Përballë çmimeve të pronave që vetëm rriten, e që po shtojnë kërkesën për kredi nga qytetarët apo bizneset, Banka e Shqipërisë po përgatitet për të mbrojtur sektorin bankar nga ekspozimi i tyre në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në raportin vjetor të depozituar në Kuvend, Banka e Shqipërisë thotë se ka nisur të përpunojë dhe analizojë të dhënat që bankat tregtare kanë deklaruar për vlerën e kredisë së re të dhënë për blerje pronash, si dhe stokun e kredisë që kanë për këtë sektor.
Prej fundit të vitit 2024, banka qendrore ka nisur të bëjë analizë të thelluar për raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës si dhe raportin midis borxhit të kredimarrësit me të ardhurat që ai ka.
“Analiza e përgatitur përmban të dhëna të detajuara mbi standardet e kredisë për blerje dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme dhe të kredisë për qëllime të tjera, të siguruar me pasuri të paluajtshme”, thuhet në raport.
Këto masa të parashikuar në një rregullore të vitit 2023, sipas Bankës së Shqipërisë ndërmerren për të mbrojtur bankat nga rreziku i mos pagesës së kredisë në rast vështirësie nga kredimarrësit apo frikës për një rritje të kredive me probleme.
“Analiza mundëson monitorimin dhe identifikimin e hershëm të rreziqeve ndaj stabilitetit financiar, dhe kalibrimin, në të ardhmen, e masave makroprudenciale me objektiv huamarrësin dhe masave të tjera me objektiv sektorin bankar, të cilat synojnë edhe ruajtjen e cilësisë së kredisë, nëpërmjet uljes së rrezikut të huamarrësit, dhe forcimin e qëndrueshmërisë së bankave, nëpërmjet rritjes së kërkesave për kapital”, vijon raporti.
Nëse gjykohet nga Banka e Shqipërisë se ekspozimi i bankave është shumë i lartë, mund të caktohen tavane për masën e kredisë që do mund të japin bankat për blerje pasurie të patundshme. Për shembull, nëse një bankë financon deri në 80% blerjen e një banese, në rast rreziku ky financim mund të kufizohet edhe më poshtë në 60 apo 70%. Ose mund të ketë forcim kushtesh kur merret kredi për shtëpitë e dyta ose më shumë.
Qytetarët shqiptarë vetëm në dy muajit e parë të këtij viti kanë marrë 106 milionë euro kredi pranë bankave për të blerë shtëpi, në rritje me 31 milionë euro krahasuar me vjet.
Komente
