Donald Trump dhe Vladimir Putin

Bota

Samiti i 15 gushtit, pse Trump zgjodhi Alaskën për takimin me Putin? Ku interesat takohen

10 Gusht, 07:52| Përditesimi: 10 Gusht, 08:04

  • Share

"Vendndodhja ka rëndësi", është një rregull i artë për agjentët e pasurive të paluajtshme. Duke zgjedhur Alaskën si vend për samitin e tij të parë me Vladimir Putinin, Donald Trump mbetet besnik ndaj kodit të tij gjenetik. Ai e detyron kreun e Kremlinit të bëjë një lëshim shumë simbolik, duke e detyruar të shkojë në territorin amerikan. Por, duke e pritur në shtëpinë e tij, i kthen statusin dhe lirinë e veprimit ndërkombëtar liderit të një vendi agresor, nën sanksione dhe mbi të gjitha subjekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e Hagës.

Marrëveshja

Kur thuhet Alaska në kontekstin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Amerikës, preken tela të thellë. Aty ku historia, kujtesa, gjeopolitika dhe projeksionet strategjike ndërthuren në një ngërç të pazgjidhshëm dhe shumë emocional. Në fund të fundit, për Vladimir Putinin, të kalojë katër kilometrat e Ngushticës së Beringut – rripi i detit që ndan në veri-perëndim dy vendet – do të jetë si të kthehet në shtëpi. Alaska, në fakt, iu shit në vitin 1867 nga Rusia Shteteve të Bashkuara, që paguan 7,2 milionë dollarë, rreth 120 milionë të sotëm, për një sipërfaqe mbi 1 milion e 518 mijë kilometra katrorë.

Vendimi i marrë nga Cari Aleksandër II, i mbërthyer nga borxhet pas humbjes në Krime, u prit keq nga të dyja palët: “shitje e popullit rus” ose “humbje” për inteligjencën e Moskës; “marrëzia e Seward” (nga emri i sekretarit të Shtetit amerikan që firmosi kontratën) për amerikanët. Por, nëse ende sot nacionalistët rusë nuk ndalen së qari për marrëveshjen e gabuar, blerësit u bindën shumë shpejt për të kundërtën, falë etheve të arit të filluara në vitin 1897, që në pak dekada do t’i sillnin SHBA-së një fitim njëqind fish të investimit. Por le të ndalemi me historinë. Për Putinin, një samit me Trumpin vlen gjysmën e përuljes që përfaqëson udhëtimi në Amerikë. “Samiti në Alaskë, larg nga Evropa dhe Kina, certifikon totalisht bilateralizmin e këtij takimi dhe faktin se vetëm Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku, mund të gjejnë një zgjidhje për krizën e Ukrainës”, shpjegon Dmitrij Suslov, zëvendësdrejtor i Qendrës për Studime Evropiane dhe Ndërkombëtare pranë Shkollës së Lartë të Ekonomisë.

Gara drejt së ardhmes

Jo vetëm kaq. Siç thamë më herët për parashikimet strategjike, ka më shumë sesa simbolizëm historik apo diplomatik në zgjedhjen e Alaskës. “Vendndodhja ka rëndësi”, pra. Nuk është rastësi që të premten, më 1 gusht, Shtetet e Bashkuara nisën stërvitjen Arctic Edge 2025, manovrën vjetore ushtarake të destinuar të demonstrojë dhe forcojë aftësinë e forcave amerikane për të frenuar, garantuar sigurinë dhe mbrojtur Amerikën e Veriut nga kërcënimi i vazhdueshëm që paraqet Rusia në Arktik.

Moska, në fakt, mban një prani të fortë në rajonin e Veriut të Madh, hapësira gjigante mbi Rrethin Polar, ku ngrohja globale po shkrin gradualisht perden e akullit që deri tani ka ndarë kufirin polar të Rusisë nga NATO-ja, duke hapur rrugë të reja detare. Këto rrugë mund të përgjysmojnë kohën e transportit të mallrave dhe lëndëve të para nga Evropa në Azi, përveç se të bëjnë të arritshme rezerva të mëdha nëndetare nafte, gazi dhe metalesh të çmuara.

Trekëndëshi strategjik

Në vitin 2014, Rusia krijoi një Komandë të Veriut, që bëri operativë rreth 50 zona të vjetra ushtarake nga epoka sovjetike dhe baza të reja detare mbi Rrethin Polar, aq sa aktualisht numërojnë më shumë se NATO-ja. Flota ruse po zhvillon gjithashtu nëndetëse bërthamore të reja për operacione në Arktik, si klasa Arcturus, e aftë të përdorë dronë dhe raketa hipersonike nënujore. Mbi të gjitha, Federata mund të mbështetet tek flota e saj e famshme e akullthyesve, më e madhja në botë me mbi 50 njësi, ndërsa po planifikohen po aq të tjera për dekadën e ardhshme.

Në këtë garë mes akujve, Moska nuk është e vetme. Edhe Kina, megjithëse nuk është një vend që ka dalje në Arktik, që nga viti 2018 ka shpallur një interes strategjik në zonë, është pajisur tashmë me tre anije akullthyese– njëra prej tyre më e madhja e ndërtuar ndonjëherë – dhe po bashkëpunon me Rusinë për të krijuar një “rrugë të Mëndafshit polar”. Ky është ndoshta elementi që shqetëson më shumë Trumpin dhe Komandën Veriore të SHBA-së. “Në samit nuk do të flitet vetëm për Ukrainën – thotë Suslov, një nga këshilltarët më të dëgjuar të Kremlinit – por edhe për Arktikun, që është vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve ruso-amerikane, teatër përballjesh ushtarake, por edhe zona më premtuese për bashkëpunimin e ardhshëm mes Moskës dhe Uashingtonit: energjia, shfrytëzimi i lëndëve të para, rrugët tregtare”. Alaska, në qendër të botës./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se hapësirat publike që po çlirohen do 'ripushtohen' sërish?