Bota

Rusia sulmon me 805 dronë e 13 raketa Ukrainën, 4 të vdekur! Goditet dhe një ndërtesë qeveritare, BE e Macron: Putin po shpërfill diplomacinë, logjikë lufte e terrori (VIDEO)

7 Shtator, 07:17| Përditesimi: 7 Shtator, 15:14

  • Share

Rusia ka kryer një tjetër sulm masiv gjatë natës në Ukrainë, duke zbehur edhe më shumë shpresat për paqe. Të paktën 805 dronë dhe 13 raketa u lëshuan në 18 qytete, përfshirë Kievin, Kharkivin, Dnipro dhe rajonin e Zaporizhias. 4 persona, përfshirë një fëmijë, u vranë ndërsa 20 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Në shënjestër të sulmeve ishte edhe ndërtesa e Këshillit të Ministrave në Kiev. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky theksoi se sulmet ruse janë një krim i qëllimshëm dhe përpjekje për të zgjatur luftën. Ai kërkoi reagimin ndërkombëtar ndaj ‘kriminelëve të Kremlinit që të ndalojnë së vrari’.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dënoi sulmin masiv, ndërsa tha se Moska po shpërfill diplomacinë dhe po shkel ligjin ndërkombëtar duke vrarë pa dallim. Presidenti francez Emmanuel Macron, kritik i ashpër ndaj Rusisë, tha se Moska po ngulitet 'në logjikën e luftës e terrorit'.

Në Odessa, dronët goditën infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit, deklaroi guvernatori Oleh Kiper, duke shkaktuar disa zjarre. Në Kryvyi Rih, raketat dhe dronët goditën tre vende në qytet, duke dëmtuar infrastrukturën e transportit dhe urbane, tha Oleksandr Vilkul, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes së qytetit. 

Në Zaporizhia, u godit një ndërtesë punishteje në zonën industriale të qytetit, tha guvernatori rajonal Ivan Federov, duke shtuar se sulmi nuk shkaktoi viktima. Në orët e mëngjesit, alarmet për sulmet ajrore u aktivizuan sërish në të gjitha rajonet e vendit, pas një sulmi të ri me raketa.

Nga ana tjetër, teksa vazhdon sulmet, Rusia tha se dialogu është i vështirë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha gjatë një interviste për TASS në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok, se të gjitha kontaktet ndërkombëtare të Putin mbështesin dialogun me Trump, dhe përpjekjet për paqe në Ukrainë.

"Mbështetja është absolutisht e plotë, por, padyshim, dialogu i ardhshëm është ende mjaft i vështirë.", tha ai. 

Lajm në përditësim…

Ora 15:03
Meloni: Rusia është më e interesuar të shtojë egërsinë e sulmeve sesa paqen

1756471201_giorgiameloni.jpg

"Rusia duket më e interesuar në përshkallëzimin e egërsisë së sulmeve të saj kundër Ukrainës sesa në një fund të negociuar të armiqësive", deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni teksa dënoi sulmet e Rusisë në Ukrainë.

Ajo shtoi se së bashku me partnerët e tjerë perëndimorë, do të vazhdojnë të punojnë për një paqe të drejtë.

"Duke qëndruar pranë popullit ukrainas, Italia, së bashku me partnerët e saj perëndimorë, do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në mënyrë që kërkesat për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme të mbizotërojnë mbi ato të agresionit pa dallim.", shtoi ajo.

Ora 14:03
Costa: Putin flet për paqen por intensifikon bombardimet, duhet të shtojmë sanksionet

1755611675_antoniocosta.jpg

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka dënuar gjithashtu sulmin e Rusisë ndaj qyteteve ukrainase.

"Të flasësh për paqen ndërsa bombardimet intensifikohen dhe ndërtesat dhe shtëpitë qeveritare janë në shënjestër: ky është versioni i Putinit për 'paqen'. Rusia e filloi këtë luftë dhe po zgjedh ta vazhdojë atë.", tha ai.

Në një postim në rrjetin social X, ai tha se duhet të vazhdojnë mbështetjen ndaj Ukrainës dhe të rrisin presionin ndaj rusëve me sanksione shtesë.

“Ne duhet të qëndrojmë në kursin e duhur: duke forcuar mbrojtjen e Ukrainës dhe duke rritur presionin ndaj Rusisë përmes sanksioneve të mëtejshme, në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë. Mendimet e mia janë me viktimat, të plagosurit dhe familjet e tyre. Forca dhe qëndrueshmëria e popullit ukrainas vazhdojnë të na frymëzojnë të gjithëve", përfundoi ai.

Ora 12:14
Macron: Rusia është e rrënjosur në logjikën e luftës dhe terrorit

1756996431_emmanuelmacron.JPG

Presidenti francez, Emmanuel Macron dënoi sulmin e fundit masiv të Rusisë ndaj Ukrainës. Ai thotë se Rusia është “rrënjosur” në logjikën e luftës dhe terrorit, ndërsa shton se së bashku me Ukrainën do të bëjnë gjithçka për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndueshme.

"Së bashku me Ukrainën dhe partnerët tanë, ne po luftojmë për paqe. Rusia, nga ana e saj, po bëhet gjithnjë e më e ngulitur në logjikën e luftës dhe terrorit. Së bashku me Ukrainën, ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të mbizotërojë një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme", u shpreh ai.

Ora 12:09
Von der Leyen për sulmet ruse: Kremlini po shpërfill diplomacinë dhe po vret pa dallim

1755098409_ursulavonderleyen.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka komentuar sulmet e fundit ruse në Ukrainë, duke thënë se Moska po shpërfill diplomacinë dhe vret njerëz akoma më shumë.

Von der leyen shton se Evropa mbështet Kievin, ndërsa shton se do të rrisin presionin ndaj Moskës me më shumë sanksione.

“Mbrëmë, Rusia nisi një nga sulmet më të mëdha me raketa dhe dronë kundër Ukrainës, duke synuar si ndërtesat qeveritare ashtu edhe shtëpitë e civilëve. Edhe një herë, Kremlini po shpërfill diplomacinë, po shkel ligjin ndërkombëtar dhe po vret pa dallim. Evropa e mbështet plotësisht dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën. Ne po forcojmë forcat e armatosura ukrainase, po krijojmë garanci të qëndrueshme sigurie dhe po shtrëngojmë sanksionet për të rritur presionin ndaj Rusisë. Vrasjet duhet të ndalen”, tha Von der Leyen.

Ora 10:22
Sulmet ruse, Zelensky: Përpjekje për të zgjatur luftën, kriminelët e Kremlinit duhet të ndalojnë së vrari

1755496924_volodymyrzelensky.webp

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se sulmet e reja ruse ndaj qyteteve ukrainase janë një krim i qëllimshëm dhe përpjekje për të zgjatur luftën.

"Këto vrasje tani, kur diplomacia e vërtetë mund të kishte filluar shumë kohë më parë, janë një krim i qëllimshëm dhe një zgjatje e luftës", shkroi Zelensky në Telegram, duke shtuar se po forcojnë mbrojtjen ajrore.

“Në fund të fundit, çdo sistem shtesë ka shpëtuar civilët nga këto sulme frikacake. Bota mund t'i detyrojë kriminelët e Kremlinit të ndalojnë së vrari; vullneti politik është e gjitha që duhet. Faleminderit të gjithëve që po na ndihmojnë", shtoi ai.

Ora 09:29
Sulmi ndaj ndërtesës qeveritare në Kiev, ministri i Jashtëm ukrainas: Putin po hedh poshtë diplomacinë dhe përshkallëzon terrorin

1757230390_sulminendertesenqeveritare.webp

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka bërë thirrje për një reagim të fortë nga aleatët e Ukrainës, ndërsa Rusia përshkallëzon sulmet. 

“Për herë të parë, më shumë se 800 dronë dhe raketa gjatë natës. Civilë të vrarë dhe të plagosur, infrastruktura civile e dëmtuar në Kiev, Odesa, Kremençuk, Krivyi Rih, Zaporizhzhia, ndër qytete të tjera”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Sybiha konfirmon gjithashtu se një nga ndërtesat qeveritare në Kiev u godit për herë të parë.

"Vetëm kjo është një përshkallëzim serioz", thotë ai.

“Cinizmi më i madh është se këto sulme brutale vijnë pikërisht kur Presidenti Trump bën çdo përpjekje për të arritur paqen”, shton ai, duke thënë se Putini në vend të kësaj “hedh poshtë diplomacinë dhe përshkallëzon terrorin”.

Sybiha bën thirrje për sanksione të ashpra mbi të ardhurat ruse nga nafta dhe gazi, si dhe mbështetje të mëtejshme për mbrojtjen ajrore për Ukrainën.

Ora 08:08
Sulmi ndaj ndërtesës së Këshillit të Ministrave, kryeministrja ukrainase: Bota duhet t'i përgjigjet këtij shkatërrimi, sanksione për Moskën dhe armë për ne

1757225454_ndertesaqeveritarenekiev.webp

Katet e sipërme të një ndërtese qeveritare ukrainase u dëmtuan gjithashtu nga sulmet ruse. Kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, teksa ndau foto të ndërtesës së dëmtuar, kërkoi reagim ndërkombëtar.

"Mbrëmë, Rusia kreu një tjetër sulm masiv ndaj Ukrainës. Kievi, Krivyi Rih, Dnipro, Kremenchuk dhe Odesa u sulmuan. Për herë të parë, një ndërtesë qeveritare, çatia e saj dhe katet e sipërme u dëmtuan nga një sulm armik. Ekipet e shpëtimit po shuajnë flakët. I falënderoj për punën e tyre.”, u shpreh ajo.

Kërkoi edhe sanksione ndaj naftës dhe gazit rus, ndërsa përmendi nevojën për më shumë armë.

"Ndërtesat do të restaurohen, por jetët e humbura nuk mund të rikthehen. Armiku terrorizon dhe vret njerëzit tanë në të gjithë vendin çdo ditë. Bota duhet t'i përgjigjet këtij shkatërrimi jo vetëm me fjalë, por me vepra. Sanksionet duhet të forcohen, veçanërisht kundër naftës dhe gazit rus. Nevojiten kufizime të reja ndaj makinës ushtarake të Kremlinit. Dhe mbi të gjitha, Ukraina ka nevojë për armë. Kjo do ta ndalojë terrorin dhe do ta parandalojë Rusinë nga përpjekjet për të vrarë ukrainas çdo ditë", theksoi Svyrydenko.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Paqe: 07/09/2025 13:39

    Kujtuam se kishte paqe pas takimit , a ska akoma traktat Paqeje? Besoj 2029 mbaron lufta, beri mire rama qe po prodhon armë per miqte tanë NATO-s

    Përgjigju
  • ALB Patriot: 07/09/2025 13:21

    Keto sulme tregojne qarte se: Putin ia kaluar edhe mesuesit te tij, Hitlerit!

    Përgjigju
  • Ish ushtarak shqiptar: 07/09/2025 08:39

    Jam dhe mbështes luftën e popullit ukrainas pa snjë,mëdyshje, por nuk arrijë të kuptoj se si mundet që të mos realizojnë mbulimin e objekteve të rëndësis së veçantë ajo ushtri e atij shteti dhe ata drejtues ushtarakk çfarë bëjnë.Të kërkosh teknik luftarake,armatim, e mjete mirë por rezultati ku lshtë RUSIA(jo B.R.R.S.) duke luftuar me miellë hua a mos vallë do një mënyrë tjetër lufte,që për fatë të keq(përsa shohim në lajme mungon).Rusia përveçse diversionit psikologjik e armatimit nuk ka përparësi tjetër,ndërsa Ukraina ka shumë më shumë avantazhe,Poplli i Ukrainës njihet për popull luftarak kurse rusia lufton me të burgosur,me mercenar,dhe ushtar të huaj.Populli tonë ka një shprehie që këlyshi po e rrahe nuk bëhet qënë trim.

    Përgjigju
    • Turi: 07/09/2025 15:21

      Nuk paske kuptuar asgje si funksionon ushtriia meqenese paske puniar aty , nuk i mbron dot sepse Rusia i ka ah ume here me te sofistikuar sistemetr e saj saeesa Nato dhee kjo eshte arrsyejja qe nuk i mbron dot , i ka shkaterruar te gjitha sistemet mbrojtes dhe tani kane ngelur ne qiell te hapur

    • Muci: 07/09/2025 09:17

      Dukesh qe paske qene ish ushtarak shqiptar,

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?