Politikë

Salianji pas lirimit: Gjykata e Lartë shkeli ligjin, vonoi zbardhjen e vendimit tim, e kam denoncuar në SPAK

8 Korrik, 18:10| Përditesimi: 8 Korrik, 19:55

  • Share

 

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i liruar sot me kusht nga Gjykata e Fierit pasi vuajti 9 muaj nga dënimi 1-vjeçar i formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë për dosjen “Babale”, mbi akuzën e kallëzimit të rremë, hodhi akuza sot edhe ndaj Gjykatës së Lartë, ky tha se i shërben qëllimeve të qeverisë së Edi Ramës dhe ish-ministrit Fatmir Xhafaj.

Ai pretendoi se Gjykata e Lartë nuk kishte zbardhur vendimin për rekursin e tij në kohë, duke e penguar që të ndiqte rrugën e ankimimeve të tjera në Kushtetuese, teksa tha se betejën do e vijojë edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu shtoi se i ka kërkuar SPAK-ut që ta hetojë falsifikimin nëpërmjet shortit që bëri Gjykata e Lartë.

“Nuk krahasohet fushata elektorale me letrat nga burgu. Ka dhe një tjetër çështje me zvarritjen e rekursit tim në Gjykatën e Lartë, sjell rastin nëse nuk është bërë lajm, se është bërë falsifikimi nga Gjykata e Lartë nëpërmjet shortit dhe i kam kërkuar SPAK që të hetojë, për moszbardhjen në kohë të vendimit mbi rekursin tim. Ku është bërë zëvendësimi nëpërmjet shortit, që është përtej çdo ligji dhe shkeljeje. Gjykata e Lartë e ka me ligj brenda 60 ditësh duhet ta zbardhë vendimin dhe që të shkohej në më tej nga unë në Kushtetuese. Por kjo betejë do vazhdojë, nuk e bëj vetëm për veten time, por sikurse në 2013-2017 kur nuk kisha mandat dhe bëra fushatë në të gjithë vendin, do e bëj përsëri për PD-në”, tha Salianji.

Ai dha një koment edhe në lidhje me përfshirjen e mundshme dhe detyrat e tij në PD, duke mos qenë më deputet. Ish-ligjvënësi demokrat la të kuptohej se do pranonte çdo propozim dhe do vijonte të përballej me qeverinë.

“Do kem mundësi të bëj politikë nëpërmjet kontaktit me qytetarët dhe propozimet që vijnë nga PD-ja. Mezi e pres një përballje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut nëse kam pasur unë të drejtë apo qeveria. Duhet të sundojë ligji dhe shteti i të drejtës, nuk mund të kemi diku rëndim i barrës ndaj politikanëve dhe në rastet e tjera lehtësim”, tha ish-deputeti.


Lajmi kryesor:

Pas lirimit, Salianji kërkon 'ndryshim' të PD-së: Të gjejmë zgjidhje për të larguar regjimin! Në seli s'e pret asnjë nga drejtuesit (VIDEO)


A.Q/I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?