Takimi i liderëve të vendeve të nismës së Brdo-Brijunit

Samiti i Procesit të Brdo-Brijuni: Bashkimi Evropian t'i liberalizojë Kosovës vizat

13 Shtator 2022, 11:36| Përditesimi: 13 Shtator 2022, 11:46

  • Share

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat deri në fund të vitit 2022. Pahor i bëri komentet në fund të samitit të Procesit Brdo-Brijuni, që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë.

Kjo thirrje, tha ai, është edhe pjesë e konkluzioneve që u miratuan pas samitit. Përveç Pahorit, nikoqir i ngjarjes, aty morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Pahor tha se me udhëheqësit e vendeve të rajonit është rënë dakord që bisedimet të jenë mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Samiti u mbyll me sukses për dy arsye: diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi këmbëngulur që të jemi më të bashkuar. Ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet të kuptojmë se ku janë këto dallime”, deklaroi Pahor, duke mos dhënë shumë detaje, por duke thënë se besimi midis vendeve nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm.

Osmani: Askush në BE nuk është kundër liberalizimit të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se thirrja për liberalizimin e vizave për Kosovën, është miratuar njëzëri në Procesin e Bërdo-Brionit. Ajo tha se gjatë këtij viti, pret që BE-ja të marrë vendim për këtë çështje, teksa shtoi se ka përkrahje në mesin e bllokut.

“Aktualisht, nuk ka vend në BE që na thotë se janë kundër liberalizimit të vizave dhe besoj që e kemi momentumin më të mirë në këto katër vjetët e fundit. Pra, momentumi është i shkëlqyeshëm, kemi mbështetjen e vendit që është nikoqir i këtij takimi [të Këshillit të BE-së që mbahet në Republikën Çeke] dhe takimet ministrore. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim të grupit punues për viza për ta shtyrë çështjen përpara. Dhe pastaj në samitin e ri BE-Ballkan Perëndimor, që pritet të mbahet më vonë, pas tetorit. Ajo që është me rëndësi është që ky vendim të merret gjatë Presidencës çeke, pra gjatë këtij viti”, tha Osmani.

Ndërkaq, në konkluzionet e miratuara theksohet edhe rëndësia e zgjerimit të BE-së me vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor. Ky proces konsiderohet si “kontributi më i drejtpërdrejtë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon”.

“I bëjmë thirrje BE-së që të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor, me qëllim zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike. Ne konfirmojmë angazhimin tonë për dialog - si mënyra e vetme për kapërcimin e dallimeve”, thuhet, po ashtu, në konkluzione.

Vuçiq: BE-ja nuk është popullore në Serbi

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Bashkimi Evropian nuk është popullor në mesin e qytetarëve të Serbisë, por tha se shpreson se kjo do të ndryshojë në të ardhmen.

“Unë vij prej një vendi i cili ndodhet në rrugën evropiane, nuk do që të heqë dorë prej saj, por në të cilin BE-ja është më së paku popullore. Nëse sot do të kishit një referendum në Serbi, në pyetjen: A doni të hyni në BE ose jo, qytetarët e Serbisë do të thoshin jo”, tha Vuçiq pas samitit të Procesit Bërdo Brioni.

Ai po ashtu tha se shpreson se kjo do të ndryshojë “në muajt apo vitet e ardhshme”. Ai shtoi se një nga arsyet kryesore për këtë është çështja e integritetit territorial të Serbisë. Serbia konsideron se me pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, është shkelur integriteti i saj territorial. Por, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar më 2010 se pavarësia e Kosovës nuk bien ndesh me ligjin ndërkombëtar. Në anën tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se në takimin e Procesit të Bërdo Brionit nuk është biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve.

“Unë e mbështes njohjen e Kosovës. Të gjitha vendet që nuk e kanë bërë këtë, duhet ta bëjnë, por në këtë [samit] nuk ishte rasti për të”, tha Millanoviq.

Ai, po ashtu, tha se do të bëjë gjithçka të mundur që Procesi Bërdo-Brioni të vazhdojë, pasi Pahor përfundon mandatin e dytë presidencial këtë vit. Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë. Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.

Ku qëndrojnë vendet e Ballkanit në rrugën drejt BE-së?

Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku kanë shprehur mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”, kanë thënë ato.

Që atëherë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013. Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Kosova, po ashtu, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në. Edhe pse Komisioni Evropian ka konfirmuar se ajo i ka plotësuar kushtet, disa vende, si Franca dhe Holanda, shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve./ Marrë nga REL

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?