KORÇË- Inspektori i AZHBR-së në Korçë Arbri Pajo, i arrestuar pak ditë më parë, është lënë në burg nga gjykata, ndërsa për Shaban Zaçen, blegtor, është dhënë masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Masat u morën pa praninë e avokatit, pasi këto të fundit kanë bojkotuar seancat, si protestë kundër hartës së re gjyqësore.
Arbri Pajo, në këmbim të ryshfeteve të majme favorizonte blegtore të ndryshme që të përfitonin me pa të drejtë subvencione nga shteti. Policia e Korçës njofton se inspektori, duke shfrytëzuar detyrën, ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50.000 deri në 100.000 lekë”.
Bashkë me inspektorin Pajo u arrestua edhe blegtori Shaban Zaçe, i cili kishte dhënë 90 mijë lekë ryshfet që të merret 1 mln lekë subvencion nga AZHBR.
Hetimi është kryer për një periudhë tre mujore nga seksioni për Krimin Ekonomiko-Financiar në Policinë e Korçës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit. Përmes operacionit të koduar “Subvencioni” u arrestuan Arbri Pajo, 35 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, me detyrë inspektor terreni pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) si dhe Shaban Zaçe 38 vjeç, banues në Ersekë, blegtor.
Arrestimi i të dyve u bë në flagrancë, në lagjen nr. 8 në Korçë, në momentin kur blegtori Zaçe, përfitues i subvencionit për bagëtitë, po i ofronte ryshfet (90.000 lekë), inspektorit të AZHBR-së, me qëllim që të përfitonte në mënyrë të parregullt, nga skema mbështetëse, shumën 1.000.000 lekë.
Ky nuk ishte rast i vetëm që inspektori Pajo ka ndjekur të njëjtën skemë, duke shfrytëzuar detyrën! Ai ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50.000 deri në 100.000 lekë. Inspektorit iu gjetën në momentin e arrestimit 90.000 lekë, që dyshohet se i ka pranuar si ryshfet nga 38-vjeçari blegtor.