Sali Berisha

Politikë

Sali Berisha në 2018: Pse keni frikë nga Vetingu në politikë? Pranojeni, ndryshe ‘o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri’ (sot e kundërshton)

26 Tetor 2021, 10:14| Përditesimi: 26 Tetor 2021, 10:17

  • Share

Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën i është rikthyer një nisme të vitit 2018, për Vetingun në politikë. Propozimi me disa ndryshime të reja, por pa prekur thelbin, kundërshtohet ashpër nga Sali Berisha, por edhe nga Ilir Meta në mënyrë të tërthortë. Berisha e sheh Vetingun e propozuar nga Lulzim Basha si një skenar të Edi Ramës, për të goditur kundërshtarët e tij politikë, rrjedhimisht Berishën, Metën dhe rrethin e tyre. Berisha e shpalli nismën e Bashës si aktin më të turpshëm në historinë e pluralizmit.

“Në 30 vite histori legjislacioni në këtë vend akti më i turpshëm që kalon çdo imagjinatë të një njeriu të lirë është amendamenti që dërgon Edi Rama nëpërmjet tij (Bashës) në parlament, që SPAK-u të bëjë Vetingun e deputetëve... Nuk dorëzohet legjislativi te prokuroria politike”, tha Berisha.

Po çfarë ka thënë Sali Berisha për Vetingun në politikë në vitin 2018, ku amendamenti ishte propozuar pikërisht nga Partia Demokratike? Në vjeshtën e vitit 2018, Sali Berisha, e ktheu Vetingun në politikë në kauzë politike. Ai akuzonte kryeministrin Edi Rama se kishte frikë nga Vetingu në politikë, ndërsa jepte garanci se procesi nuk do të përdorej politikisht. Madje, në seancën plenare të 21 dhjetor të 2018, Sali Berisha kërcënoi me kryengritje të armatosur nëse maxhoranca nuk pranonte Vetingun në politikë, sipas tij i konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias.

Sali Berisha shprehje se “Pse keni frikë nga kjo? Pse Edi Rama ka frikë dhe tmerr? ...Po pse ju nuk e pranoni amendamentin? Pranojeni amendamentin, le të ulemi me ekspertë, të marrim edhe ekspertët më të mirë ndërkombëtarë, dhe ta bëjmë atë një model për mbarë rajonin. Ndërkombëtarët nuk janë kurrë me idenë që dikush ta përdorë pushtetin për të përjashtuar të tjerët për qëllime politike. Asnjëherë! Opozita nuk mund të jetë kurrë e mendimit që, kur është opozitë, ta përdorë pushtetin për të përjashtuar, por përsëri ju them: hajdeni ta votojmë amendamentin, të marrim ekspertët më të mirë, t’i ulim dhe të përjashtojmë çdo mundësi abuzimi me këtë amendament... Edhe një herë ju bëj thirrje: momenti është kritik. Po ju them se po bëni një gabim, më të rëndin që mund të keni bërë ndonjëherë, në qoftë se ju përdorni kartonët e zinj, të nxirë të krimit, siç i keni, në rast se ju përdorni sot këtu diktatin e krimit, si përfaqësues të tij, për të hedhur poshtë këtë amendament, i cili do të bënte historinë për shqiptarët, përndryshe ju garantoj se forca do t’ju shkulë nga këto karrige, përndryshe bëhuni gati, se në rrugët e sheshet e Shqipërisë do të ushtojë: “O djem, rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri! Kjo do të jetë!...”.

Sot nuk dihet se cili qëndrim i Sali Berishës në raport me Vetingun është i sinqertë, ai i dhjetorit të vitit 2018 apo qëndrimi ekstremist kundër i disa ditëve më parë. I shqetësuar kundër Vetingut në politikë sipas nismës së Lulzim Bashës ka reaguar edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili është subjekt i amendamentit, për të treguar burimin e pasurisë. Malltezi ishte ndër të parët që reagoi kundër propozimit të Partisë Demokratike, duke i paraprirë qëndrimit të vjehrrit.

Një pozicionim kundër amendamenteve të Lulzim Bashës dhe rrethit të tij për një Veting në politikën shqiptare, ka sinjalizuar edhe Presidenti Ilir Meta, përmes të besuarve të tij politik. Deputeti i LSI, Petrit Vasili, e ka shpallur propozimin e Bashës një tradhti të madhe. Meta është subjekt i dyfishtë i Vetingut sipas amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?