Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, z. Peter Zingraf, e cilëson këtë ditë shumë të rëndësishme për Tiranën dhe rajonin. Në një intervistë për gazetarin e Report Tv Arbër Hitaj ai thotë se organizimi i një samiti të tillë në vendet e Ballkanit tregon rëndësinë dhe vëmendjen që ‘Unioni’ i jep vendeve të rajonit.
“Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin. Një ditë e madhe dhe e pazakontë që liderët e BE udhëtojnë jashtë Bashkimit Evropian për një samit të tillë. Kjo është shenjë e madhe besimi dhe ndihme për rajonin. Ne jemi përkrah jush dhe ju duam në Bashkimin Evropian. E kemi kuptuar rëndësinë e këtij rajoni me Union. Gjermania gjithmonë e ka mbështetur Shqipërinë. Ne jemi shumë të lumtur që e gjithë BE, e shtyrë edhe nga lufta, e ka rritur mbështetjen për vendet e Ballkanit”, tha Zingraf për Report Tv nga ambientet ku po zhvillohet Samiti.