Shqipëria është mikpritësja e radhës e Samitit dyditor të Procesit të Brdo-Brijunit, i cili do të zhvillohet në datat 5 dhe 6 tetor 2025 në Golem, nën kujdesin e presidentit, Bajram Begaj.
Të pranishëm do jenë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të dy shteteve themeluese të këtij procesi, Kroacisë dhe Sllovenisë, me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të përshpejtuar integrimin europian të rajonit dhe për të adresuar sfida të përbashkëta.
Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.
Samiti do të përfshijë një seancë plenare dhe një konferencë të përbashkët për shtyp mes Presidentit Begaj dhe homologëve të tij nga Sllovenia, Nataša Pirc Musar, dhe Kroacia, Zoran Milanoviç, të cilët janë edhe bashkëkryesues të Procesit të Brdo-Brijunit. Gjithashtu janë parashikuar takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Pritet që në përfundim të samitit të miratohen konkluzione të përbashkëta, të cilat synojnë të shërbejnë si një shtysë konkrete për rritjen e bashkëpunimit dhe përparimin në rrugën e integrimit europian për të gjitha vendet pjesëmarrëse.
Pjesë e këtij procesi janë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia, vende që përballen me sfida të përbashkëta në rrugën drejt BE-së, por që përmes kësaj platforme synojnë të forcojnë dialogun politik dhe ndërtimin e besimit reciprok.
Takimet në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni janë mbajtur çdo vit që nga viti 2013. Vitin e kaluar, u mbajt në Mal të Zi, ku udhëheqësit theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal në një deklaratë të përbashkët dhe u zotuan për reforma të mëtejshme, forcimin e dialogut strategjik me BE-në dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Komente
