluzionare apo jo.Shume te tille kane bere vepra me fame boterore duke qene trashigimi boterore.Presidenti nuk mund te akuzohet si njeri i Putinit se ka lezuar keta letrare me fame.Te denohet per vjedhjet qe ka bere per korrupsionin.Kush e ka bere ate shkrim qe presidenti eshte njeri i ruseve se ka lezuar Tolstojn,Dostojefskin etj eshte komplet pa kulture dhe injorant.Turp per ate gazete qe e botoje.

    Përgjigju
  • Mondi: 07/07/2019 05:44

    Ju faleminderit z.ambasador per leksionin e diplomacise per politkanet shqiptar. Paaftesia e tyre ,kultura e manget I shtyn ne veprime servile dhe pa sens. Fajin per gjendjen tone eshte i yni dhe jo i te tjereve.ju lutem fali politkanet,"gazetarucet"dhe opinionistet e pa ditur se sdine se cbejne

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?