Rusia këmbëngul të fajësojë Ukrainën për sulmin terrorist me armë në Moskë ku mbetën të vrarë 144 persona dhe qindra të plagosur. ‘Hetuesit kanë gjetur prova’ thonë ato dhe kërkojnë nga Kievi ekstradimin e kreut të 007-ës ukrainase Malyuk.
Në televizionin shtetëror, një ish-ushtar, gjeneral-major i policisë tashmë në pension, Vladimir Ovchinsky, pretendon se sulmuesit mund të jenë droguar dhe se atyre mund t’u jetë implantuar çip në tru.
Pavarësisht se ISIS ka marrë përgjegjësinë, Moska vijon të përhapë një të vërtetë alternative ndaj masakrës për të atribuuar përgjegjësinë ndaj Kievit dhe për të justifikuar intensifikimin e sulmeve ndaj Ukrainës.
‘Ata kanë qenë të pavetëdijshëm: ka shumë të ngjarë që u futën substanca psikotrope, programe neuro-psikologjike dhe ndoshta çipa, sepse tani neurobiologjia lejon kontrollin mbi një person’, tha Ovchinsky gjatë një transmetimi në Kanalin e Parë të TV rus.
Moska kërkon arrestimin e kreut të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), Vasily Malyuk, i cili më 25 mars pranoi se kishte organizuar bombardimin e urës së Krimesë në tetor 2022. Por Moska do ta arrestojë kreun e 007-ës ukrainase duke e akuzuar për masakrën e Moskës në Crocus City Hall, (sallë koncertesh) më 22 mars. Ministria e Jashtme ruse i kërkoi Kievit ta arrestonte, pasi sipas saj ka prova për përfshirjen e tij në sulm.
‘Ne presim që Kina t’i dërgojë mesazhe shumë të qarta Rusisë’.
Kështu u shpreh ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne gjatë vizitës së tij në Pekin. Kreu i diplomacisë franceze sipas Le Monde bëri thirrje për një ekuilibër fuqish në favor të Ukrainës, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij kinez Wang Yi.
‘Natyrisht që Kina luan një rol kyç në pavarësinë dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë sovranitetin... siç ju thashë zoti ministër, kjo luftë ka të bëjë me të gjithë komunitetin ndërkombëtar’, vijoi Stephane Sejourne.
Ndërsa ministri kinez, nuk e përmendin konfliktin në Ukrainë në fjalimin e tij hyrës.