Është zhvilluar mesditën e sotme seanca e radhës për lirimin me kusht të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji. Sipas përfaqësuesit ligjor Ledio Braho, raporti i vlerësimit nga IEVP Fier ka ardhur pozitiv, ndërsa, sipas procedurës, u njoftua Shërbimi i Provës të paraqesë raportin e saj deri më datën 8 korrik. Bazuar në këtë raport, do të vendoset për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-deputetit Ervin Salianji.
Salianji ndodhet i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke e dënuar me 1 vit burg. Salianji e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten një të dënuar politik.
Në muajin mars, Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin kundër dënimit me 1 vit burg. Edhe në Tetor të vitit të kaluar, ai kërkoi në Gjykatën e Lartë pezullimin e dënimit me burg, por iu refuzua.
Ervin Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë, pasi në 2018-ën publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime, përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm atë kohe, Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Por, nga hetimet e rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar, dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.
Komente
