Martin Leka tregon për Report Tv burgun dhe qelinë! Si e burgosi Sali Berisha në vitin 1994 për fjalën e lirë dhe Gazetën Koha Jonë! Përse u bë shok burgu me Fatos Nanon dhe Ramiz Alinë?
Kush e liroi nga qelia si dhe kur? Esencë, çdo të premte, ora 21:00 në Report Tv, me Eljan Taninin.
Eljan Tanini: Ishte koha kur Sali Berisha e shtypte shtypin me burg! Martin Leka u dënua nga demokracia e re që imitonte demokracinë e vjetër 31 vite më pare. Pse?
Martin Leka: -Aspironim idealet e Lirisë, kishte zhvillime të vrullshme demokratike. Ishte koha e Sali Berishës President, ai që aspiron ende sot pas kaq shumë vitesh të bëhet kryeministër! Nuk duhet të vinte në krye të demokracisë një ish komunist si Sali Berisha, por një person i pastër.
Sali Berisha nisi në të gjitha drejtimet të thyente lirinë e medias, arrestimet e funksionarëve të lartë të shtetit, arrestimi i liderit të opozitës, tregtarëve, biznesmenë, të cilët unë i kisha në burg etj…
Isha në burg bashkë me Aleksandër Frangajn, atje ishte edhe Ramiz Alia, Fatos Nano, byroja politike, Marsel Skëndo, Vasil Naçi me dajën e tij, Gjergj Shkodrani etj…
Arrestimi ndodhi sepse Gazeta Koha Jonë ishte opozita e vërtetë sipas Neritan Cekës. E vërteta jonë nuk i pëlqente pushtetit, duhej arrestuar dikush që ti jepej një mësim medias
Eljan Tanini: -Si ndodhi e gjitha kjo?
Martin Leka: -Jam arrestuar vetëm për një shkrim. Ministri i mbrojtjes së asaj kohe kishte nxjerrë një urdhër ku thuhej se oficerët nuk duhet të mbanin më armatim me vete! Urdhri binte ndesh me statusin e ushtarakut, ne na erdhi një faksimile e urdhrit. Shkrimi im nisi me titullin: Oficerët nga sot peshojnë një kilogram më pak!
Nikollë Lesi ndërkohë ishte akuzuar disa herë dhe i ishin kryer disa kontrolle, ndërkohë Aleksandër Frangaj ishte në arrest shtëpie në Lezhë. RTSH e kohës më akuzonte se unë isha spiun i Beogradit sepse kisha qenë atje vëzhgues për zgjedhjet. Isha në Dom Gjon të Mirëditës dhe dëgjoja atje zërin e Amerikës dhe BBC në Shqip, më del emri se duhej të arrestohesha!
Eljan Tanini: -Ktheheni në Tiranë dhe direkt në burg?
Martin Leka: -Vendosa të vi në Tiranë, shkoj në shtypshkronjë te Koha Jonë, rrugës një tufë makinash policie ishin duke ikur. Fjeta te një miku im, atje pranë ishte edhe ajo që sot u bë nusja ime, Anila Bisha. E kisha vendosur që do të dorëzohesha. Në atë kohë ishin shkëputur disa intelektualë nga PD klasike, fryma jonë përkrahte zërin kundër në PD.
31 janar 1994, me Anilën përkrahu shkoj të dorëzohem. Unë dhe Sandër Frangaj flinim në redaksi, ishte kulmi i ndërprerjes së lidhjes sonë, por Anila më përkrahte. Anila Puthjen e parë ma dha në sallën e gjyqit. Kur po shkonim bashkë që të dorëzohesha, pranë PS takojmë Dritëro Agollin, ai uli kokën një herë, iu skuq fytyra, dhe me atë portret më pa në sy e më tha: -Shumë mirë po bën, ik dorëzohu! Isha 30 vjeç kur rashë në burg prej Sali Berishës. Frrok Çupi më tha mos u dorëzo, mos shko! Unë ndërkohë e kisha vendosur. Prokurori Arben Qeleshi tha me shaka se unë do të dal shpejt. Rrugës në makinën e policisë dalloj siluetën e Aleksandër Frangajt. Akuza ishte shumë e rëndë: Nxjerrje e sekretit shtetëror! Unë e kisha ndarë mendjen se për atë akuzë do të bëja 10 vite burg! Të përkrahësh ndryshimet demokratike dhe të përfundosh në qeli me Hajredin Çelikun dhe Llambi Gegpriftin, në një qeli ku duhej të flije te dera.
Liria është gjëja më e shtrenjtë qe mund të ketë njeriu. Burgu është pjesa ku njeriu ka një dimension tjetër per lirinë, kur e përjeton atje. Ramiz Alinë e takova atje në burg, sepse një javë më parë i kisha bërë një intervistë në shtëpi dhe e kishim lënë të bënim një intervistë tjetër. Kur më pa Ramizi atje më tha: Erdhe të ma marrësh intervistën këtu?
Në burg jam shkruar në paketa cigaresh mes Fatos Nanos. Në ato vite gjeje kollaj avokat sepse ne e kishim një status të veçantë, Agim Tirana, Spartak Braho, Mark Pëllumbi, Përparim Sanxhaku ishin avokatët tanë të pare.
Eljan Tanini: -Si mund të ishte sekret shtetëror një shkresë për fjala vjen 5000 ushtarakë ku ata 5000 ushtarakë kanë folur me familjet dhe shokët e tyre?
Martin Leka: -Për sekretin shtetëror nuk përbën problem gazetari por ai që e ka nxjerrë atë! Po të ishte një sekret shtetëror në dëm të Republikës së Shqipërisë, unë nuk e publikoj dot, por ai ishte një akt jo i ligjshshëm nënligjor. Kjo ishte për të treguar se çfarë mund të bëjmë ne, duhej shkaku
Eljan Tanini: -Të kanë rrahur në burg?
Martin Leka: -Për mua burgu ishte një torturë e vërtetë! Fatos Nano ishte njeriu më i informuar në burg, ai dinte edhe qelinë se ku do të shkoja, më erdhi letra prej tij.
Më pas vajta në qelinë nr. 50, më pas Nano më tha se prapë do të ndryshosh vend, tregohu i fortë mos e lësho veten më shkruante Fatos Nano !
Vajta në një qeli në krah të banjës, atje rridhte çdo gjë nga tubat sipër. Gjeta një batanije me trashësinë e një çarçafi, qeli 2 m2, dhe një dyshek ku nuk e di se sa e sa njerëz kishin fjetur në të, ku brenda ishte mbledhur me topa pambuku si gurë, mbushur me parasite. E shkundje batanijen në 7 të mëngjesit, 2 e drekës dhe shtatë e darkës! Ishte torturë ajo që ka ndodhur. Fotot i ka bërë një polic i burgut. Nënës sime nuk i treguan, por kur e mori vesh ajo kërkoi me këmbëngulje të më takonte!
Ishte muaji Prill, nëna ime dhe Anila erdhën në burg për të më takuar! Sepse mamasë i ishte fiksuar që unë nuk do të vdes pa e takuar djalin. Në duar mbaja pranga të Luftës së Dytë Botërore. Për të mbajtur pushtetin Sali Berisha nuk kishte mëshirë për askënd!
Jam liruar më 3 Maj 1994 nga burgu, dekret i Sali Berishës, me rastin e ditës së shtypit! Ismail Kadare bashkë me Remzi Lanin më nxorën nga burgu, sepse Sali Berisha donte të priste Festat e Nëntorit!
Unë faljen nuk e pranova, por kishte një dekret. Berisha nuk i ka kërkuar falje askujt. Gazeta Koha Jonë ishte opozita e vërtetë e regjimit, gjëja më e domosdoshme përpara opozitës. Pashk Përvathi e ka bërë shkrimin, stilizimin e emrit të Gazetës Koha Jonë, fontin. Ditën kur dola nga burgu takova Anilën dhe vajta të takoja familjen bashkë me Anilën, unë tashmë isha 2. Anila më ndihmoi të mos e vuaja shumë mungesën e lirisë. Një ditë më pas, pra pasi dola nga burgu, unë isha në Konferencë Shtypi me Safet Zhulalin. Gazetaria ishte një rrugë që ne e kishim nisur tashmë. Një plumb unë e kam gjetur në zyrë kur u pushtua RTSH, dita e Azem Hajdarit të ndjerë. Qëndrova në zyrë bashkë me Agron Çobanin, plumbi është 12.7.
Sali Berisha ka bërë edhe disa punë të mira në këtë vend. Ka shumë shembuj që janë tërhequr nga politika, Berisha jo!. Të gjithë duhet të luftojmë për një gazetari të lirë dhe të pavarur.