Politikë

Sa na kushtojnë deputetët? Kuvendi kaloi 2.2 mln € në llogaritë e ligjvënësve për 5 muaj, 730.000 € për karburant, dieta, telefon dhe qira

28 Qershor, 16:01| Përditesimi: 28 Qershor, 21:47

  • Share

Rreth 1.5 mln euro në 5 muaj janë shpenzuar për pagat mujore, dhe afro 730 mijë euro për shpenzime të tjera ekstra që deputetët pretendohet të kenë kryer në funksion të detyrës së tyre. Ajo çka vihet re më së shumti, është se rimbursimet më të mëdha deputetët i marrin për dieta dhe udhëtime brenda vendit, shuma që variojnë nga 78 deri në 150 mijë lekë të reja çdo muaj.

Në llogarinë e tyre të përmuajshme shtohen edhe shpenzimet e karburantit nga 30-40 mijë lekë. Hallet me popullin deputetët mesa duket i qajnë në telefon, pasi secili prej tyre merr çdo muaj rimbursim për shpenzimet telefonike 17 mijë lekë të reja. Të tjerë faturën për telefonin e kanë edhe më të shtrenjtë për shkak të detyrës dhe arrijnë në 20 mijë lekë të reja, si krerët e komisioneve Klotilda Bushka, Mimi Kodheli, Ina Zhupa, Jorida Tabaku, Zheni Gjergji etj.  I vetmi me shpenzime modeste në telefoni është Agron Gjekmarkaj, me shifra që variojnë nga 2 deri në 7 mijë lekë të reja.

Nga përfitimet ekstra, kanë hequr dorë Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët jo vetëm për 5 muajt e parë të këtij viti, por që nga shtatori i 2024-ës, rezulton të kenë marrë zero rimbursime për dieta dhe udhëtime brenda vendit.

Listës së tyre i bashkohen edhe deputetët Fatmir Xhafaj, Lindita Nikolla, Agron Shehaj, Bujar Leskaj, Pandeli Majko, Agron Çela e Etilda Gjonaj të cilët janë treguar modest me shpenzimet pa çuar në kuvend që nga shtatori, asnjë faturë hoteli, drekash e darkash, apo të tjera shpenzime.

Një pjesë tjetër të përfitimeve, mbi rrogën e përmuajshme deputetët e marrin si honorare për pjesëmarrjen në komisione. Çmimet e apartamenteve janë bërë të papërballueshme edhe për deputetët, pasi 21 prej tyre nuk arrijnë dot të blejnë një banesë në kryeqytetet dhe përfitojnë çdo muaj 35 mijë lekë rimbursim për qiranë.

K.T./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shqip: 29/06/2025 11:48

    Ca behet kështu!

    Përgjigju
  • Rruga e Dibres: 28/06/2025 22:39

    Lexoj vetem "titullin" ........ Mesatarisht nje deputet ka shpenzuar 5 214 Eur Karburant ne Pese muaj,ose 1 042 Eur / muaj ........ Skandaaaal ! Turp ! ....Por,keta e "hane me buke"..... Rruga e Dibres

    Përgjigju
  • Ajo: 28/06/2025 16:30

    Per cfare paguhen keta kaq shume cfare dobish i sjellin popullit?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?