Sa më shtohet rroga në një vit? Analiza e Fatos Çoçolit: Si realizohet angazhimi i Qeverisë për rritjen e pagës mesatare në 900 euro

7 Prill 2023, 17:39| Përditesimi: 7 Prill 2023, 17:53

  • Share

Nëntë ditë më parë, më 29 mars, kryeministri mëtoi se brenda dy viteve, paga mesatare bruto(pra, pa hequr taksat) do të bëhej 102 mijë lekë të reja në muaj, ose 900 euro. Sot, pas një analize, qeveria kumtoi se do të duhet vetëm një vit, që nga sot. Aq më mirë!

Sa do më shtohet paga?

Sipas planit të qeverisë, nga 100 mijë lekë të vjetra në muaj për ata me pagë minimale, në 250-320 mijë lekë të vjetra në muaj, për të gjithë punonjësit në shtet me pagë afër pagës mesatare. Qeveria u kujtua vonë për të rritur rrogat, por më mirë vonë se kurrë, thotë populli.

Tabela 1. Sa do më rritet rroga në prill vitin tjetër?
Paga mesatare:
-              2014                                                       45,539 lekë/muaj
-              2022                                                       66,014 lekë/muaj
-              2025(parashikim)                        102,000 lekë/muaj

Në 2022, rritja e pagës ishte më e larta e 8 viteve të fundit. U shtua me 10.8%, në krahasim me 2021. Më 1 prill 2024, i bie të marr 100 mijë lekë të vjetra më shumë, po të kem pagë minimale, ose 240-290 mijë lekë të vjetra më shumë, po të kem pagë mesatare.

Lind pyetja, çfarë e nxiti qeverinë të shikojë me ngulm rritjen e pagës mesatare bruto të 180 mijë punonjësve të saj? Le t’i shikojmë me hollësi arsyet Kjo është paga që duam. Që të mos braktisim në masë vendin tonë. Do e arrijmë vallë?

Sot, paga mesatare në vend, sipas INSTAT, është 66 mijë lekë ose 580 euro. Vendimi për të rritur pagën në administratën publike me 45 përqind nga niveli i tanishëm, brenda një viti, është një vendim sa kurajoz aq pozitiv, i pritur prej shumë kohësh, i domosdoshëm për të gjitha kategoritë e punës dhe strukturën e pagave në sektorin publik.

Tabela 2. Sa do më shkojë në 2024, nëse marr pagë minimale?
-              2013                                                       22 mijë lekë/muaj
-              2021                                                       30 mijë lekë/muaj
-              2023                                                       40 mijë lekë/muaj
-              2024(parashikim)                                   50,000 lekë/muaj

Në 1 prill 2023, paga minimale e bë e treta pagë minimale më e lartë në rajon, baraz me pagën minimale në Maqedoninë e Veriut. Janë 200 mijë qytetarë që marrin pagë minimale në Shqipëri. Paga e tyre një vit më vonë, do të rritet me 100 mijë lekë të vjetra në muaj.

Paga që duam
Vendimi i sotëm i qeverisë do të shërbejë edhe si nxitje për rritjen e mëtejshme të pagave edhe në sektorin privat. Administrata publike punëson sot rreth 180 mijë punonjës, në sektorë si arsim publik, shëndetësi publike, administratë publike qendrore dhe vendore, në polici, ushtri, ndërmarrje shtetërore aksionere, etj. Sektori privat, i cili jep më shumë se 80 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit, punëson më shumë se një milion e dyqind mijë punonjës në Shqipëri. Një pjesë e mirë e punonjësve në sektorin privat, rreth 40 përqind, janë të vetëpunësuar në bujqësi.

Tabela 3. A kam marrë më shumë rrogë në privat në tetor-dhjetor 2022?
-Rritja e fondit të pagave në sektorin privat trem. tetor-dhjetor 2022/trem. tet-dhjet 2021)
-              Tregti                                                    14.3%
-              Arkitekture-Inxhineri                     18.0%
-              Bar-Restorante                                 23.1%
-              Hotele                                                  39.0%
-              Informacion-Komunikim               46.2%
-              Agjenci udhetimi                              50.0%
Burimi: INSTAT

Niveli i pagave, më shumë se sa një politikë sociale, varet nga produktiviteti(sasia e mallrave dhe shërbimeve që prodhon në njësinë e kohës) i ekonomisë dhe mundësitë financiare që ka vendi për të zbatuar një politikë të pagave më të larta minimale dhe mesatare.

Shtimi i ndjeshëm i pagës minimale do të shërbejë si presion pozitiv edhe për rritjen e pagës mesatare në ekonominë shqiptare. Tek ne, prej vitesh ka pasur një hendek lidhur me nivelin e pagave minimale dhe mesatare, krahasuar me vendet e rajonit, të afërta me nivelin e fuqisë blerëse të vendit tonë, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në nëndë vitet e fundit,  rritja ekonomike nuk ka arritur që të kthehet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, ndërkohë që të ardhurat për frymë vijojnë të mbeten, pas Kosovës, më të ulëtat në Europë, me 32% të mesatares europiane, sipas Eurostat. 

Paga mesatare 900 euro: mision i mundur!

Paga mesatare bruto(pa taksat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore), është rritur ngadalë gjatë nëndë viteve 2013-2021. Nga 45.5 mijë lekë që ishte në vitin 2014, viti i parë që INSTAT raporton pagën mesatare, ajo arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-in, me një rritje të paindeksuar me inflacionin, prej 45 përqind. Gjatë vitit 2022, pagat u rritën me shtim dyshifror, nga presioni i inflacionit të lartë dhe nga presioni i mungesës së punonjësve, me pothuajse të gjitha bizneset që raportonin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë, deri në nivele 55 mijë-60 mijë punonjës në kërkim.

Tabela 4. Paga mesatare 900 euro: mision i mundur!
•             Për të rritur pagën e 180 mijë punonjësve në shtet(buxhetorë, bashki, sh.a) deri në kufirin 900 euro(102 mijë lekë), qeverise i duhen 700 milionë euro shtesë brenda 12 muajve! 
•             I ka ajo keto para?
PO! Nga do i gjejë?
1.            Sufiçit nga inflacioni i lartë(Viti 2022 dha 470 mln euro më shumë. Pritet dhe 2023 të japë 380 mln euro më shumë, ndërsa 2024 do japë 240 mln euro
2.            Fiskalizimi po sjell ulje të informalitetit. Më pak informalitet, më shumë të ardhura në buxhet. Shtim të ardhurash 110 mln euro
3.            Miradministrim tatimor 2023-2024: Shtim të ardhurash 110 mln euro

Kuptohet se, ndërsa qeveria ka në dorë rritjen e pagës minimale, që e çoi në 40 mijë lekë, nga 1 prilli 2023, është tregu ai që e rrit pagën mesatare. Megjithatë, qeveria, me politikën e saj të shtimit të pagës mesatare në sektorin publik, mund të ushtrojë një presion pozitiv të rëndësishëm mbi sektorin privat, për ta rritur edhe ai pagën mesatare akoma dhe më shumë nga sa e ka shtuar vitin e fundit.

Tabela 5. Pse qeveria po na rrit pagat?
KRYEARËSYEJA PSE I DUHEN PAGAT MË TË RRITURA
-              Qeveria ka kuptuar(më në fund!) se vendit po i largohen qytetarët e vet, shumë më tepër nga ç’i largohen Maqedonisë së Veriut, Kosovës apo Malit të Zi
ARËSYE TË TJERA
-              Paga më të larta, qytetarë më të gëzuar. Votues më shumë për partinë e qeverisë më 14 maj 2023
-              Paga më të larta, më shumë para për skemën e pensioneve

Premtimi i sotëm i qeverisë, që brenda një viti, paga mesatare do të shkojë në 102 mijë lekë, realisht e sjell këtë pagë në nivelin e pagës mesatare në dy sektorët me pagat më të larta në vend, sektori i Informacionin dhe Komunikimit, që e ka pagën mesatare 103 mijë lekë në muaj dhe sektori i Aktiviteteve Financiare dhe Sigurimeve, pra sektori bankar, me pagë mesatare 106 mijë lekë në muaj.

Nga çdo këndvështrim, vendimi i sotëm i qeverisë për rritjen e pagës mesatare në 900 euro brenda një viti, është vendim i shumëpritur, që do të mundësojë një politikë më strukturore në ekonominë dhe shoqërinë tonë, për të vlerësuar më shumë punën në raport me të ardhurat e tjera nga kapitali. Nuk mund të taksojmë kapitalin e aksionerit të një kompanie(dividendin) me 8 përqind dhe pagën me 15 dhe 23 përqind! Paga që duam duhet të jetë pa këto absurditete.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 19/04/2023 14:23

    mire e ke ti por te shohim kur te behet realitet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?