SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim çështjen për shefin e Klubit Sportiv të Bashkisë Gramsh, Lulzim Hasa dhe 4 personave të tjerë që akuzohen se u përshinë në një rast korrupsioni për nxjerrjen e një mjeti të sekuestruar nga Prokuroria e Elbasanit.
Mes personave të përfshirë në çështje janë shtetasi Lirian Taragjini, Zenel Taragjini, ish-anëtar në këshillin bashkiak të Gramshit, si edhe dy oficerët e policisë gjyqësore Çelnik Toska dhe Sefer Shuka.
Sipas Prokurorisë së Posaçme shtetasit Lirian Taragjini dhe Zenel Taragjini, në bashkëpunim me njeri tjetrin i ka dhënë ryshfet oficerit të policisë gjyqësore në komisariatin e Gramshit, Çelnik Toska dhe Lulzim Hasës shumat nga 50 deri në 100 mijë lekë për çdo automjet që kthenin.
Kurse i pandehuri Sefer Shuka në funksionin e Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore Elbasan ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk ka marrë kallëzimin si dhe nuk ka referuar faktin penal të denoncuar nga shtetasi Lirian Taragjini.
Ndaj shefit të klubit sportiv është ngritur akuza: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
'1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 19.10.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale me Nr. 187 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve Ç.T, L.H, S.Sh, L.T dhe Z.T.
2. Në seancën e datës 13.11.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (seanca paraprake) me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 104 Regjistri Themeltar, datë 13.11.2023 vendosi:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 187 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve:
Ç.T, i cili akuzohet për veprën penale "Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ҫ i Kodit Penal;
Lulzim Hasa, i cili akuzohet për veprën penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katër i Kodit Penal;
S.Sh i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
L.T, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 319 e 25 dhe 245/1 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal;
Z.T, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funskionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 319 e 25 dhe 245/1 paragrafi i dytë e 25 i Kodit Penal;
Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për t’u hedhur në short me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.'- njofton prokuroria.