Sabotimi i Nord Stream

Bota

Sabotimi i Nord Stream/ U arrestua në Itali, 49-vjeçari ukrainas komandonte jahtin të përdorur në mision! Në bord ishin edhe 5 të tjerë

22 Gusht, 09:08| Përditesimi: 22 Gusht, 09:20

  • Share

Ai ishte komandanti. Në atë mision, në të cilin ishin gjashtë vetë, një ekuipazh i vogël civilësh dhe ushtarakësh në bord të një jahti me vela për të minuar gazsjellësin Nord Stream, Serghei Kuzientsov ishte shefi i misionit. Dhe duket e pabesueshme që një nga sabotimet më të mëdha të historisë, një akt që ka shënuar fazat e para të luftës në Ukrainë, të ishte kryer mbi një anije 15-metërshe, "Andromeda", e marrë me qira në Rostock të Gjermanisë. Por ajo që tashmë është etiketuar si një operacion i Kievit — për të cilin dihet shumë nga hetimet, rrjedhjet dhe goditjet gazetareske — ka qenë që në origjinë një operacion i paimagjinueshëm.
Kështu e ka treguar një oficer ukrainas që mori pjesë në ideimin e saj, për Bojan Pancevskin, reporterin e Wall Street Journal me shumë zbulime: "Qesh gjithmonë kur lexoj spekulimet e mediave mbi supozuara operacione gjigante, ku përfshihen shërbime sekrete, nëndetëse, dronë dhe satelitë. Gjithë historia lindi një natë me pije të rënda, dhe nga vendosmëria e hekurt e një grushti njerëzish që patën guximin të rrezikonin jetën për vendin e tyre". Treqind mijë euro, të nxjerra nga biznesmenët: aq do të kishte kushtuar të hidhej në erë gazsjellësi i Putinit. Ishte një grup oficerësh të lartë, miliarderësh dhe miqsh: gjurma e tyre, megjithatë, të çon deri te ish-komandanti suprem i forcave të armatosura ukrainase, gjenerali Valeriy Zaluzhny, i cili gjoja dha miratimin e tij. Për këtë, të paktën, janë të bindur hetuesit gjermanë.

Serghii Kuzientsov — Sergeii K. për mediat gjermane, që nuk zbulojnë gjeneralitetet e tij — 49 vjeç, është ish-kapiten i ushtrisë në pension, ish-anëtar i shërbimeve sekrete SBU, pjesëtar i njësisë elitare që në muajt e parë të luftës në vitin 2022 mbrojti Kievin nga sulmi rus, sipas Wall Street Journal. Ekipi i tij u nis nga Rostock më 7 shtator, drejt ishullit danez të Bornholmit, duke kaluar nga Polonia dhe Suedia. Në bord ishin katër zhytës civilë të specializuar — mes tyre edhe një grua, e rekrutuar për ta bërë daljen të dukej si një shëtitje mes miqsh — dhe dy ushtarakë të elitës.

Ata ishin të pajisur me materiale zhytjeje, një sonar portativ dhe harta me burim të hapur për të lokalizuar tubacionin, të vendosur 80 metra nën det. Është supozuar se ata bënin zbritje dyshe, në ujëra shumë të ftohta, me kohëzgjatje 20 minuta: kjo do të thotë se në ngjitje kërkohej një dekompresion prej 3 orësh dhe 24 orë pushim. Por është e mundur që zhytjet të kenë qenë më të shkurtra, me pauza 4-5 orëshe.

Gazsjellësi shpërtheu më 26 shtator, duke gjeneruar aq shumë CO2 sa prodhon Danimarka në një vit: tre nga katër tubacionet u shkatërruan. Në ikje, megjithatë, sërish përmes Rostock-ut, ekipi bëri një gabim. Jahti Andromeda nuk u pastrua mirë. Dhe nga fundi i detit hetuesit gjermanë kanë rikuperuar gjurmë, "material njerëzor", ADN, deri në rindërtimin e identiteteve të tyre.

Kush e dinte planin? Është shkruar se Zelensky fillimisht dha miratimin, dhe kur CIA e përgjoi përgatitjen e bllokoi. Por gjenerali Zaluzhny nuk iu bind (Zelenskyt do t’i kishte thënë: "Është si të ndalosh një silur: një herë që ka nisur, mund të presësh vetëm të shpërthejë"). Gjenerali megjithatë ka mohuar gjithmonë, dhe gazetarëve që i kanë bërë pyetje u ka përgjigjur: "Ky është një provokim".
Pak ndihmë u ka ardhur prokurorëve nga shërbimet gjermane. E megjithatë, në tre vjet ujërat janë trazuar. Një vit më parë një zhytës u identifikua në Poloni: u lëshua urdhër-arresti ndërkombëtar, por i kërkuari u paralajmërua dhe iku në Ukrainë.

Arrestimi në Itali është pra arrestimi i parë për Nord Stream. Një ish-007 dhe kapiten ushtarak, me lidhje shumë të fuqishme në Kiev, që zyrtarisht nuk ka bërë asgjë dhe që ka marrë pjesë në një operacion që nuk ekziston, ndodhet në një burg në Bolonjë. Do të jetë një kokëçarje e madhe për marrëdhëniet me Kievin. "Një operacion i jashtëzakonshëm", e ka quajtur ministrja gjermane e Drejtësisë. Sergeii K., nga pak lajme të dala, është identifikuar nga hetuesit federalë ndërsa blinte biletën e avionit, duke shkuar nga Polonia në Rivierë, dhe më pas u prit në grackën italiane. Lajmi u shpërnda nga prokurorët gjermanë që në mëngjes herët: më mirë të mos prisni, ata ishin djegur tashmë një herë, në Poloni./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?