Rusia vendosi veton ndaj një rezolute të SHBA që synonte parandalimin e garës së armëve bërthamore në hapësirë, ndërsa Kina abstenoi. Dy shtetet që bllokuan rezolutën, propozuan një amendament që parandalonte përgjithmonë garën bërthamore në hapësirën e jashtme të tokës por që u rrëzua.
Një rezolutë e hartuar nga SHBA që bënte thirrje për të parandaluar garën e armatimeve në hapësirë, u bllokua në këshillin e sigurimit të OKB pas vetos së vendosur nga Rusia. Votimi erdhi pasi Uashingtoni akuzoi Moskën për zhvillimin e një arme bërthamore anti-satelitore për ta vendosur në hapësirë, një akuzë që Rusia e mohoi ku sipas presidentit Vladimir Putin Moska ishte kundër vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë.
Ndonëse SHBA dhe Japonia negociuan për gati 6 javë, mori vetëm 13 vota pro, ndërsa Kina abstenoi dhe Rusia vendosi veton. Rezoluta u bënte thirrje shteteve të kontribuojnë aktivisht në objektivin e përdorimit paqësor të hapësirës së jashtme dhe të parandalimit të një gare armatimesh në hapësirën e jashtme.
Ambasadori rus i OKB-së Vassily Nebenzia akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të njollosë Moskën dhe tha se Rusia së shpejti do të fillojë negociatat me anëtarët e këshillit për projekt-rezolutën e saj që synon të mbajë këtë hapësirë paqësore.
Traktati i Hapësirës së Jashtme i vitit 1967 ndalon nënshkruesit përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të vendosin “në orbitë rreth Tokës çdo objekt që mban armë bërthamore ose çdo lloj tjetër të armëve të shkatërrimit në masë.
Përpara se drafti i SHBA të votohej, Rusia dhe Kina propozuan amendamentin që të gjitha shtetet "të parandalojnë përgjithmonë vendosjen e armëve në hapësirën e jashtme dhe kërcënimin ose përdorimin e forcës, nga hapësira kundër Tokës dhe nga Toka kundër objekteve në hapësirën e jashtme. Por ky propozim u rrëzua.