KUKES - Qytetarët e Kukësit i drejtohen nesër kutive të votimit, në zgjedhjet e pjesshme për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri.
Kjo e shtunë shënon heshtjen zgjedhore, ndërsa gjithçka është gati për rivotimin e ditës së diel. Pasditen e sotme ka nisur dhe shpërndarja e materialeve zgjedhore në 74 qendrat e votimit.
Në këtë proces zgjedhor siç njoftoi policia e kukësit janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës.
Janë në total 45 mijë 946 qytetarë me të drejtë vote, që të dielën i drejtohen kutive të votimit.
Ata do të kenë vetëm një fletë votimi, ku do të jenë të renditur dy kandidatët e vetëm në garë. Numrin 1 e mban Albert Halilaj i socialistëve, ndërsa numrin 2 Emri Vata i koalicionit “Bashkë fitojmë”.
Kukësi shkon në zgjedhje më 24 shtator, pas video-skandalit seksual ku ish-kryebashkiaku Safet Gjici shfaqet duke kryer marrëdhënie intime me Alma K. brenda në ambientet e zyrës së bashkisë. Prej 24 qershorit 2023 ai ndodhet në paraburgim dhe akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv”.
Safet Gjici akuzohet se gjatë kohës që ka qenë ish kryebashkiak i Kukësit favorizoi Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.
Drejtoria Vendore e policisë në Kukës ka njoftuar se ka marrë në mbrojtje 74 qendrat e votimit, ku qytetarët do të votojnë nesër për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.
"Në kuadër të masave të marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës dhe Komisariati i Policisë Kukës, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, njoftojmë se përfundoi marrja në ruajtje nga punonjësit e Policisë, e 74 qendrave të votimit (QV) dhe e KZAZ-së".
Policia e Kukësit ka njoftuar planin e masave për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryebashkiakun e ri që do të zhvillohet nesër në Kukës.
"Është miratuar nga KQZ-ja, lista e punonjësve të Policisë që do të angazhohen në procesin zgjedhor. Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 99 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 74 qendrat e votimit dhe në vendnumërimin e votave prane KZAZ-së nr. 11 Kukës. Gjithashtu, për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, në vazhdimësinë e shërbimeve që kryen Policia e Shtetit çdo ditë, janë anagazhuar dhe 78 punonjës të tjerë policie. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Kukës janë tejet të vendosura dhe të angazhuara për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit. Në këtë kuadër apelojmë për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera. Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt", njofton zëvëndësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Kryekomisar Kujtim Gjoka, në një deklaratë për shtyp.
Ka nisur pasditen e sotme shpërndarja e materialeve zgjedhore në 74 qendrat e votimit që do hapen të dielën e 24 shatorit për zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Kukës. Ky proces po ndiqet nga afër edhe KQZ dhe sipas Lealba Pelinku, nënkomisioniere po vijon normalisht pa asnjë problematikë deri tani. Fillimisht procesi ka nisur për zonat më të largëta nga KZAZ dhe më pas do bëhet shpërndarja e materialeve për zonat e tjera më të afërta. Pasi të bëhet shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit, Policia do të marrë në ruajtje QV deri në fillimin e procesit të votimit. Më pas efektivët do të jenë të angazhuar në terren për të garantuar siguri të plotë në proçesin e votimit, i cili nis nesër në orën 7:00.