Kronikë

Sadushi: Reforma të guximshme, por ende larg besimit të plotë të publikut! Vettingu s'është certifikatë e përjetshme pastërtie

19 Shtator, 11:32| Përditesimi: 19 Shtator, 13:14

  • Share

 

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi thotë se ndonëse është ecur përpara dhe janë marrë reforma të guximshme për drejtësinë, ende jemi larg besimit të plotë të publikut, duke e cilësuar si "plagën më të madhe". Në një takim të nivelit të lartë me institucione të tjera të drejtësisë, Sadushi, tha se për të arritur besimin e publikut duhet të marrim më shumë përgjegjësi dhe se nuk është koha për lavdërime. 

"Projekti Enhancing Judicial Integrity in Albania vjen në një moment të rëndësishëm. Reforma në drejtësi është në një fazë delikate. Institucionet e drejtësisë janë funksionale, por nëse qytetari shqiptar nuk e ndien se gjykata është vendi ku merr drejtësi, atëherë e gjithë kjo mbetet e paplotë. Raportet e Komisionit Europian e thonë hapur: ka progres, por vetëm “progres i moderuar”. Ka institucione të reja, por ndikimi mbi drejtësinë mbetet shqetësim. Ka vendime, por cilësia dhe koherenca e tyre është ende e ndryshueshme.", tha ai.

Duke e cilësuar vettingun  si hap të guximshëm, Sadushi theksoi se nuk është një certifikatë e përjetshme pastërtie. Sipas tij, vettingu duhet të jetë pika e nisjes së një standarti të ti, ku gjyqtarë e prokurorë duhet të dëshmojnë çdo ditë me vendime dhe me sjellje e qëndrimë se janë të denjë për besimin që iu është dhënë. 

"Megjithatë, të gjithë e dimë se vetingu nuk është zgjidhja përfundimtare. Vetingu u mendua si një masë e jashtëzakonshme dhe si një mjet i përkohshëm. Nëse sistemi ynë do të mbetet peng i masave emergjente, atëherë nuk do të arrijmë kurrë të ndërtojmë një drejtësi që qëndron mbi themele të forta. Sfida jonë sot është të kalojmë nga instrumenti i jashtëzakonshëm tek mekanizmat e përhershëm, nga pastrimi i sistemit tek ndërtimi i tij, nga frika tek vetëdija, nga rregulli i imponuar tek kultura e brendshme. Vetëm kështu reforma nuk mbetet një episod, por bëhet trashëgimi, e cila ndërtohet mbi katër shtylla: llogaridhënie, paanësi, etikë dhe integritet. Këto nuk janë vetëm parime abstrakte, por themelet mbi të cilat ngrihet besimi i publikut tek drejtësia.", shtoi Sadushi. 

Gjyqësori, tha Sadushi, përballet ende me paragjykime të forta për ndikime të jashtme, vonesa apo mungesë qëndrueshmërie në vendime. Sadushi u shpreh gjithashtu se llogaridhënia duhet të jetë e para, dhe nëse gjykata nuk jep llogari për vendimet e saj, atëherë reforma do të mbetet e gjymtuar. Sipas tij, nëse drejtësia do të "mposhtet" nga presionet, atëherë nuk mund të quhet si e tillë. 

"Një nga problemet më të mëdha që ka mbërthyer sistemin e drejtësisë është konformizmi. Një drejtësi që pajtohet me çdo presion, që përshtatet me çdo rrethanë, nuk është drejtësi. Një gjyqësor konformist është një gjyqësor i dobët. Ne nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta, edhe kur ajo është e hidhur, sepse vetëm duke e thënë hapur, ne bëjmë hapin për ta ndryshuar.", tha Sadushi. 


Lajmi kryesor:

Metani-politikës: Sulme antikushtetuese drejtësisë! Sadushi ndaj KLGJ e KLP: Të marrin më shumë përgjegjësi! Dumani: S'ndikohemi nga presionet


Xh.D/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?