Është fëmija që u shua vetëm 8 vjeç në kampin e Tepelenës. Endri Çela e nxjerr “Sajzën” nga tregimi i Agron Tufës, për të dëshmuar mizorinë e diktaturës. Zhvarrosja e saj në skenë është një akt i fortë simbolik.
Publiku është ngjitur në skenën e rrethuar me tela. Artistja Valentina Myteveli i jep zë fëmijëve- viktima të atij kampi kobëzi.
“Personazhi i Sajzës ka një histori shumë të dhimbshme, që fatkeqësisht e kanë pasur shumë fëmijë të tjerë në atë kamp. Dhe, përvoja e (zh) varrosjes të fuste në gjendje. Dheu ishte shumë i ftohtë...” , tregon Valentina Myteveli, që interpreton rolin e “Sajzës”.
Premierë e Teatrit Eksperimental, me “Lule Sajzën” regjisori Endri Çela futet në shtegun e teatrit dokumentar përmes interpretimit të aktorëve, dëshmive filmike dhe të mbijetuarve në skenë. Hulumton e zgjedh disa nga dëshmitë e të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës.
“Me ndihmën e Institutit të Studimit të Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit kam arritur që për 2 muaj kohë të kem hulumtuar kryesisht botimet “Zërat e kujtesës”, por edhe botime të tjera të Fatbardha Saraçi Mulletit apo të Kastriot Dervishit. Mandej kam arritur që të përmbledh disa materiale të cilat nuk janë asgjë tjetër përveçse dëshmi edhe fakte nga nga të mbijetuarit e kampit të Tepelenës”, shprehet regjisori Endri Çela.
Për të rrëfyer vuajtjet e të mbijetuarës Klorë Mirakaj, që u internua bashkë me nënën e saj, Çela zgjedh Rajmonda Bulkun. Historinë e Asijes, të bijës së nacionalistit antikomunistit Ramazan Habili, që humbi në kamp dy motra dhe një vëlla, 3, 13 dhe 8 vjeç si “Sajza” e sjell Adriana Tolka.
Në skenë shpaloset vuajtja nga torturat, uria, vdekja... Janë vuajtje që shqiptari ja shkaktoi shqiptarit.
“Është holokaust dhe ne ja bëmë njëri-tjetrit për fat të keq, nuk na i bëri Hitleri, dhe kjo është ajo që nuk duhet të harrojmë, që duhet tu kujtojmë brezave të rinj që shikoni kemi edhe një kaluar të hidhur dhe për fat të keq nga njëri tjetri me njëri tjetrin”, thotë Bulku.
Të mbijetuarit jetuan e jetojnë edhe për të dëshmuar (në skenë ftohet dhe Simon Mirakaj, ish i përndjekur).
“Është ajo thënia e famshme e At Zef Pllumit ‘Rrno për me kujtue’. Është tamam kështu. Dhe pikërisht unë u frymëzova duke dëgjuar historinë e Klorës, që ësht ende në jetë. Më dha atë shkëndijën atij shpirtit luftarak për të jetuar. Vuaj jeto, dhe që i kemi sot këto dëshmi na ndihmojnë për të ditur vërtetë se çfarë kemi qenë apo çfarë kemi bërë me njëri-tjetrin”, thotë Bulku.
Por, dëshmitarë të asaj që ndodhi siç rrëfen Bulku në skenë janë edhe shkaktarët e atyre krimeve.
“Këto dy fjalë i kam shtuar unë, doli natyrshëm. Padyshim që ajo është e vërteta jonë e hidhur: Që janë gjallë që nuk thonë një më fal. Që nuk del njeri të thotë, po këto i kemi bërë . Këtë e kam bërë me urdhër, këtë e kam bërë pa shpirt, këtë e kam bërë me shpirt të thyer. Njeriu del dhe thotë: Më falni o njerëz, nuk desha!”, shton më tej aktorja.
“Lule Sajza” shënoi premierën në 21 mars dhe vijon të shfaqet për publikun.