“Ilir Meta është i burgosur politik dhe ka mbështetjen e plotë totale të PD dhe të gjithë opozitës shqiptare. Nuk ka diskutim. Ai donte në lista të hapura, por ata e mbajnë në burg që të mos bëjë fushatë”
Kjo deklaratë e Berishës të hënën para SPAK, përveç mbështetjes ndaj aleatit të tij më të madh, në koalicionin mes 25 partive më shumë se modeste, fsheh edhe një “prapaskenë”, siç duket të menduar mirë.
Futja e Ilir Metës në listën e mbyllur për deputetë, nënkupton një mandat thuajse të sigurt ndërsa qëllimi final duket se është lirimi nga burgu i kreut të Partisë së Lirisë, nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, dhe vendosjen e Prokurorisë së Posaçme përpara një ngërçi procedural.
Çfarë pritet të ndodhë? Sipas nenit 71 pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Pra ditën që KQZ bën shpërndarjen zyrtare të mandateve, deputeti quhet i zgjedhur dhe me këtë fillojnë edhe të gjitha detyrimet dhe privilegjet e mandatit të ligjvënësit, përfshirë imunitetin.
Nga ana tjetër vendime të gjykatave më të mëdha në vend kanë krijuar në Shqipëri precedentët që çdo person që ka pasur arrest me burg, në momentin që është zgjedhur deputet është liruar menjëherë. Rasti më analogjik me Ilir Metën është ai i ish deputetit Azgan Haklaj. Një vendim i 23 korrikut 2001 i Gjykatës së Lartë liroi menjëherë nga masa e arrestit me burg deputetin e atëhershëm Azgan Haklaj, pasi gjykata tha se ai tashmë kishte imunitet pasi kishte fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e zhvilluar vetëm pak javë më herët.
Pra duket qartë se janë të gjitha gjasat që Ilir Meta me marrjen e mandatit të deputet, prej listave të Sali Berishës, do të lirohet nga burgu pasi shuhet masa e sigurisë ndaj tij, e konfirmuar kjo deri në Gjykatë të Lartë.
Kuriozitet në këtë rast shfaq mënyra se si SPAK do të reagonte. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Prokurorisë së Posaçme do t’i duhej një kërkesë tjetër drejtuar parlamentit që ky i fundit t’i jepte autorizimin për riarrestimin e Metës. Por nga ana tjetër kërkesa do t’i shkonte një Kuvendi të shpërndarë, i cili mund të mblidhet vetëm në raste të jashtëzakonshme. A do ta vlerësonte Kuvendi një rast të tillë të jashtëzakonshëm?! Kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë duket e sigurt, se me ndihmën e Sali Berishës, Ilir Meta do t’i shijonte disa ditë në liri.
Komente

Shtete rebele si Shqipëria dhe Kosova! Njëherë i shpallin mëvetësitë pastaj i formojnë gjykatat pastaj i zhbëjnë ato dhe e dorëzojnë mëvetësinë! Sukses në fakt, atë që tentojnë armiqtë e bëjmë ne vet!
Përgjigju