Komedia “Streha e të harruarëve” e Ruzhdi Pulahës

Ruzhdi Pulaha dramaturgu 77-vjeçar që s'shter me krijimtarinë e tij

19 Shtator 2019, 08:18| Përditesimi: 19 Shtator 2019, 08:40

  • Share

TIRANË- Ruzhdi Pulaha është një mik i vjetër i teatrit, autori që e ka zotëruar skenën në vitet ’70-’80 përmes teksteve të forta, me problematikë të ndjerë sociale, tejet bashkëkohore, ku spikaste sidomos ndjenja e një qytetarie të lartë, përballja me pushtetin abuziv, korrupsionin, solidariteti human etj. Pas vitit 1990 dramat e tij, në modelin realist social të zgjedhur më herët, e kthyen syrin te turbullimet e kohës, kaosi, krimi, zhbërja e vlerës humane, ndotja morale. Është po ai shkrimtar në thelb, si dje dhe sot: njeriu i shqetësuar për fatin e shoqërisë. Njohja dhe bisedat e mia me të kanë qenë përherë të buta, sepse ai vetë i tillë ka qenë dhe është: i qytetëruar, i drejtpeshuar. Kam shkruar thuajse për tërë dramat e tij të vëna gjithandej në teatrot shqiptare, të cilat janë shndërruar në lëndë për librat e mi. E pra, në mos ditë për ditë a javë për jave, me Ruzhdiun kam qenë përherë në prani e bashkëbisedë përmes veprave që ka shkruar. Më tutje vijon shkrimi përmbledhës për të:

Ruzhdi Pulaha, dramaturg, shkrimtar, i lindur në Pogradec, në vitin 1942, është autori më prodhimtar në vitet ’70-’80. Pjesët e tij patën një impakt të gjerë me publikun e kohës. Ato dallohen për angazhimin e fortë shoqëror e politik, si dhe për frymën polemiste në pasqyrimin e dukurive të mprehta të jetës. Në të shumtën e herës paraqiten me kolizione të hapura, të ndezura, shpesh me frymë pamfletiste, të ndërtuara me grupime personazhesh. Konflikti provokohet nga një veprim arbitrar, ose administrativ, dhe më pas hidhet për gjykim në masën e gjerë të njerëzve, kryesisht në formën e një mbledhjeje, të një gjyqi shoqëror, të një ballafaqimi etj., ku bëhet thirrje për riformim shpirtëror, për qëndrime morale të guximshme e shoqërisht të dobishme, kundër shfaqjeve korruptive e burokratike të administratës, kritikë e cila shkon e prek, ndonjëherë, edhe rangjet e larta shtetërore (dramat Nesër është vonë, Mësuesi i letërsisë, Shkallët, Denoncimi etj.), çka shënon edhe pozitën kritike më të avancuar e më të guximshme për kohën. Pas dramës Djemtë e Bato Gorës, që merrej me konfliktin “brenda nesh” si dhe veprimin korruptues të “armikut të klasës”, ai arriti një sukses të merituar me komedinë brilante “Zonja nga qyteti”, e cila u vu në skenë fillimisht në Teatrin e Korçës (1974) dhe pastaj në Teatrin Popullor (1975), e pasuar nga komedia rrjedhëse Një shoqe nga fshati (1979), e cila, ndonëse shkaktonte humor prej krijimit të situatave të ëndshme, e zbukuroi së tepërmi kryepersonazhin e saj, Ollgën, duke e shndërruar në klishenë e njohur të “heroit pozitiv”. Me dramën Maro Mokra R. Pulaha përpunoi një tjetër tip drame, atë epiko-heroik, falë një përqendrimi të lartë të veprimit dramatik në sjelljen plot befasi e guxim të heroinës.

Pulaha dhe sfidat përballë estetikës së socrealizmit

Në tipologjinë dramaturgjike të zbatuar prej autorit, gjegjësisht parimeve imponuese të estetikës së ngurtësuar të socrealizmit, vepronte skema e njohur e zgjidhjes fatlume të kontradiktave të luftës, gjithnjë me triumf, duke e shndërruar, si rregull atë, në një revolucion politik për marrjen e pushtetit dhe likuidimin e kundërshtarëve të etiketuar si tradhtarë, bashkëpunëtorë me pushtuesin etj. Diçka më ndryshe, por gjithnjë të këtij formati janë edhe zgjidhjet e ofruara për kontradiktat në lëmin ekonomik, të shprehura si konflikte kryesisht joantagoniste; më tutje zgjidhjet që përfshijnë qëndrimin ndaj punës, pronës, hyrjes ose jo në kooperativë, etj. Këto shoqëroheshin domosdo me “kthesat” e pamotivuara të individëve “të gënjyer”, të kompromentuar, në mëdyshje a të rënë pavetëdije në prehrin e “armikut të klasës”, më së shpeshti si një armik fizik i identifikueshëm por edhe si ideologji armiqësore; kjo e fundit rëndom e kamufluar dhe vështirë e identifikueshme (për shembull dramat: Djemtë e Bato Gorës, Përballë vetes, Shtëpia me dy porta, Doktori pacient, Hija e tjetrit). Disa drama të kahut të hapur politik si Furrnalta (1979), Komunistët (1981), sado që me struktura të qarta dramaturgjike, konflikte të forta, reagime masive dhe situata të ndera, u bënë bartëse të miteve politike të kohës: e para duke sublimuar veprimin historik të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare dhe të militantëve të saj në rezistencën antifashiste, e dyta duke madhëruar aktin e PPSH-së në demaskimin e Partisë Komuniste të Kinës si revizioniste dhe përballimin e bllokadës e sabotimeve të tyre në fushën e industrisë së rëndë. Ky tip drame, ta quajmë mirëfilli politike me elemente kronikale e dokumentariste, u modifikua në hullitë e dramës “epope”, me masa të gjera njerëzish, që kërkonin nga autori mprehtësi në thurjen e episodeve dhe një raport elastik midis heroit dhe të tjerëve, ku futeshin mepatjetër edhe linja të ngrohta jetësore, sidomos të atilla që lidheshin me shqetësimet e protagonistëve dhe me përcjelljen e tyre në familje, në raportin e çiftit, në mirëbesimin e një miku a të afërmi. Në ato që do të mund t’i klasifikonim si “drama të diskutimit”, si Nesër është vonë, Nën dritat e skenës, Denoncimi etj., R. Pulaha parapëlqen formën e tezës dhe antitezës, të cilat krijojnë edhe objektin e parapëlqyer të polemikës midis personazheve. Tipologjia që ngrihet mbi një personazh dramatik si strumbullar dhe të tjerët përreth, të cilët ndërhyjnë, shpjegojnë, ndikojnë, prishin apo ndreqin punë në jetën dhe bëmat e tij - kjo është një tjetër strukturë e suksesshme e dramave të tij. Mësuesi i letërsisë identifikohet si më shënjuesja e këtij tipi. Nëpërmjet qëndrimeve konsekuente të Samiut, heroit kryesor, autori ngrihej dhe kritikonte me guxim autoritetin abuziv të organeve shtetërore, trysninë psikologjike që ushtrohej ndaj individit të ndershëm përmes kërcënimit dhe frikës, paçka se drejtimi dhe nxitja e frymës kritike vinte, në fakt, nga vetë kupola partiake. Edhe në dramën Shkallët (1990), që u shfaq në periudhën e fundit të diktaturës, kritikohej me forcë prirja korruptive e njerëzve të veshur me pushtet, duke dhënë shenjën e dekompozimit në qelizë të sistemit. Megjithatë, kahu i kësaj kritike, afërmendsh, vinte po prej a) pozitës tashmë të njohur konservatore dhe puritane që ofronte politika dhe ideologjia komuniste, ose b) prej traditës etnopsikologjike konservatore por të vetëshpallur si substrat moral përhirues dhe normë e detyrueshme sjelljeje, të cilat, të dyja së toku, “lirinë” e individit dhe “privatësinë” e jetës së tij e çmonin si një mëkat, tepri, degjenerim apo amoralitet.
Meritë e dramave të autorit është fryma kontestuese, prirja për të afirmuar vlera të shëndosha morale, duke apeluar për ndershmëri dhe guxim qytetar. R. Pulaha mund të vlerësohet si dramaturgu më i guximshëm para viteve ’90, kritika e të cilit preku sferat e larta, sidomos ato shtetërore, të korruptimit politik. Kjo prirje e kudogjendshme në dramat e periudhës socrealiste u pa edhe në dramat pas viteve ’90, kur liria politike ishte garantuar me ligj, si te drama Denoncimi (krimi, korrupsioni në gjykata, vullneti dhe ndershmëria për t’i tejkaluar dhe ndëshkuar ato), komedia Kohë e çmendur (tallja me spekulimet mbi pluralizmin dhe krijimin e gjithfarë partish të vogla e të papërfillshme për efekte fitimi dhe autoriteti fals), Kohë pa emër (përplasja e dy kohëve në fillimvitet ’90, konfuzioni politik dhe anarkia sociale, nevoja për pajtim kombëtar, kundërshtitë e brezave), “Streha e të harruarve” (shprishja e vlerave njerëzore nga keqkuptimet e “shoqërisë së lirë”, apeli për dashuri, mirëkuptim, pajtim; nevoja për respekt e vëmendje ndaj moshës së tretë, të gjendur shpesh në margjinal, të braktisur e të shpërfillur nga bijtë e emigruar).

Veprimet e alternuara në kohë, dinamika, digresionet si formë e kompozimit të ngjarjeve, skenat masive, zotërimi i toneve të larta të fjalës, gjuha me parapëlqime ndaj stilit polemist, prania e elementit publicistik si afri me problemin e diskutuar në mese sociale të gjera, hapësira dhe koha dramatike e reduktuar maksimalisht, konvencionaliteti, strukturat dhe tipat e larmishme dramaturgjike, portretet e mëvetësishme gjegjësisht karaktereve me vetjakësi sociopolitike e antropologjike - këto shfaqen si veçori e shenja të personifikuara vijimisht në krijimtarinë e R. Pulahës. Jo rrallëherë, sidomos në dramat pas viteve ’90, copëtimi i personalitetit, divergjenca si pjesë e natyrshme e kohezionit të kërkuar, domethëniet e qarta, alegoritë e kapshme lehtësisht, fjala e keqkuptuar në raport me sjelljen “ndryshe” të personazhit, parimi difuziv i shpërndarjes së befasive në rrjedhën subjektore për të krijuar një shkallë ngjitjeje të aksionit, konfuzioni i qëllimtë, nebuloza mendore përballë alternativave dhe risjellja e rregullit, kthimet dhe rikthimet e shpeshta të ndodhisë për efekt suspansi dhe të ndriçimit tërësor të fenomenit, janë tipare të një poetike moderne që shihet gjithandej dramave të tij.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?