Qytetarët shqiptarë, por edhe ata që vizitojnë vendin tonë, do të përdorin produkte ushqimore më të sigurta, ndërsa autoritetet kanë forcuar kapacitetet për kontrollet dhe inspektime, falë projektit SAFIAL (Forcimi Institucional i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për menaxhimin e Sigurisë Ushqimore).
Ky projekt, investim prej 2.4 milion € financiar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor, u zbatua në bashkëpunim nga CIHEAM Bari me qëllim që ushqimet të kenë më pak mbetje kimike; vendi të jetë më i sigurt nga hyrja e sëmundjeve karantinore të bimëve, përmirësim të përdorimit të produkteve mjekësore veterinare, duke forcuar shërbimin veterinar për mijëra fermerë blegtorie.
Për përmbushjen e këtyre qëllimeve nga maji i vitit 2021 deri në mbyllje të projektit, u investua në rritjen e kapaciteteve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për të kryer verifikime mbi cilësinë e produkteve ushqimore dhe bimëve që hyjnë në Portin e Durrësit, përmes Pikave të reja të Inspektimit Kufitar.
Gjatë projektit janë kryer trajnime për kontrollet e inspektimit, analizat e produkteve ushqimore dhe studime bazë. Investime pati edhe për rritjen e kapaciteteve të laboratorit të AKU Durrës dhe të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për analizën e ndryshme të ushqimeve, si dhe për pesticidet, për diagnostikimin fitosanitar, me laboratorë për diagnostikimin e baktereve e viruseve, toksinave, produkteve për mbrojtjen e bimëve, cilësinë e vajrave si dhe për sigurinë në punë dhe mjedis.
Trajnimet u kryen në laboratorët e CIHEAM në Bari të Italisë, por edhe në ISUV Tiranë dhe në AKU Durrës, për përdorimin e teknologjive moderne dhe pajisjeve të sjella për identifikimin e patogjenëve bimorë. Në fokus të trajnimeve ishte edhe riorganizimi i forcimit të shërbimit veterinar nëpërmjet vlerësimit të kafshëve dhe kompjuterizimit të të dhënave, ku u përfshinë 30 veterinerë që vizituan mbi 800 ferma blegtorale me mbi 5 krerë. Përmes këtyre vizitave u konfirmua sistemi i ri i regjistrimit të lëvizjes së kafshëve dhe autoritetet përkatëse kryen regjistrimet e para të kuajve. Falë digjitalizimit dhe regjistrimeve në kohë reale të lëvizjeve të kafshëve, projekti kontribuoi në rritjen e sigurisë, gjurmueshmërisë së mishit dhe nën-produkteve të tij.