Salloni i Librit në Torino, Shqipëria 5 ditë si vend mysafir! Nis në 18 maj me Ermal Metën, të ftuar nga Vorpsi tek Ypi, ministrja: Patjetër dhe Kadare

13 Maj 2023, 15:38| Përditesimi: 13 Maj 2023, 16:01

  • Share

Nga 18 maji Shqipëria do të jetë vend mysafir në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Koncepti i sallonit tonë frymëzohet nga Kadare me ‘Kronikë në gur’, ndërsa të ftuarit janë emra të njohur të Shqipërisë e Diasporës nga Lea Ypi te Ermal Meta, që do të hapë siparin e 40 aktiviteteve. 

Për 5 ditë radhazi në Italinë fiqnje, nga 18 maji Shqipëria bëhet pjesë e Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino. Mes 44 shtetesh e 200 profesionistëve të enteve botuese, pozicionohemi si vend mysafir.

“Prezenca e Shqipërisë në Sallonin e Librit në Torino si vend nderi për ne është patjetër jo vetëm një titull horonifik por një mundësi shumë e mirë për të treguar atë çka është letërsia shqiptare”, thotë ministrja e Kulturës Elva Margariti.

Në këtë edicion të 35-të i bëhet homazh universit plot ngjyra që ka dhuruar Lewis Caroll me ‘Lizën në botën e çudirave”.

“Tema e përzgjedhur “Përmes pasqyrave”, pasi të fton të përqafosh me guxim imagjinatën. Dhe letërsia shqipe do të ketë një lexim të kësaj teme shumë ambicioz”, shprehet Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Programi i Shqipërisë si vend i ftuar, u bë njohur këtë fundjavë në Qendrën e Librit me 40 aktivitete të larmishme.

“Mendoj që kemi një shtresëzim të mirëmenduar si nga pikëpamja kulturore ashtu edhe sa i përket brezave të shkrimtarëve”, shprehet Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Salloni i librit shqip, frymëzohet nga “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë e projektohet nga arkitektja Matilda Pando dhe artisti Ergys Krisiko. Salloni është konceptuar si një vepër arti ku vizitorët bëhen pjesë e historikut letrar të vendit tonë nga Buzuku e Bogdani, te autorët e Rilindjes Kombëtare, ata të shek. XX e deri në brezat më të rinj të shkrimtarëve. Emra të njohur të autorëve të Shqipërisë e diasporës do të jenë të ftuar në këtë ngjarje me peshë të librit.

“Do të kemi nga Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Bashkim Shehu, Fatos Kongoli, Lucia Nadin, Ardian Ndreca etj…, patjetër edhe i madhi Kadare”, shprehet Margariti.

Salloni i Shqipërisë hap dyert në 18 maj në orën 15.30 me artistin Ermal si autor i “Nesër e përgjithmonë”.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?