Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, rreth 13 vite më parë, regjisori amerikan Ryan Johnson ishte në lidhje me një grua shqiptare, por nuk e kishte menduar se do të bënte një dokumentar për periudhën e diktaturës. Martesa me shqiptaren dhe fakti që familja e saj kishte vuajtur për rreth 20 vite në internim ishin ngacmimi që Ryan të eksploronte këtë tematikë.
“Ideja për dokumentarin lindi para 5-6 vitesh, ndërsa dy vite më parë, në dasmën e kunatës pata mundësinë të takoja ish të internuar e ish të burgosur dhe pashë kampin e Tepelenës dhe Spaçit. Familja e gruas sime kanë qenë të internuar dhe kanë vuajtur për rreth 20 vite. Kur filluam të flisnim për këtë regjim, pashë se ishte më brutale sa e prisnim. Mund të them që realizimi i këtij dokumentari erdhi si një aventurë e dalë vërtet nga zemra.”, - thotë Ryan Johnson për "Report TV".
Tashmë, Ryan ka orë të tëra filmime, me dëshmi të atyre që kanë vuajtur në kampet e internimit, të njohur e të panjohur, ku rrëfehen edhe dhimbjet personale në komunizëm, por edhe të vendeve, ku ata kanë vuajtur.
“Është koha për ta bërë këtë dokumentar. Njerëzit po mplaken dhe pak nga pak do t’i humbim përgjithnjë, kështu që duhej filluar sa më parë. Filluam të intervistonim njerëzit në Tepelenë, në Berat dhe në kampe të tjera. Këta njerz kanë qenë në internim gjatë gjithë kohës së komunizmit dhe donim të kishim perspektivën e tyre, të atyre që kanë vuajtur nën atë sistem.”, - vijon ai.
Johnson deri tani ka punuar në mënyrë krejt të pavarur, pa një grup të vërtetë pune apo producentë, megjithatë synon që filmin ta shfaqë për një publik të huaj, që do të njohë një anë tjetër të Shqipërisë. Por ajo që ai vëren është se sipas tij, njohuritë rreth kësaj teme në publik janë të mangëta, ndërsa shumë njerëz kanë ide të përziera për atë çfarë ishte internimi,
“Është shumë interesante për mua edhe që librat historikë shqiptarë në njëfarë mënyre fillojnë në vitin 1991 dhe është një boshllkëk i madh ndërmjet, një periudhë që mungon, ndaj dhe kam menduar ta titulloj filmin ‘Silent Country’. Ka pasur shumë fokus te Enver Hoxha, te kulti i personalitetit të tij dhe mendoj se kemi humbur zërat dhe histori të padëgjuara.”
Johnson shton se synon të realizojë një dokumentar të gjatë, ku do të tregojë këto histori nga perspektiva e tij.
“E di që ka një diasporë të gjerë të shqiptarëve në botë që besoj do të duan që këto histori të tregohen, por ka lindur nga perspektiva ime: e të qenit këtu dhe të parit të vendit nga sytë e një turisti. Kur e sheh vendin nga sytë e një turisti të ngjan si xhevahir i fshehur në Evropë. Çmimet janë të lira, plazhet janë të bukura, panoramat natyrore janë të bukura, ka histori dhe kulturë të bukur. Kjo është kartolina që i prezantohet publikut. Por duhet kthyer dhe parë çfarë ka pas saj. Ne duam të tregojmë historinë që nuk tregohet.”, - përfundon regjisori.
Komente
