Kronikë

Sadushi: SPAK sukses, por puna e Prokurorisë së zakonshme s'duhet të mbetet në hije! Drejtësia nuk ndërtohet nga një institucion i vetëm, të ecim së bashku

19 Shtator, 11:46| Përditesimi: 19 Shtator, 13:12

  • Share

 

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi vlerësoi edhe punën e SPAK, por shtoi se puna e Prokurorisë së zakonshme nuk mund të mbetet në hije. Në takimin me institucionet e drejtësisë, ai tha se pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i Prokurorisë Speciale nuk do të kishte efekt të fortë. 

"E pikërisht në këtë klimë pritshmërish, rëndohet edhe barra mbi SPAK-un dhe gjykatat e posaçme. Ato kanë fituar respektin e publikut dhe qytetarët i shohin si shpresën konkrete të reformës. Por ky respekt nuk është garanci e përhershme: ai duhet fituar çdo ditë, me hetime të paanshme, gjykime të shpejta dhe vendime të argumentuara. Në këtë sfond, edhe prokuroria e zakonshme nuk mund të mbetet në hije. Ajo është porta e parë e drejtësisë për qytetarët dhe aty matet çdo ditë besimi real tek shteti i së drejtës. Pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i SPAK-ut nuk mund të ketë efekt të plotë.", tha Sadushi.

Ai kërkoi bashkëpunim të të gjithë institucioneve të drejtësisë si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe  bërë reformën realitet. 

"Në këtë mënyrë, vetëm duke pranuar dobësitë tona, ne mund të bëhemi më të fortë. Të gjitha këto tregojnë se drejtësia nuk ndërtohet nga një institucion i vetëm. Vetëm nëse Gjykata e Lartë, Këshillat, ILD, SPAK, Gjykatat e posaçme dhe Shkolla e Magjistraturës ecin së bashku, reforma bëhet realitet. Nëse secili sheh vetëm detyrën e vet të ngushtë, reforma mbetet letër.", shtoi Sadushi.

Sipas Sadushit, kapitujt e integrimit nuk mund të mbyllen vetëm me fjalime politike por me rezultate të matshme në sundimin e ligjit, dhe një gjë e tillë nuk është një kusht i vendosur nga Brukseli, por edhe i qytetarëve tanë. 

"Brenda kësaj tabloje, vendimet gjyqësore që fitojnë besimin e qytetarëve janë prova e padiskutueshme se reforma po funksionon. Ky nuk është kusht i vendosur nga Brukseli, është kërkesë e qytetarëve tanë, është detyrimi ynë për ta përmbushur.", shtoi ai. 
 


Lajmi kryesor:

Metani-politikës: Sulme antikushtetuese drejtësisë! Sadushi ndaj KLGJ e KLP: Të marrin më shumë përgjegjësi! Dumani: S'ndikohemi nga presionet


Xh.D/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?