Çmimi i Madh i Australisë në Formula 1 u fitua nga Max Verstappen i Red Bull, me skuderinë britanike që ka dominuar këtë fillim sezoni. Në garën e Melburnit pati edhe pakënaqësi, me pilotin e Ferrarit, Carlos Sainz që ndihet i grabitur.
Në këtë garë kishte tre flamuj të kuq dhe episodi mes Sainz dhe Alonso ishte në fillim, i shkaktuar nga një gomë e dalë vendit nga Magnussen. Spanjolli i Ferrarit u përplas me bashkëkombasin e tij dhe manovra u vlerësua me një penalitet prej pesë sekondash.
Në fund, me vetëm një xhiro të zhvilluar pas makinës së sigurisë, penaliteti me pesë sekonda e zbriti Sainz nga vendi i katërt në atë të dymbëdhjetë, pra jashtë pikëve.
"Preferoj të mos flas për këtë, përndryshe nëse flas tani do të flas keq. Preferoj të shoh komisarët në fillim dhe të pres që ata të ndryshojnë penalitetin. Ndjej se na kanë grabitur, nuk dua të flas, ndryshe do të them fjalë të këqija. Nëse nuk shkoj më parë te ekipi, nuk mund të flas me kthjelltësi”, tha Carlos Sainz për mikrofonin e Sky Sport.