Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa dhe dronë gjatë natës në Kiev. Mes të plagosurve është edhe një grua shtatzënë dhe një fëmijë.
Sulmi shkaktoi zjarre në zonat e banuara dhe dëmtoi hyrjen e një stacioni metroje. Një pallat 25 katësh u dëmtua gjithashtu. Autoritetet lokale thanë se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vijuar, ku janë angazhuar 312 shpëtimtarë dhe 74 automjete.
Komandanti i Përgjithshëm i Ukrainës është zotuar të rrisë shkallën e sulmeve ndaj Rusisë, duke thënë se Kievi nuk do të rrijë duarkryq dhe të shikojë ndërsa Moska zgjat pushtimin e saj trevjeçar.
"Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe të shikojmë. Sepse kjo nuk çon askund dhe në fund të fundit do të na çojë në tërheqje të mëtejshme, duke humbur njerëz dhe territor", tha Oleksandr Syrsky.
Përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës kanë ngecur në javët e fundit. Takimi i fundit i drejtpërdrejtë midis dy palëve u zhvillua gati tre javë më parë dhe nuk janë planifikuar bisedime të mëtejshme.
Në javët e fundit, Rusia ka kryer sulme masive ajrore në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Komente
