'Sa bukur është të zgjohesh në mëngjes dhe të marrësh frymë', artistët: Duajeni jetën tuaj, kujdesuni për të! (VIDEO)

3 Prill 2020, 09:52| Përditesimi: 3 Prill 2020, 13:42

  • Share

Ndonëse numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri po rritet, një lajm i mirë këtë mëngjes ngjalli sërish shpresën se betejën me Covid-19 do ta fitojmë!

85 persona të shëruar nga ky virus në të gjithë vendin tonë është shifër që mbush me frymë dhe të bën të shpresosh se duke ndjekur rregullat e vendosura nga autoritetet gjithçka do të shkojë mirë! 
Mesazhe optimizmi sot dëgjojmë edhe nga ata që për asnjë moment nuk ka lanë vetëm, artistët, të cilët me këngë, me valle, me aktrim, me këshilla sollën drejt shtëpive tona shpresë. 
Regjisorja e njohur Elma Doresi citon një shprehje italiale e cila thotë se është bukur të zgjohesh në mëngjes duke ditur që jeton, ndërkohë që pjesë e artit janë edhe mjekët.

Ora 12:21
“Kënga e grindjes mes jetës dhe vdekjes” nga Zamira Kita dhe Sotiraq Bratko, si një mesazh shprese, ku triumfon jeta (VIDEO)

Aktorët e Teatrit të Korçës “Andon Zako Çajupi”, Zamira Kita dhe Sotiraq Bratko, interpretojnë “Kënga e grindjes mes jetës dhe vdekjes”, poezi e një autori të panjohur të shekullit XVI e përkthyer nga Petraq Kolevica 30 vite më parë, por që përkon me realitetin e këtyre ditëve, ku mijëra njerëz janë duke luftuar me vdekjen për shkak të virusit corona.

Ora 11:12
“Moj e vogla një pëllëmbë”, artistët: Zjarri i shpirtit vlonjat, ushqim për të mbajtur shpresën gjallë! (VIDEO)

Artistët vlonjatë në këto ditë të vështira kanë zgjedhur, që këngën “Moj e vogla një pëllëmbë” me muzikë edhe orkestrim të Artur Dhamos, tekst të Nexhip Seraj dhe interpretim të Rovena Ibrahimit e këndojnë, si ushqim për të mbajtur gjallë shpresën për të gjithë njerëzimin.

Ora 11:07
“Himn për dashurinë”, aktori sjell vargjet e poezive “Ti meriton një dashuri që...” & “Dhe qielli le të jetë i muzgët” (VIDEO)

Aktori Kristian Koroveshi nga shtëpia e tij, shprehet se nuk duhet të vajtojmë për të keqen, por ta luftojmë izolimin në format tona edhe duke mos përjashtuar udhëzimet e specialistëve. Aktori lexon poezitë “Ti meriton një dashuri” të Frida Kahlo-s, e konsideruar si një himn për dashurinë, edhe “Dhe qielli le të jetë i muzgët” të lirikut shqiptar Skënder Rusi.

Ora 11:01
“Valsi i lumturisë” i Avni Mulës, në kitarë për mjekët nga Denis Bizhga (VIDEO)

Kitaristi Denis Bizhga nga shtëpia përmes kitarës së tij sjell tingujt e këngës “Valsi i Lumturisë” së Avni Mulës interpretuar nga Vaçe Zela për të gjitha bluzat e bardha, që këtë periudhë duhet ta kalojnë në shërbim të njerëzve dhe jo pranë familjarëve të tyre. Artisti u bën apel të gjithë qytetarëve që të ndjekin këshillat edhe të qëndrojnë në shtëpi

Ora 10:56
Flautisti italian homazh nga tarraca e shtëpisë në Bari, performon “Heshtja e shpirtit” (VIDEO)

Në këto ditë të vështira për vendin e tyre, artistët italianë japin mesazhe shprese. Kësaj here është muzikanti klasik me famë ndërkombëtare Leonardo Grittani, që prej tarracës së shtëpisë së tij, i bën homazh qytetit të tij, Barit. Me pamjet e qytetit, më pak të zhurmshëm se kurrë, përmes flautit, artisti interpreton "Heshtja e shpirtit". Një performancë që vjen si një përqafim, për të gjithë bashkëkombësit, që provuan nga Virusi Korona humbjen e njerëzve të dashur, lufton e po bëjnë betejën e tyre kundër kësaj sëmundjeje. Ndërkaq këtë gjest fisnik, artisti e shoqëron edhe me fjalët dedikim: Për Barin tim të heshtur, për Puljan që vuan, Italinë e plagosur, për mbarë botën, mjekët, infermierët, biologët dhe mbi të gjitha për kë po lufton me sëmundjen, për ata që nuk ia dolën dot, për ata që mezi po presin të përqafojnë njerëzit e tyre të dashur, për ata që as nuk mundën të thoshin lamtumirë. Të bashkuar do t’ia dalim dhe dielli do të shkëlqejë përsëri, madje më shumë se më parë". Performanca e artistit ka pasur një impakt të madh tek publiku, jo vetëm ai italian.

Ora 10:52
'Që të fitosh diçka, duhet të sakrifikosh diçka tjetër', sopranoja Renisa Laçka: Të ndalojmë futjen e këtij armiku në shtëpitë tona (VIDEO)

Artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit kanë qenë ndër të parët që i janë bashkuar nismës për ndërgjegjësimin e qytetarëve. 
Sopranoja Renisa Laçka thotë se që të fitojmë këtë betejë duhet të sakrifikojmë diçka, e në këtë rast kostoja është shumë e thjeshtë: Kujdes i shtuar për veten dhe njerëzit që na rrethojnë në mënyrë që të ndalojmë armikun e përkohshëm, koronavirusin, të futet në shtëpitë tona.

Ora 10:52
Gëzim Myshketa ‘duet’ me idhujt e tij, baritoni: Një falënderim atje lart për muzikën e pavdekshme, të Anita dhe Agim Prodanit (VIDEO)

Baritoni Gëzim Myshketa ka zgjedhur që gjatë këtyre ditëve të vetizolimit në shtëpi të bëjë një ‘duet’. Artisti durrsak që prej vitesh jeton edhe punon në Itali, ka realizuar “një duet” me idhujt e tij të muzikës shqiptare, për këngën “S’mendoja” të Anita dhe Agim Prodanit.

“As unë “S’mendoja: që për hir të karantinës dhe meritë të thjeshtë një celulari mundet të duetoja me idhujt e mi, më fisnikët edhe elegantët e muzikës shqiptare; Anita Take dhe Agim Prodani. Një falënderim atje lart për muzikën shqiptar”.

Ora 10:22
Tinguj shprese nga Abigeila Voshtina, violinistja: Mbroni veten! (VIDEO)

Ka zgjedhur që nëpërmjet tungujve të violinës së saj të drejtojë një mesazh me rëndësi jetike për të gjithë njerëzit: Qëndroni në shtëpi! 
Violinistja Abigeila Voshtina thotë se ditët e karantinimit i kanë dhënë asaj mundësinë të qëndrojë më gjatë nën tingujt e violinës ndërkohë që sugjeron leximin e librave dhe yoga

Ora 10:02
Shërues të shpirtit! Mjekët kreativë dhe të buzëqeshur, 'luftojnë' koronavirusin me kërcim (VIDEO)

Është ndoshta situata më e vështirë në jetën e një mjeku, të luftojnë me një sëmundje, e cila mund t'i bëjë 'prenë' e rradhës.

Misioni i tyre është tashmë jo vetëm të shpëtojnë të tjerët, por edhe të mbrojnë veten nga Covid-19, i cili ka rritur frikshëm shifrat e të prekurve në të gjithë botën.
Heronjtë e kësaj lufte janë mjekët dhe ndonëse ndodhen në çdo moment të rrezikuar, ata nuk e kanë humbur për asnjë moment pozitivitetin duke përcjellë optimizëm te të gjithë. Krahas punës së tyre, ata janë përpjekur që brenda mureve ku luftojnë për të shpëtuar jetë, sjellin mesazhe optimizmi edhe nëpërmjet këngës ose kërcimit.

Ora 10:00
Të gjithëve na ka ndodhur! Aktori sjell me humor atë që ndodh brenda shtëpive shqiptare gjatë karantinimit (VIDEO)

Në ditët kur të gjithë ndodhemi të izoluar në shtëpi për të parandaluar përhapjen e koronavirus, i vetmi kontakt me të afërmit tanë është ai nëpërmjet celularit e rrjeteve sociale. 
Mamatë ndoshta po e shfrytëzojnë këtë kohë për bisedat e gjata me të afërmit, e shpesh 'pre' e këtyre bisedave bëhemi të gjithë, edhe pa dashur. 
Aktori i humorit Aleks Seitaj sjell një situatë të tillë.

Ora 09:56
'Mendoni sa bukur është të zgjohesh në mëngjes dhe të marrësh frymë', regjisorja Elma Doresi: Doja ta ndaja me ju... (VIDEO)

Në ditën e 24-t të karantinës, regjisorja Elma Doresi ka ndarë këtë mëngjes një mesazh shumë të rëndësishëm me të gjithë ne nëpërmjet rrjeteve sociale. 
Për të gjithë ata që i ka kapur monotonia e izolimit, Doresi citon shprehjen italiane 'Mendoni sa bukur është të zgjohesh në mëngjes dhe të marrësh frymë'!

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?